TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë10 Nëntor 2025, 13:45

Elbasani, qyteti i drejtorëve “të paprekshëm”: Kraja dhe Tabaku, nën hetim nga SPAK vazhdojnë të abuzojnë me fondet publike

Shkruar nga Pamfleti

Elbasani, qyteti i drejtorëve “të paprekshëm”: Kraja

Leli Kaja, drejtor i Landfillit dhe me 5 dosje për korrupsion e abuzim detyre, dhe Luan Tabaku, drejtor i Ujësjellësit, i hetuar nga SPAK për lidhje me bandat, vijojnë të mbajnë postet drejtuese në administratën publike të Elbasanit.

Në raportet e drejtësisë shqiptare për “luftën kundër korrupsionit”, Elbasani renditet si një nga qytetet me më shumë zyrtarë të hetuar. Por dy prej tyre, Leli Kaja dhe Luan Tabaku, jo vetëm që janë nën hetim nga Prokuroria dhe SPAK, por vazhdojnë të jenë në detyrë. Njëri me pesë dosje për abuzime në ndërtim dhe landfill, tjetri i lidhur me bandat dhe tenderët e ujësjellësit. Asnjëri nuk është ndëshkuar.

Në qendër të Shqipërisë, Elbasani është kthyer në një paradoks të drejtësisë shqiptare: një qytet ku drejtuesit nën hetim nga SPAK dhe Prokuroria lokale jo vetëm që nuk shkarkohen, por vazhdojnë të administrojnë miliona euro fonde publike.

Rasti i parë: Leli Kaja, drejtori me pesë dosje në Prokurorinë e Elbasanit

Prej pesë vitesh, Leli Kaja, aktualisht drejtor i Landfillit Rajonal “ECO ELB”, është subjekt i pesë dosjeve hetimore.
Tre prej tyre ndodhen në Prokurorinë e Elbasanit që prej periudhës kur Kaja ishte kryeinspektor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Elbasan (2007–2021).
Ato përfshijnë akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion, ndërtim pa leje, zaptim të hapësirave publike dhe bashkëpunim me bandat lokale.
Pavarësisht këtij bilanci kriminal, më 22 shtator 2022, ai u emërua drejtor i Landfillit, me firmë politike.

Në mars 2024 dhe shkurt 2025, ndaj tij u hapën dy dosje të tjera, një për korrupsion aktiv dhe një për organizim të zjarrvënies së qëllimshme në fushën e mbetjeve për të manipuluar tenderët dhe kontratat e mirëmbajtjes.
Gjatë hetimit, Kaja zhduku serverët e kamerave të Landfillit, fshehu dokumentacionin e tenderëve dhe refuzoi të paraqitej në Prokurori për sqarime.
Pasi u shpall në kërkim më 21 korrik 2025, ai vazhdoi të lëvizte i lirë në Elbasan, të shkonte në zyrë, në selinë e PS-së, në Prefekturë dhe në Polici, pa u arrestuar asnjëherë.
Dosjet e tij janë lënë në heshtje të plotë, ndërsa ai vazhdon të firmosë kontrata publike për mbledhjen dhe menaxhimin e mbetjeve.

Rasti i dytë: Luan Tabaku, drejtori që SPAK e hetoi dhe e la në zyrë

Një tjetër rast skandaloz është ai i Luan Tabakut, drejtorit të Ujësjellësit të Elbasanit.
Tabaku ka dy dosje në Prokurorinë e Elbasanit dhe një tjetër në SPAK, për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në rrjetin e pronave të uzurpuara gjatë kohës që ishte drejtor i Kadastrës.
Në dosjen e SPAK-ut, Tabaku përmendet për bashkëpunim me bandat kriminale.

Më 11 prill 2025, agjentët e BKH ushtruan kontroll në zyrën dhe banesën e Tabakut, ku gjetën dokumente të falsifikuara, dosje tenderësh dhe materiale kadastrale që lidheshin me kompanitë “Bajrami N.” të Nazif Bajramit dhe “MEXWOOD” të Eral Myftarit, dy biznesmenë të përfshirë në kontrata me ujësjellësin.
Pesë ditë më vonë, më 16 prill 2025, Tabaku u thirr në SPAK për t’u marrë në pyetje për provat e gjetura dhe për bisedat në aplikacionin SKY ECC, por që nga ajo ditë dosja e tij është ngrirë.
Asnjë masë sigurie, asnjë pezullim nga detyra, vetëm heshtje.

Burime brenda sistemit thonë se hetimi është politizuar, pasi Tabaku ka lidhje me figura të njohura të PS-së në Elbasan dhe bizneset lokale që financojnë fushatat e partisë.
Për momentin, ai vazhdon të firmosë tenderë të rinj, ndërkohë që është i akuzuar për korrupsion me miliona euro.

Elbasani është bërë simboli i pandëshkueshmërisë lokale:

- Drejtorë të shpallur në kërkim që punojnë normalisht,

- Zyrtarë të hetuar nga SPAK që firmosin kontrata të reja,

- Prokurorë që nuk guxojnë të zbatojnë ligjin.

Kjo është fytyra reale e “sukseseve” që qeveria dhe drejtësia i shesin si luftë kundër korrupsionit, një sistem ku hetimet mbyllen me pazare dhe zyrtarët e korruptuar bëhen më të fortë se ligji./Pamfleti

leli kraja luan tabaku spak

1 Komente

  1. S
    Sofi

    NË Elbasan janë të paprekshëm të gjithë drwjtoreët.Eshtë bërë si qytet debilash.As drejtorët e shkollave kanë nga 13 vjet në detyrë .Janë bërë si pronare çifligjesh.Drejtoresha fyçka të paprekshme. Janë ndërruar nja 5 a 6 ministre drejtoreshat s lujnë nga vendi.Gjithë më të paaftatt janë. Të paktën t ju ndërrojnë vendet se u bënë gropë. O ZOT QYTET I PASHPRESËËËËË

    Lini një Përgjigje