Eranda Selmanaj që abuzoi me Frida Krifcën; drejton fondet IPARD në Ministrinë e Bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se ka dorëzuar në Bruksel kërkesën drejtuar Komisionit Europian për zhbllokimin e fondeve bujqësore “IPARD III”, dhe sipas tij, ka marrë garanci se brenda vitit 2026 do të akordohen 146 milionë Euro. Por ministri Salla e di shumë mirë se kjo është e pamundur, sepse BE ka vendosur dy kushte të qarta për zhbllokimin e fondeve:
Së pari, dërgimin para drejtësisë të ish-Drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor- Rural, Frida Krifca, dhe vartësve të saj, të cilët shpërdoruan 132 milionë Euro të programit “IPARD II” në vitet 2017-2021. Së dyti, qeveria shqiptare duhet t'u marrë milionat përfituesve të paligjshëm të fondeve bujqësore dhe t'i rikthejë në buxhetin e Bashkimit Europian.
Por, përveç këtyre dy kushteve që nuk janë plotësuar, ministri Salla i ka bërë një “karshillëk” provokues Komisionit Europian. Sipas informacionit nga Drejtoria e Ndihmës së Huaj në Ministrinë e Financave, e cila bashkëfirmos kërkesat për fonde të BE-së, rezulton se kërkesa për çeljen e fondeve bujqësore drejtuar Komisionit Europian është firmosur nga Eranda Selmanaj, Drejtoresha e Programimit dhe Monitorimit të Fondeve “IPARD” në Ministrinë e Bujqësisë.
Problemi themelor është ky: Në vitet 2017-2021, kur u shpërduruan fondet IPARD-II, Eranda Selmanaj ishte zëvendëse e Frida Krifcës në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor e Rural. Aty ajo ushtronte paralelisht disa detyra: Shefe e vlerësimit të aplikimeve të fermerëve; Drejtoreshë e miratimit të kredive; Shefe e miratimit të pagesave; Shefe e tenderëve dhe auditimit të brendshëm. Me fjalë të tjera, ajo ishe në qendër të të gjitha vendimeve për shpërndarjen e parave.
Pas emërimit si ministre e Bujqësisë, Frida Krifca e emëroi Erandën drejtoreshë të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural me një mision të vetëm: të zhdukte dokumentet komprometuese nga dosjet e shpërndarjes së fondeve bujqësore “IPARD-II”.
E vërteta është se Eranda Selmanaj zhduku dhe dëmtoi shumë dokumente në dosjet e fondeve të BE-së, por ato dokumente ndodheshin edhe në Ministrinë e Bujqësisë, në bankën dhe në Thesarin e Shtetit, ku i gjeti Zyra Europiane Anti-mashtrim (OLAF), e cila bëri kallëzimin në SPAK. Emri i saj është në kallëzimin e OLAF-it dhe ajo është në proces hetimi, me prova si bashkëpunëtore kryesore e Frida Krifcës në shpërdorimin dhe vjedhjen e fondeve bujqësore “IPARD-II”.
Megjithatë, pas shpërdorimit dhe përvetësimit të 132 milionë Euro fonde, Eranda Selmanaj jo vetëm që nuk është larguar, por është emëruar dhe vazhdon të jetë Drejtoreshë e Përgjithshme e Programimit dhe Monitorimit të Fondeve “IPARD” në Ministrinë e Bujqësisë. Dhe tani, ministri Andis Salla i kërkon Komisionit Europian të zhbllokojë fondet “IPARD III” me një shkresë të firmosur pikërisht nga ajo që OLAF pretendon se ka vjedhur fondet e mëparshme.
Ky nuk është thjesht një gabim administrativ. Është një provokim i hapur ndaj Brukselit. Është sikur t’i kërkosh bankës të japë një kredi tjetër, ndërsa i dërgon si garant nënshkrimin e të njëjtit person që akuzohet se ka vjedhur kredinë e parë. Nëse BE-ja e ka bllokuar IPARD-III pikërisht për shkak të korrupsionit në IPARD-II, çfarë sinjali dërgon qeveria shqiptare kur kërkon zhbllokimin me firmën e një personi nën hetim?
Përgjigja është e thjeshtë: Ministri Salla ose nuk e kupton seriozitetin e kushteve të BE-së, ose po luan një lojë të rrezikshme për të fituar kohë dhe për të mbrojtur të pandehurit. Dhe derisa Eranda Selmanaj të përballet me drejtësinë, fondet e IPARD-III do të mbeten të bllokuara, pavarësisht sa kërkesa dërgon ministri./Pamfleti
Lini një Përgjigje