Mësohet se ndaj Berishës kërkohet të ndryshohet masa e sigurisë nga ajo e detyrimit me paraqitje në arrest me burg ose arrest shtëpie.
Prokuroria e Posaçme ka çuar në Kuvendin e Shqipërisë një shkresë ku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Mësohet se ndaj Berishës kërkohet të ndryshohet masa e sigurisë nga ajo e detyrimit me paraqitje në arrest me burg ose arrest shtëpie.
Akuzat e ngritura ndaj tij lidhen me privatizimin e ish-kompleksit Partizani më shumë se një dekadë më parë.
Aktualisht në arrest shtëpie është bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme dhe më pas u lirua nga Gjykata e Apelit. Atij i janë bllokuar edhe 25 pasuri.
SPAK-u i ka caktuar ish-kryeministrit masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Megjithatë Sali Berisha ka refuzuar që prej fillimit paraqitjen në Gjykatë. Berisha nuk është paraqitur në gjykatë në tri datat e caktuara 6 nëntor, 20 nëntor dhe 4 dhjetor.
Në njoftimin e SPAK sqarohet se si kryeministër Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij.
Po ashtu, sipas SPAK, ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Sali Berisha, i ka cilësuar akuzat ndaj tij si “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

Lini një Përgjigje