Provat e një zullumi të derdimenit Ilir Meta, shtuar dosjeve të tjera që SPAK në bashkëveprim me FBI, ka ri-hapur për vjedhjet dhe krimet e tij...
Në SPAK, është depozituar një kallëzim me prova, që zbërthen aktivitetin e një prej grupeve të strukturuara kriminale, në nxjerrjen dhe eksportin e kromit, me qendër në minierat e Hasit, të dirigjuar nga Ilir Meta, bashkë banditë, zyrtarë e krye policë të pushtetit.
Dosjen në SPAK e ka depozituar administratori i kompanisë së kromit “Elidon-06 Sh.p.k”, Mehmet Dauti, ku thuhet se në këtë grup kriminal të kromit, bën pjesë ish-ministri, ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit e ish-Presidenti Ilir Meta.
Në grup me Ilir Metën janë dy vëllezërit indianë Nitin e Chetankumar Sandesara, kunati i tyre indian Promad Kothari, kinezja Linda Song, punonjës të policisë Ilir Qarrri, Nazmi e Shaqir Jahelezi; dhe ish- krye bashkiakët e Hasit, Adem Lala e Bardhyl Peka, Hasan e Selim Neza dhe Ilir Zhilla, ish-Kryetar i Dhomës së Tregtisë e Industrisë.
Këta, në pazar me njëri-tjetrin, iu vërsulën pronarëve të kompanisë “Elidon-06” dhe u rrëmbyen minierat, depozitat e kromit në Durrës e mijëra dollarë, me mashtrime, forcë pushteti, bandash e policie, sulme fizike e arrestime, kur Ilir Meta ishte në pushtet me PD-në e më pas me PS-në.
Pa bërë komente, po publikojmë të plotë, kronologjinë e grupit mafioz të grabitjes dhe eksportit të kromit nga minierat e Hasit:
Më 28 shtator 2009, në Shqipëri erdhi shtetasja kineze Linda Song, me ftesë të kompanisë “Elidon-06”, si bashkë- investuese në minierat e kromit; por policia e Rinasit nuk e lejoi të takohej me pronarët, duke folur në emër të Ilir Metës që kishte 20 ditë në pushtet me PD-në.
Pas 4 orësh izolim në zyrën kontrollit të Rinasit, kinezja Linda Song, nën drejtimin e Shkëlqim Hajdarmatajt shef policie i Rinasit, u dërgua te hotel “Tirana”, e shoqëruar nga makina policie dhe një makinë zyrtare e Ilir Metës si Ministër i Jashtëm e Zv/kryeministër,
ndërsa pronarët e kompanisë “Elidon-06 Sh.p.k” që e shoqëruan deri pranë hotelit; nën presionin e armëve i detyruan të largohen, se kishin porosi nga shteti të siguronin jetën e kinezes.
Pas 4 orësh, disa persona nga ai grup ku ishte dhe ish-drejtori shtetëror i kromit, Eduard Belegu; thirrën administratorin e kompanisë “Elidon-06”, Rexhep Dauti, për takim me kinezen Linda Song te hotel “Tirana”, ku përkthehej në anglisht, por Rexhep Dauti nuk kuptoi dhe e larguan.
Sipas kallëzimit në SPAK, pronari i kompanisë, ka deklaruar se grupi policor ishte hedhur në veprim nga Ilir Meta në atë kohë Ministër i Jashtëm e Zv/kryeministër, nga Avenir Peka, ish-zv/ministër i Brendshëm, nga Flamur Noka deputet e më pas Ministër i Brendshëm, nga Bardhyl Peka ish-Kryetar Bashkie i Hasit dhe kunati i tij Besnik Istrefi, biznesmen kromi.
Kallëzimi vazhdon edhe me këtë fakt: si bizneswoman e fuqishme në Kinë, Linda Song kërkoi mendim te ambasada shqiptare atje, ku ambasador ishte Maxhun Peka, i cili vuri në dijeni mikun e tij Ilir Meta, të krijonin lidhje me të në biznesin e kromit.
