TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Shtator 2025, 10:49

A do të jetë Lea Ypi, 'detonatori' i rebelimit të socialistëve në partinë e Edi Ramës?

Shkruar nga Pamfleti
A do të jetë Lea Ypi, 'detonatori' i rebelimit të
Lea Ypi /

Librat e filozofes shqiptare po promovohen nga Edi Rama dhe Elisa Spiropali si investim politik, ndërsa në PS sinjalet e pakta kundërshtuese janë më shumë murmurimë sesa sfidë...

Lea Ypi, profesoresha e njohur e London Schools of Economics, ka qenë në javët e fundit nën reflektorët e mediave europiane, por edhe shqiptare.

Profesoresha e filozofisë në një prej universiteteve të njohura në botë, një nga akademiket e kuotuara, kryesisht të mendimit majtist, edhe pse është pinjolle e një familje që vjen nga e djathta historike, Lea Ypi, ka botuar librin më të ri: “Të Poshtëruar”.

Një libër autobiografik i familjes së saj, që është i treti nga cikli i sagës së familjes së saj. Disa nga gazetat më të njohura britanike i kanë kushtuar një vend të veçantë në recensën e librit.

I cili është vlerësuar dhe përshëndetur në mënyrë të veçantë, ndërmjet të tjerash edhe nga Elisa Spiropali.

Ndërkaq, Libri i parë i Lea Ypit, “Të Lirë”, është promovuar posaçërisht nga Edi Rama. I cili e ka dhuruar për krerët e qeverive apo të shteteve, gjatë vizitave zyrtare, në gjuhët e homologëve që u ka bërë dhuratën.

Një gjest, që është konsideruar qartësisht si një promovim më shumë se letrar, një tregues apo sinjal politik për të ardhmen e së PS-së.

Lypi, e cila e ka origjinën familjare nga e djathta tradicionale, ajo ishte pjesë e shtresës së persekutuar gjatë regjimit komunist. Ndërkaq, emri i saj qarkullon gjithnjë e më shumë si një mundësi për të hyrë në politikën shqiptare si pasardhësja grua e Edi Ramës, në krye të PS-së.

Flitet se ka mbështetje në qarqet e së majtës britanike dhe asaj europiane, si dhe nga rrjeti Soros. Baton Haxhiu, i cili si mbështetës i Edi Ramës, vjen nga linja e Sorosit është një nga promovuesit e Lea Ypit në median e tij.

Përveç Ramës dhe Spiropalit, për Ypin ka pasur një mbështetje të ndrojtur nga ana e politikanëve të rëndësishëm të PS-së, edhe pse kanë marrë pjesë në promovimin shqiptar.

Ndërkaq, këto ditë ka qenë Erion Braçe, i cili ka “thyer akullin”, duke dhënë një sinjal të rëndësishëm brenda socialistëve.

Në një koment të tij për librin e Lea Ypit në faqen e tij në instagram, Braçe synon të tregojë se ajo nuk i përket një “socialisteje rrace”, por është më shumë një e majtë e shtirur. E këtë e bën, duke, cituar pikërisht librin e saj, që është vlerësuar nga Elisa Spiropali, apo ndonjë tjetër qeveritar i PS.

“Lea Ypi, ‘Të Poshtëruar”, faqet e para. Kishte humbur besimin e Portës së lartë. Qesh pafund e vdes për këto historitë e 120-130 viteve më parë, të cilat funksionojnë sot po aq realisht si atëkohë-lexojini e më thoni nëse është ndryshe! Gjeni origjinën e të sotmes që nuk ndryshon prej aq larg”!, shkruan Erion Braçe.

Një sinjal i qartë kontestimi për transplantimin e një politikaneje, për të cilën po flitet edhe si ministre e re, në mos tani, nga fillimi i vitit tjetër, apo edhe kryetare bashkie në Tiranë a Durrës. Për të qenë më pas pasardhësja e Edi Ramës në krye të PS-së. Sinjali i Braçes, edhe pse i ndrojtur, tregon se ka zëra që edhe mund të kritikojnë të preferuarit e Edi Ramës. Por a do ta bëjnë këtë kur kryeministri të trashë zërin?

Deri më sot ka ndodhur e kundërta, janë strukur dhe kanë përfituar atë që kanë marrë. Si për shembull Pandeli Majko, i cili që kur nuk është zgjedhur deputet është mbyllur si ‘Oso Kuka’ dhe nuk është dukur në publik prej 11 majit. Si duket pret ndonjë dorëheqje deputetësh në Tiranë, që të hyjë në Parlament nga dritarja…/Pamfleti

lea ypi detonatori i rebelimit partia e edi ramës

Lini një Përgjigje

Editorial