
Pastrimi i parave të kokainës në resorte (Porto Lalzi) dhe dalja e zbuluar në Sky ECC
Vonesat e prokurores së SPAK-ut rrezikojnë sekuestrimin e miliona eurove pasuri të pista nga trafiku i kokainës në Elbasan.
Prej dy vitesh, hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke lexuar komunikimet e figurave të krimit të organizuar në platformën Sky ECC, kanë identifikuar një prej grupeve kriminale më të fuqishme financiare në Elbasan, me aktivitet kryesisht trafikun e kokainës. Anëtarët e këtij grupi kriminal rezulton se kanë trafikuar tonelata kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës, duke rivalizuar organizatën kriminale Çopja për sa i takon fuqisë financiare.
Një pjesë e parave të trafikut të kokainës rezulton se pastrohen prej vitesh nga një kompani transporti dhe ndërtimi në Elbasan, e cila, ndonëse me humbje dhe pa kapital, ka investuar dhjetëra milionë euro në resorte në bregdet dhe Tiranë. Bëhet fjalë për kompaninë "Aliu Road House" me NIPT (K83211201N), me administrator dhe pronar në letra Isa Aliu, i cili shërben si kamuflim i një prej linjave kryesore të pastrimit të parave të kokainës në Shqipëri.
Edhe pse me kapital 1 mijë euro, kompania e Isa Aliut nga Elbasani, nën hundën e Prokurorisë, Krimit Ekonomik dhe Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ka investuar dhjetëra milionë euro para të pista në kompleks vilash dhe resort në Gjirin e Lalzit, port luksoz jahtesh, rezidenca në Hamallaj, pallate në Selitë etj., pra qindra mijëra m² ndërtim.

Porto Lalzi, një projekt që përfshin hotele, vila, apartamente, restorante etj., është një nga linjat kryesore të pastrimit të parave të kokainës së grupit kriminal të identifikuar nga hetuesit e BKH-së. Sipas burimeve, një grup hetuesish të BKH-së kanë përfunduar prej disa muajsh dosjen për goditjen e grupit kriminal dhe sekuestrimin e kompanisë "Aliu Road House" dhe të gjitha pasurive të kamufluara prej saj, produkt i parave të trafikimit të kokainës.

Çuditërisht, prokurorja e çështjes po vonon dhe ka bllokuar finalizimin e operacionit të SPAK-ut dhe GJKKO-së, duke i dhënë kohë grupit kriminal që fshihet pas Isa Aliut të tjetërsojë dhe të humbë gjurmët e pasurive të paligjshme, me qëllim që të shpëtojë sa të mundet nga sekuestrimi. Hezitimi i prokurores së çështjes për t'i kërkuar GJKKO-së masat e arrestit dhe sekuestrimin e pasurive produkt i aktivitetit kriminal ngre dyshime të forta për mundësinë e ndikimit korruptiv të grupit të kokainës tek segmente të caktuara brenda SPAK-ut./Pamfleti

Mos hapja e dosjeve të sigurimit të shtetit, na solli në këtë derexhe që jemi sot. Të gjithë spiunat dhe fuksat i kemi sot në qeveri që bënë vëndin katrahurë.