Me 3 mars 2010, kur pa që krerët e shtetit, politikanët dhe policia ndërhynin në investimet e krimit, Linda Song u largua nga Shqipëria, duke lënë si përfaqësues kinezin William Chiu, i cili filloi të blinte krom nga kompania “Elidon Sh.p.k”.
Më 22 mars 2010, në Tiranë u rrëmbye dhe u zhduk Eduard Belegu, drejtori shtetëror i kromit, i pazarxhiu i Ilir Metës në biznesin e kromit, të cilin e kandidoi për deputet të LSI në Pogradec.
Pas një vizite në zyrën e Ilir Metës në muajin maj 2010, kinezi u kërkoi pronarëve të kompanisë “Elidon Sh.p.k”, të bashkëpunonin në nxjerrjen e kromit me 2 vëllezërit indianë Nitin e Chetankumar Sandesara dhe kunatin e tyre indian Promad Kothari, duke u dhënë garanci aktiviteti në Shqipëri.
Pasi erdhën në Shqipëri, indianët kryen një takim në muajin tetor 2010 me Ilir Metën, që në atë kohë ishte Zv/kryemininistër dhe Ministër i Ekonomisë, Energjisë e Tregtisë; pas të cilit, i kërkuan kompanisë “Elidon-06”, që investimin dhe ortakërinë e tyre ta miratonte Ilir Zhilla, në atë kohë Kryetar i Dhomës së Tregti-Industrisë.
Por Ilir Zhilla dha pëlqimin, duke kërkuar 15% të aksioneve në biznesin e kromit me firmën “Ciceroni” të regjistruar në emër të djalit Arbër Zhilla; kusht i detyrueshëm që u zbatua për të mos bllokuar investimet e bëra, duke ndarë aksionet kështu: 65% indianët me firmën “Kothari Thermoplast Limited”; 20% “Elidon-06 Sh.p.k” dhe 15% firma “Ciceroni Sh.p.k”e Ilir Zhillës.
Të tre, krijuan firmën “Indo Albanian Mininig” me drejtor indianët e Ilir Metës; ndërsa në emër të saj, morën tokë me qira në Marikaj, për depozitimin e kromit që eksportonin nga Durrësi.
Më pas, Ilir Zhilla, njofton pronarin e firmës “Elidon-06 Sh.p.k”, se do bënin një takim në Has me Kryetarin e Bashkisë, Bardhyl Peka, për investimin në fabrikës së kromit, që do ndërtohej në tokën e ortakëve Rexhep e Mehmet Dauti, por kryetari Peka vuri kushtin, që jepej leja e ndërtimit vetëm në tokën dhe administrimin e kunatit të tij Besnik Istrefi, biznesmen kromi.
Pas tre ditësh, Ilir Zhilla, indianët dhe kinezi, të shoqëruar nga policia me urdhër nga zv/ministri Avenir Peka, grabitën afro 500 ton krom që ishte në Marikaj e në pronësi të kompanisë “Elidon-06 Sh.p.k” dhe e shitën në Portin e Durrësit.
Pas grabitjes së kromit dhe 486 mijë USD në llogarinë e përbashkët, indianët u bashkuan me kinezin dhe krijuan kompaninë “Sara Albania”, me administrator Fatos Kërçiku, në atë kohë ambasador i Shqipërisë në New Dehli- Indi, i emëruar nga Ilir Meta në gusht 2010.
Saktësojmë, që dy vëllezërve indianë, Ilir Meta u dha shtetësinë shqiptare dhe njërin prej tyre e bëri “Konsull Nderi të Shqipërisë” në Nigeri; ndërsa kinezen e kromit Linda Song e bëri “Ambasadore Nderi” të LSI; e cila, në tetor 2018 mundësoi dhe financoi vizitën partiake të Monika Kryemadhit në Kinë./Pamfleti

Lini një Përgjigje