Gomari më deliberativ i vendimmarrjeve nëpër kullotat e lëndinave të dollarëve, ende tund këmborën në oborr të SPAK-ut dhe shet mend para shqiptarëve...
Edi Rama, i njeh mirë tekat e gomarëve të fshatit.
Atyre që hellin vickla dhe dinë të pallin bukur, kujdeset që të mos i vrasë samari.
Këta janë të rrezikshëm edhe për prokurorët e gjykatësit, se po u afrove afër tyre, të rrasin një shkelm që nuk dihet ku të merr, në dhëmbë, në sy, në ballë apo poshtë mesit.
Gomari më deliberativ i vendimmarrjeve nëpër kullotat e lëndinave të dollarëve, ende tund këmborën në oborr të SPAK-ut dhe shet mënd para shqiptarëve, se drejtësia nuk ka leje t’i shalojë samarin me fije nga kashta “askush nuk është mbi drejtësinë”, por thjeshtë prokurorët duhet t’i nivelojnë barrën që i varet.
Po edhe prokurorëve u kruhet pak kurrizi.
Vetë Babloku e ka marrë përsipër zanatin e samarxhiut, ndaj dhe i rrinë sus.
Ai ka mbajtur konferenca shtypi para kafshëve të fshatit, se me asnjë çmim nuk do të ketë samarxhi amerikan.
Andej nga Amerika, kafsha universale shalohet me të njëjtin samar, edhe kur udhëton me avion.
Gjithmonë zyrtarët janë në dyshim, pasi dihet, nuk mund të mësojnë të mos këndojnë keq.
Samarxhiu i fshatit tonë ka bërë histori unike.
Çdo gomari perëndimor që kulloti këtej, i shaloi samar magjik.
Charles McGonigal-it dhe një fallxhoreje që u dinte kimetin edhe kafshëve të imta të Sali Berishës, u thuri samar me thupra thane, ca tipave si Aleksandër Soros apo Tony Blair, me lesh dhie që bie erë perçe.
Rrymat e përziera me korrupsion, kanë ngacmuar edhe durimin e gomarëve.
Po, çdo gomar, i yni apo i ardhur, e ka një samar nga Babloku.
Të gjithë e kruajnë kurrizin, të gjithëve u vret nga pak, por personazhi ynë, deri sot është me fat.
Ka bërë namin e zi në të mbjellat e fshatit, por të gjithë e dinë se Ilir Beqja ende nuk është gomari që e vret samari./Pamfleti
Lini një Përgjigje