TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë17 Dhjetor 2023, 12:41

“Eja Lali, kape Lali, bravo Lali”!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
“Eja Lali, kape Lali, bravo Lali”!
Erion Veliaj /

Ky ende fluturon nëpër të përpjeta me takime në Amerikë, atje ku hajdutët e tjerë, edhe Babloku vetë, nuk ka siguri territoriale të luajë me shastisjen e vet si dikur...

Altin Dumani ka rënë në hall me Lali Erin. As nuk e lidh në kunj të drejtësisë, dhe as nuk ja zgjidh nga qafa zinxhirin që i kanë lidhur fshatarët dhe nuk e lëshojnë, deri sa të vijë ta marrë xhaxhi gjykatësi e ta çojë atje ku duhet, para transparencës së pasurive e pas mureve të burgut.
Fshat e bidat, themi këtej.
Jo vetëm Altin Dumanit, por edhe Arben Krajës e Adriatik Llallës, u është dashur të sillen mirë e të jetojnë krejt si kafshët e korrupsionit.
Në grackat e mundësive kanë rënë të tërë.
Ja, të gjykojmë si para Shën Pjetrit, edhe për të thënë, ç’ju duhet kaq shumë pasuri?!
Alexandër Arvizu, megjithëse erdhi me thupër, u dorëzua para krimbave që gërryejnë sistemin e fshihen zgavrave të pushtetit, me aq vrima, sa as Djalli nuk u bllokon dot daljet.
Sapo u ndjenë keq, në tre vjet, krimbat u bënë peshq.
I pari nisi Ilir Meta me parti.
Secili krimb i gëmushave të fshatit, porositi stomak floriri, e të gjithë bashkë, në tufa të mëdha, nisën performancën me supremacinë e peshqve që notojnë përpjetë, kundër rrjedhës.
Pasuritë tona ikën, mësynë BE-në dhe Amerikën.
Tërë zyrtarët, krimba apo peshq, kishin dhe kanë rrugë të lirë hapësirave ku fshehin ushqimin për pjellat që do të lënë pas.
Më gjeni sot ca ish- zyrtarë që nuk ikën në Amerikë e na lanë shëndenë, para se të arrestohen si shpërdorues të pasurive publike, apo nga këta që i kemi sot zyrave, që nuk u janë krijuar hapësirat që të na thonë, na rruani leshtë, nëse nuk marrin siguri se do bëjnë burg sa një pushim tek dajat, e të mos u preken shumica e pasurive?!
Ish ministrit Lefter Koka, ju sekuestrua vetëm shtampa me verë në Shkozet dhe ju prenë dhjetë rrënjë hardhi në Hamallaj të Durrësit, apo jo, se ashtu i premtoi Babloku kur i tha në telefon, i hipa avionit e ika në Amerikë miku, nëse nuk më lehtëson?
Mos i dëgjoni zorrët bosh një çast, sa të qeshim me këta palaçot e cirkut kinez që na sillen nëpër këmbë herë si krimba, herë si peshq torollakë e herë si zagarë.
Në ditën që ambasadori Donal Lu, zuri një hu në gardhin e Edi Ramës, për ti trembur peshqit drejt rrjetës amerikane, të gjithë u shndërruan në qen, apo jam gabim?!
Që të mos bëjmë gabim, as në drejtshkrim, le t’i japim një “dekoratë” ambasadores Yuri Kim.
Që qentë të mos shndërrohen në ujqër, e treta ambasadore amerikane që jetoi mirë mes kafshëve, u kujdes me këshilla se është më mirë që hajdutët e pa besë këtej, të trajtohen disa si kafshë shtëpiake, disa si rrugaçë e disa si qen birë qensh, por gjithsesi miqësisht, me ushqim të pakët që në zemërim të kafshojnë njëri-tjetrin.
Ata që besojnë se qeni i druhet shkopit, le ta parkojnë pak dyshimin tek tre racat e veçanta të gadishulli ballkanik.
Sali Berisha i hëngri shkopin ambasadores Yuri Kim, dhe po të sillej këtej David Kostelançik, do ja hante edhe atij; Ilir Meta hëngri shkopin e floririt në Krrabë dhe Edi Rama i theu shkopin në kokë kreut të FBI-së Charles McGonigal, sa u bë Gogoli i demokratëve në Shtëpinë e Bardhë që ende nxjerr tym të zi nga djegia e mbeturinave shqiptaro-amerikane e ruso-kineze e është normale të na serviren ca kinezërira për korrupsionin e shekullit.

Në sheshin e fshatit, sot “leh” vetëm njëri.
Ky ende mban leksione në televizionet e veta, ky ende u “leh” Saliut, Ilirit e ka filluar edhe Bablokut, ky ende kafshon sa tek inceneratorët, Ndrangheta e Fondacioni Soros, ky ende fluturon nëpër të përpjeta me takime në Amerikë, atje ku hajdutët e tjerë, edhe Babloku vetë, nuk siguron siguri territoriale të luajë me shastisjen e vet si dikur, eja Edi, kape Edi, bravo Edi!
Pas vizitës së fundit në Amerikë, SPAK-u hapte sytë ta shohë në fotografi me ambasadoren Yuri Kim, por Lali Eri, postoi për fshatarët foto me një Gjel Deti në Peqin.
Teorikisht, në çdo rrugicë të fshatit, ky udhëtim vlerësohet keq, praktikisht, në çdo qelizë të ideve tona, gjurmët që lë pas, janë e mira që nuk i mbyllet dot dera, por që do e çojnë me patjetër Altin Dumanin tek “lepuri” që ka dalë nga shkurret e vrapon mes germave të klishesë; Yuri Kim ç’kodon mesazhin; “Eja Lali, kape Lali, bravo Lali”!/Pamfleti

erion veliaj altin dumani spak inceneratorët

Lini një Përgjigje