
SPAK-u nisi me bujë hetimet për shumë dosje korruptive, por kanë kaluar muaj e vite dhe nuk shihen rezultate...
Prokuroria e Posaçme nuk po jep ende sinjale të forta se po godet korrupsionin në nivelet më të larta. Ndonëse SHBA e BE në çdo raport shprehen se duan pushtetarë pas hekurave, SPAK-u deri më tani është fokusuar te korrupsioni minimalist.
Prokurorët kanë hapur disa dosje të bujshme gjatë vitit që lamë pas, mirëpo duket se ka një stopim. Të paktën nga ajo që duket në publik.
Një dosje që u paraqit me bujë ishte ajo e "Kompleksit Partizani". Në shtator të vitit që lamë pas u thirrën në SPAK një numër shumë i madh personazhesh, nga ish-ministrat e Mbrojtjes te përfaqësues të ushtrisë. Po ashtu u tha se do të thirrej dhe ish-kryeministri, Sali Berisha bashkë me dhëndrin e tij. Mirëpo fletëthirrja nuk u lëshua kurrë. Pas dëshmive që u morën, duket sikur nuk ka pasur më asnjë zhvillim. Që prej shtatorit askush nuk është pyetur dhe SPAK-u as nuk e ka mbyllur dosjen dhe as nuk ka pushuar hetimet.
Një dosje tjetër akoma më flagrante është ajo e koncesioneve në shëndetësi. Ilir Beqja njihet si “mamuthi i korrupsionit” dhe u duk se do e bënte gjumin te burgu 313, por në fakt ai ja hodhi paq sapo Rama e emëroi në krye të “Donacioneve të huaja”. Në verën e vitit që shkoi, Beqja i ngjiti shkallët e SPAK-ut disa herë. Ai u mor në pyetje dhe kur u duk se SPAK-u do kopsiste dosjen, nuk ndodhi kështu. Nuk ka pasur asnjë zhvillim të mëtejshëm për koncesionet në shëndetësi.
Shkallët i ngjiti dhe Shkëlzen Berisha. Ai dyshohet si përfshirë në aferën e Gërdecit. Por edhe kjo dosje ka afro një vit që zvarritet dhe nuk ka asnjë zhvillim. Po ashtu zhvillime duket se nuk ka pasur edhe për paditë që janë bërë ndaj Ilir Metës. Pra, edhe pse SPAK-u ka shumë dosje të mëdha në duar, deri më tani nuk po shihen rezultate. /Pamfleti
Lini një Përgjigje