Nga Janullatosi te Joani: Kisha Ortodokse e Shqipërisë midis kombit dhe Athinës
Tridhjetë vite pas ardhjes së Anastas Janullatosit, kisha shqiptare vazhdon të përballet me trashëgiminë e koncesionit politik që e lidhi me Athinën dhe me tensionin mes besimit, kombit dhe ndikimit grek.
Ekzistenca e Anastas Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka qenë që në fillim një koncesion politik ndaj Athinës.
Një marrëveshje e pashkruar, e bërë në emër të stabilitetit, që në fakt i ka kushtuar shumë Shqipërisë, vetë kishës, komunitetit ortodoks dhe gjithë shoqërisë shqiptare.
Në vend që të sillte bashkim shpirtëror, ajo krijoi një varësi politike nga Greqia, duke lënë në hije misionin kombëtar të ortodoksisë shqiptare.
Për tridhjetë vjet, elita politike shqiptare, nga e majta në të djathtë, ka heshtur për këtë kompromis.
Asnjë nuk ka guxuar të hapë debatin mbi faktin se kisha shqiptare u vendos nën drejtimin e një kleriku të dërguar nga Athina, në kundërshtim me frymën e Autoqefalisë që Theofan Noli e pagëzoi me shqipen e tij të shenjtë.
Kisha u zvarrit midis fesë dhe politikës, ndërsa ortodoksët shqiptarë ndiheshin më shumë si subjekt i ndikimit grek sesa si pjesë e një kishe që predikon në gjuhën e tyre.
Janullatosi e përdori pozicionin e tij shpesh si mjet diplomatik të Greqisë, duke bekuar politikanë e figura që mbanin ende në duar flamujt e “Vorio Epirit”.
Kjo plagë historike; një prift që predikonte në greqisht, pa ditur asnjë fjalë shqip, që takonte dhe bekonte ekstremistë që mallkonin Shqipërinë, e përçmoi autoqefalinë dhe rrënoi besimin e sinqertë të shumë ortodoksëve shqiptarë.
Tani që në krye të Kishës është Fatmir Pelushi, i njohur me emrin kishtar Joani, situata duhej të ndryshonte.
Joani u prezantua si kthim në tabanin kombëtar, si një klerik që fliste shqip dhe shfaqej në publik si fanolist, si njeri që synonte të restaurojë frymën e Nolit.
Por veprimet e tij kanë treguar se trashëgimia e Janullatosit nuk është shuar, vetëm është maskuar me një fjalor patriotik për konsum publik.
Takimi i Joanit me Fredi Belerin, simbol i axhendës së “Vorio Epirit” dhe sot eurodeputet i Greqisë, ishte një shenjë e qartë se politika e vjetër e varësisë nuk ka marrë fund.
Beleri, i dënuar për blerje votash, që akuzon Shqipërinë për “shtypje të minoritetit grek”, u trajtua si mik shpirtëror nga kreu i ri i kishës shqiptare.
Një gjest që e tradhton fjalën e tij për “kthim kombëtar” dhe e kthen Joanin në një rekuizitë të politikës greke në Tiranë.
Kjo nuk ka të bëjë me besimin, por me dinjitetin kombëtar të kishës shqiptare, që s’mund të udhëhiqet nga njerëz që i japin legjitimitet politik “kuajve të Trojës”.
Joani mund të ketë detyrime shpirtërore ndaj parardhësit të tij, që pritet ta shpallin “shenjt”, por nuk mund të vazhdojë të bëjë politikë në shërbim të Greqisë, ndërsa flet për patriotizëm.
Nëse ai dëshiron ta ndjekë besnikërisht rrugën e Janullatosit, le ta pranojë hapur: se është zbatues i porosive të shefit të tij shpirtëror, jo pasues i Nolit e Luarasit.
Sepse përndryshe, çdo përbetim “kombëtarist” i tij është një maskë e re e revanshizmit të vjetër grek, që ortodoksët shqiptarë e kanë njohur mirë dhe e kanë refuzuar me dhimbje.
Koha e koncesioneve fetare e politike ka mbaruar.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk i përket as Athinës, as Tiranës, por besimtarëve shqiptarë që luten në gjuhën e tyre.
Nëse Fatmir Pelushi do të vazhdojë të jetë pjesë e enturazhit të “Vorio Epirit”, historia do ta trajtojë ashtu si ata që helmuan Petro Luarasin dhe ndaluan fjalën e Zotit në shqip.
Dhe në këtë rast, do të ketë të njëjtin fat dhe të njëjtin mallkim./Pamfleti
SERIOZISHT KENI MENDU SE ATE JOANI DO TE NDRYSHONTE POLITIKEN E KISHES ORTODOKSE.JU KUJTOHET BESOJ QE ANASTASI U VARROS NE SHQIPERI.ATHERE E DINI BESOJ EDHE AMANETIN E ATIJ QE KERKOI TI LIDHNIN NJE LITAR NE QAFE DHE TA LININ LITARIN JASHTE VARRIT.E PRA SI MENDONI QE JOANI NUK ESHTE I LIDHUR ME LITARIN E ANASTASIT
Të quaj ashtu si quan ti veten,njeri që e ke nxjerrë emrin tënd në ankand! Vetëm dyshime dhe teori komploti!??? Vetëm besimtar nuk mund të jesh ti
Kisha jonë ortodokse nuk ka përse të ketë komplekse në lidhje me Greqinë apo greqizmat Pikërisht sepse është autoqefale dhe kombëtare shqiptare. Fobitë se çoç do na bëjë kisha greke kanë perënduar me kohë,prandaj kjo kishë,KOASH, duhet mbështetur dhe zhvilluar. Ja p.sh. nuk kishte gjë më të bukur sesa kur në kishën e Shën Triadhës në Korçë,familje të ndryshme korçare kishin investuar në ikonat e shenjtorëve të ndryshëm në atë kishë. Këtë të bëjnë ortodoksët dhe jo të mbeten me ndrojtjen nga hija e greqizmës Tani është pikërisht koha që KOASH të rritet dhe të krijojë brezat e peshkopëve dhe priftërinjve që do shërbejnë anembanë vendit