TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë23 Mars 2024, 09:12

Lidhjet me Rusinë dhe lojërat me oligarkun Deripaska, si "Raiffeisen Bank" po fundoset në bursë!

Shkruar nga Pamfleti

 

Lidhjet me Rusinë dhe lojërat me oligarkun Deripaska, si
Raiffeisen Bank në Rusi

Qeveria amerikane beson se Deripaska do të përfitojë nga ky transaksion dhe ka kërkuar nga "Raiffeisen Bank" informacion të detajuar për personat dhe kompanitë e përfshira në këtë transaksion...

Çmimi i aksioneve të bankës austriake Raiffeisen Bank International (RBI) u stabilizua disi në bursën e Vjenës të enjten, pas raportimeve se qeveria amerikane i bëri presion bankës për shkak të një transaksioni të planifikuar me një oligark rus.

Rreth orës 11:30, aksionet e bankës ishin ato që binin më shumë në sy në bursën e Vjenës, me një rënie çmimi prej 0,5 për qind në 17,75 euro, pasi një ditë më parë ishin zhytur deri në 16 për qind.

Shkak për këtë ishte një tekst i publikuar ekskluzivisht nga Reuters, se banka austriake nuk do të mund të blejë një pjesë të aksioneve në kompaninë austriake të ndërtimit Strabag, e cila është në pronësi të miliarderit rus Oleg Deripaska.

Gjegjësisht, në fund të vitit, Raiffeisen International - një nga bankat evropiane më të ekspozuara ndaj tregut rus - njoftoi se synon të blejë pothuajse 28 për qind të aksioneve të Deripaska në gjigantin austriak të ndërtimit, përmes degës së saj ruse.

Kostoja e lartë

Transaksioni synonte të "vriste dy zogj me një gur" - nga njëra anë, për të ndihmuar daljen e RBI nga Rusia, dhe nga ana tjetër, për të ndihmuar Strabagun të zvogëlonte pronësinë e Deripaskës, një prej oligarkëve rusë të sanksionuar. Bëhet fjalë për 28.5 milionë aksione për të cilat RBI ofroi 1.51 miliardë euro në fund të vitit të kaluar. Duke i paguar ato para një oligarku pranë Kremlinit, Raiffeisen shpreson të jetë në gjendje të largohet nga Rusia pak a shumë pa dhimbje.

Gjegjësisht, pas shpërthimit të agresionit rus kundër Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore, qindra kompani perëndimore u larguan nga tregu rus. Qeveria ruse po vendos kërkesa gjithnjë e më të rrepta për ata që mbeten në mënyrë që të marrin lejen për t'u larguar dhe për të shmangur shtetëzimin. Për shembull, vlera e pronës duhet të vlerësohet vetëm nga konsulentët e zgjedhur nga Moska, dhe qeveria më pas kërkon një zbritje prej 50 për qind në çmimin që paguan për të marrë pronën e një kompanie perëndimore. Gjithashtu, kërkohet një kontribut në buxhetin e shtetit prej të paktën 10 për qind të çmimit.

Ndikimi

Megjithatë, në javët e fundit, përfaqësues të Thesarit të SHBA janë takuar me përfaqësues të bankës dhe pronarët austriakë, sipas disa burimeve të njohura me këtë çështje. Qeveria amerikane beson se Deripaska do të përfitojë nga ky transaksion dhe ka kërkuar nga RBI informacion të detajuar për personat dhe kompanitë e përfshira në këtë transaksion.

Nëse transaksioni rezulton se shkel sanksionet e SHBA-së, dhe RBI-ja vazhdon me të gjithsesi, ajo do ta gjente veten nën kritikat e autoriteteve amerikane dhe ndoshta do përballej me gjoba të rënda. Burime të informuara pohojnë se autoritetet austriake nuk do të japin dritën jeshile për këtë shitje dhe banka raportohet se po mendon të heqë dorë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Lider Media

Lini një Përgjigje