
Ndërsa dhjetëra çështje për shpërdorim detyre mbyllen me vendime, gjyqi ndaj Fatmir Mediut endet prej vitesh mes shtyrjesh, duke ushqyer dyshimin për një tjetër shpëtim me procedurë...
Vetëm gjatë periudhës janar 2025 – mars 2026, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë finalizuar me vendimmarrje 32 procese gjyqësore në shkallë të parë për veprën penale “shpërdorim detyre”, të kryer nga zyrtarë shtetërorë.
Ndërkohë, procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me dy akuza të njëjta penale për çështjen “Gërdeci”; shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre si ministër, në bashkëpunim me subjekt ushtarak komandues, po zvarritet dhe nuk ka asnjë shenjë se kur mund të përfundojë.
Gjatë 5 viteve që prej nisjes së procesit, janë shtyrë 48 seanca gjyqësore ndaj Fatmir Mediut, për rolin e tij në ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec dhe për përgjegjësinë për mungesën e kontrollit mbi kushtet e demontimit, që çuan në shpërthimin tragjik me 26 të vrarë dhe dëme të mëdha në banesa e biznese.
Gjykimi teknik i pasojave njerëzore dhe ekonomike të shpërthimit përfundoi më 12 mars 2012, duke dënuar disa persona. Mes tyre, administratori Mihal Delijorgji u dënua me 6.7 vite burg, por u lirua shpejt për shkak të kohës së paraburgimit.
Ndërsa ish-ministri Fatmir Mediu i shpëtoi gjykimit me pushim të çështjes, pasi Sali Berisha, përmes një manovre me heqje dhe rikthim imuniteti, e bëri sërish deputet dhe ministër të Mjedisit.
Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Përgjithshme zvarriti hetimet deri në shtator 2009, kur Mediu u pajis me imunitet deputeti dhe çështja u pushua proceduralisht.
Procesi ndaj Fatmir Mediut rifilloi si rihetim në janar 2021, por SPAK, në shkelje të afateve të Kodit të Procedurës Penale, e dërgoi dosjen për gjykim vetëm në shkurt 2023, kur u zhvillua edhe seanca e parë gjyqësore.
Zvarritjes së hetimit nga SPAK iu shtua edhe zvarritja e gjykimit nga Gjykata e Posaçme, në bashkëpunim me SPAK-un, ekspertët dhe avokatët e të pandehurit. Vetëm si proces gjyqësor, çështja po zgjat prej 4 vitesh.
Seancat po shtyhen çdo dy javë, me arsye të ndryshme: mungesë të prokurorëve apo gjyqtarëve për “angazhime pune”, mungesë të Fatmir Mediut për “vizita zyrtare” në SHBA, mungesë të avokatëve, ekspertëve apo dëshmitarëve për arsye shëndetësore, si dhe riformulime të akuzës apo manovra të tjera proceduriale.
Prej 5 vitesh, veprimet e SPAK dhe të Gjykatës së Posaçme, në bashkëpunim me palët e përfshira në këtë proces, ngjajnë me një rrotullim të vazhdueshëm rreth së njëjtës pikë: shtyrjen e seancave për të çuar drejt një tjetër mbylljeje proceduriale të çështjes.
Është absurde dhe madje skandaloze për drejtësinë e re që një proces për “shpërdorim detyre” të zgjasë kaq shumë, pa asnjë afat të qartë për përfundimin, ndërkohë që shtyrjet vazhdojnë çdo dy javë me justifikime të ndryshme.
Shpërdorimi i detyrës në rastin e Gërdecit është faktuar që prej 18 vitesh me dokumente zyrtare, të depozituara në dosjet e Ministrisë së Mbrojtjes, në ligjin për kompetencat e ministrit dhe në komunikimet zyrtare, përfshirë takimet me Shkëlzen Berishën.
Megjithatë, edhe institucionet që sot mbajnë “çekanin” e drejtësisë së re duket se janë bërë pjesë e këtij mekanizmi zvarritjeje. Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim administrativ ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë./Pamfleti
Lini një Përgjigje