2.7 milionë Euro tender për mirëmbajtjen e gjelbërimit i shkoi kompanisë “Glavenica” e mbështetësve të PS-së, ndërsa në protesta Qosja thërret “poshtë Edi Rama”. Demokratët e Kavajës e akuzojnë për tradhti, por ai zbaton sloganin e Berishës: “Opozitarë, por vëllezër!”
Kryebashkiaku demokrat i Kavajës, Fisnik Qosja, kur flet në protesta, në mbledhjet e SHQUP-it dhe në takime me militantët e partisë në Kavajë, përsërit thirrjet e kryetarit të PD, Sali Berisha, për të përmbysur pushtetin e korruptuar e të kriminalizuar të Edi Ramës. Por në praktikë, Qosja punon për interesat e tij, duke bërë pazare dhe duke firmosur tenderë për kompanitë me pronarë patronazhistët dhe financuesit te fushatave të PS-së.
Gjatë 3 viteve të Fisnik Qosjes në krye të Bashkisë Kavajë, shumica e tenderëve me vlera të mëdha financiare i janë dhënë kompanive me pronarë që mbështesin PS-në, madje pa garë, me kontrata shumë afër fondit limit dhe me paracaktim fituesi.
Sipas njoftimit në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 27 prill 2026, është publikuar tenderi i radhës me objekt “Shërbimi i mirëmbajtjes së gjelbërimit”, me vlerë kontrate 2.7 milionë Euro me TVSH, që kryebashkiaku Qosja ia dha kompanisë “Glavenica” Sh.p.k.

Kjo kompani me qendër aktiviteti në Ballsh është në pronësi familjare të Lavdimir dhe Majlinda Baraj dhe administratore Jona Baraj, mbështetës dhe financues të PS-së, me rol aktiv si patronazhistë gjatë fushatave elektorale.
Për tenderët që u ka dhënë mbështetësve të PS-së, militantët e PD-së në Kavajë po e akuzojnë kryebashkiakun Fisnik Qosja se po “tradhëton” idealin e Sali Berishës. Por faktikisht, me tenderët ai bën pazare që nuk kanë ngjyra partiake, kanë vetëm ngjyrën e parasë. Disa herë, Sali Berisha u ka bërë thirrje kryebashkiakëve përfaqësues të PD-së të mos i binden qeverisë “Rama” dhe të mos favorizojnë me tenderë, ankande e pasuri kompanitë me pronarë që i shërbejnë PS-së. Por kryebashkiaku Fisnik Qosja vazhdon linjën e interesave të tij, duke ndarë llokmat edhe me mbështetës të PS-së; fundja po zbaton sloganin e vjetë të Sali Berishës: “Opozitarë, por vëllezër”.
Demokrati Fisnik Qosja ishte ndër kryebashkiakët e parë që iu bind urdhrit të kryeministrit Edi Rama për projektin “Paketa e maleve”, madje bashkëpunoi aq hapur në shkelje të ligjit, sa fushat, kodrinat dhe bregdetin e zonave të Kavajës i deklaroi si “male”.
Dhe me të drejtë, sepse edhe kompani me pronarë militantë, deputetë, drejtues të PD-së dhe të familjes “Berisha”, prej 13 vitesh në opozitë kanë marrë tenderë, leje ndërtimi, pasuri e koncesione nga pushteti i Edi Ramës.
Por kur një kryebashkiak demokrat u jep tenderë socialistëve, shtrohet pyetja: kush e tradhëtoi kë? Berisha, apo Qosja po tregon se në Shqipëri opozita dhe mazhoranca takohen vetëm në tender?/Pamfleti
Atje ku ka interes kapercehen pengesat..paraja nuk njeh ngjyra, ideologji apo gjera si keto.