PD përdori Ligjin 138/2015 për të ndaluar kandidimin e Ervin Salianjit; por ky ligj nuk ka lidhje me zgjedhjet partiake, por me funksionet shtetërore. Nëse do të zbatohej me të njëjtën logjikë, Sali Berisha (me masë sigurie “Detyrim paraqitje” dhe 3 dënime penale për shpifje) do të ishte i ndaluar të kandidonte për kryetar partie. Statuti i PD-së e ndalon rikandidimin e tij, por ai vazhdon. Pra, ligji që Berisha përdori për të “ngrënë” Salianjin, po i ha këmbët atij.
Duke përdorur një strukturë të sajuar me emërtimin “Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektoral” të drejtuar nga Albana Vokshi, sundimtari Sali Berisha ka inskenuar ndalimin e kandidimit të Ervin Salianjit për kryetar të PD-së. Për të mos e pranuar në garë, kupola e PD-së ka përdorur si kriter bllokimi Ligjin 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në fakt, ky ligj që kanë përdorur për të mos lejuar kandidimin e Ervin Salianjit nuk ka lidhje me emërimin apo zgjedhjen e drejtuesve të partive politike, por me ata persona që kërkojnë të zgjidhen e emërohen në funksione shtetërore. Megjithëse në kupolën e PD-së ka shumë “profesorë” të jurisprudencës, po u citojmë Ligjin 138/2015, të cilin qëllimisht e kanë përdorur për të ndaluar kandidimin e Ervin Salianjit:
Neni 1, pika 1: Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo-përfundimtar për kryerjen e krimeve, sipas këtij ligji.
Pika 2: Objekti i këtij ligji është mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje e personave të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo-përfundimtar për kryerjen e krimeve, sipas këtij ligji.
Pra, bëhet fjalë vetëm për deputetët, ministrat, kryebashkiakët dhe të emëruarit e zgjedhurit funksionarë në ushtri, polici, drejtësi, diplomaci, SHISH e institucione kushtetuese. Nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet brenda një partie politike.
Me ligjin që ka përdorur PD-ja kundër Salianjit, ndalohet kandidimi i Sali Berishës
Edhe nëse Ligji 138/2015 do të ndalonte zgjedhjen e drejtuesve të partive politike që janë dënuar penalisht (gjë që nuk e bën), në këtë ligj nuk janë përfshirë nenet 25 e 325 me të cilët është dënuar Ervin Salianji. Por, nëse kupola e PD-së do të zbatonte këtë ligj, duhet të ndalojë kandidimin e Sali Berishës, sepse në pikat 1 e 2 të nenit 1 përcaktohet se ndalohet kandidimi, emërimi dhe zgjedhja e personave që janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është me masë sigurie “Detyrim paraqitje” dhe është dënuar 3 herë për shpifje me vendime gjyqësore penale të formës së prerë.
Por rikandidimin e Sali Berishës për kryetar e ndalon edhe neni 46 i “Ligjit” të PD-së, ku thuhet: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, kryetarit i përfundon mandati menjëherë dhe nuk i lejohet rikandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.”
Pra, kemi një kontradiktë të dyfishtë: PD përdor një ligj shtetëror që nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet partiake për të ndaluar Salianjin, por e shkel hapur atë ligj duke lejuar kandidimin e Berishës. Dhe në të njëjtën kohë, shkel edhe statutin e saj, që i ndalon Berishës të rikandidojë. Pyetja është e thjeshtë: A po mbrojnë ata ligjin, apo po e përdorin ligjin si maskë për të mbajtur pushtetin brenda PD-së?/Pamfleti
Lini një Përgjigje