TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë14 Dhjetor 2023, 17:33

Yuri Kim “tradhton” Lali Erin, tërbohen “ushtarët” e SPAK-ut

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Yuri Kim “tradhton” Lali Erin, tërbohen
Yuri Kim dhe Erion Veliaj

Për të lehtësuar pak zhvillimet në SPAK, duhet të lajmërojmë fshatarët, se radha për në burg është me detyrim e përcaktim dhe dosja Rama-McGonigal është e përmasave të Uotergejt-it...

Erion Veliaj është Peshku i tretë i madh pas Sali Berishës dhe Ilir Metës që do t’i nënshtrohet si ‘një e një bëjnë dy’, transparencës së pasurisë, ndaj edhe janë “çmendur” milionerët dhe “ushtarët” e SPAK-ut, që kërkojnë vrima të vogla të fshehin vila e pasuri dhe shkarkojnë “karikatorët” mbi mbeturinat që hedh Edi Rama në koshat e plehrave të Monika Kryemadhit.

Plaga e korrupsionit 33 vjeçar, që kishte shpënë në shtrat të vdekjes viktimat dhe i kishte mbyllur vrimat për rrezet e drejtësisë, sapo zemërimi i fshatarëve vuri në radhë ‘Peshqit e Mëdhenj’, ka ngacmuar dritën e ndërgjegjes artistike të lakuriqësisë së ndërlikuar të Lali Erit, figurës së vetme në Kështjellën e Krimit, që deri më sot, nuk ja kishte brejtur krimbi “kallirin” e Ndranghetës, por fluturonte në Amerikë si Ylberi që lidh Tiranën me Uashingtonin.

Në Uashington Lali Eri është zhgënjyer...

Meleku i vdekjes, që ka hyrë si hije në shpirtin e tij të keq, po e torturon para se ta ngordhë. I qëndron afër kudo, edhe në Amerikë, ku e ndjente veten të fuqishëm e me miq.

Por edhe atje koha ka ndryshuar.

 Republikanët, me të cilët kemi kontakte dhe informacione të detajuara, janë të vendosur ta shkatrrojnë mafien përfundimisht, të lexojnë emrat e 4 Klaneve Mafioze në regjistrin e ambasadorit Donald Lu, që dikush i ka fshirë me gomë kineze nga databasa e ambasadës amerikane dhe dosjet e drejtësisë, t’i shkulin rrënjët të keqes që ka qelbur dynjanë.

Pra, edhe Lali Erin, të gjithë miqtë e kanë braktisur.

Shqiptarët që e njohin për hajdut, ju larguan sapo zbriti ditët e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar, duke i karikuar dhimje emocionale.

Jashtë nuk e prisnin as mafiozët e Charles McGonigal, as Alexandër Soros, as patronazhistët që dikur i kishte pajisur me viza amerikane për të fshehur pasuritë e shqiptarëve, duke inskenuar diferencime shoqërore në sportelet e ambasadës, siç i vizatonte Babloku në fushata elektorale, për t’i reklamuar si presion mbi votuesit, në shërbim të mafies qeverisëse.

Dulla ynë i vogël, pasardhës i Dullës së madh, ngado rrotullohej, bindej se miqtë i kishin kthyer shpinën.

Me kurriz nga të gjithë, përballë dosjes së trashë të inceneratorëvë dhe kullave gjigante të Ndranghetës, por edhe si mik i Charles McGonigal, as zëri i ambasadores Yuri Kim nuk kapej nga valët e celularit të Lali Erit, pasi era e qelbur ka ngjallur neveri në botën e autoboteve amerikanë, që këtej në Ballkan, sapo nisën të shpërndajnë drejtësi.

Kështu të vjen fundi Lali, nuk vlejnë fiqtë për miqtë.

Nëse e ke harruar, po ta kujtojmë figurë, ambasadori Donald Lu e ka dhënë një leksion në fshatin tonë, “Askush nuk të jep një kafe pa interes”.

Interesi i ambasadores Yuri Kim nuk ekziston më, si dikur që shijonte kërcimet nga një “varkë” në tjetrën për të përcaktuar vendet ku notojnë ‘Peshqit e Mëdhenj’, prandaj të la si kakareç poshtë fikut të Bablokut e nuk të hapi as telefonin, ndoshta me justifikimin, se axhenda e saj është tepër e ngarkuar.

Për të lehtësuar pak zhvillimet në SPAK, duhet të lajmërojmë fshatarët, se radha për në burg është me detyrim e përcaktim dhe dosja Rama-McGonigal është e përmasave të Uotergejt-it.

Lali Eri do të ecë me hap rreshtor drejt burgut.

Përpara ka Saliun dhe Ilirin, kurse mbrapa, Bablokun.

Bashkimi përfaqësues i përqafimeve ëndërrimtare për mbrojtje nga hetimi, vërtetë është bërë bozë, por ani, s’ka gjë.

Duke qënë të ndershëm në tregun e zi mediatik, dimë me detaje jo vetëm objektivat e republikanëve në Shtëpinë e Bardhë, por edhe shijet e fshatarëve tanë që po lëpijnë buzët edhe në “bozën” dhe “dozën” që ofrojmë nën etiketën origjinale; Yuri Kim “tradhton” Lali Erin, tërbohen “ushtarët” e SPAK-ut!/Pamfleti

 

lali eri yuri kim ushtarët e spak

Lini një Përgjigje