TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë20 Prill 2024, 10:31

Diplomatët perëndimorë u zgjuan me molotov!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Diplomatët perëndimorë u zgjuan me molotov!
Molotov në derë të Bashkisë /

Edhe pse Perëndia i fal mëkatet nëpër demonstrime të dhunshme për shuarje urie, logjika është për të zbutur tensionet sociale mes shtresave shumë të varfra e shumë të pasura...

Na u trembën diplomatët perëndimor nga molotovi i opozitës në derë të bashkisë së Tiranës.

U zgjuan nga “gjumi” të molisur, fërkuan sytë, dolën nga moli ku kishin ankoruar heshtjen, dhe pasi u siguruan se hajdutët janë të sigurt, se nuk i ka kapur flaka e benzinës, lëshuan tubat e ujit me presion mbi flakët e zjarrin.

Mirë bënë që na recituan vjershën e bukur për fëmijë, se  “E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët.”

Të mos kishim këtë zgjim, “Kali i Tojës” mund të bënte namin.

Do të binte Troja e Tiranës, me Bashki, Prokurori e Qeveri sot, jo nesër. Do të dëmtoheshin hajdutët e ngopur e do të vinin ca hajdutë të uritur.

Kjo dredhi, do i interesonte të parit Edi Ramës, pasi do të shkonim urgjent në zgjedhje të parakohshme, e barkthatët prapë do e shitnin votën e do vazhdonim edhe katër vjet të tjera po më këta hajdutë e po me këta molotovistë.

Edhe pse Perëndia i fal mëkatet nëpër demonstrime të dhunshme për shuarje urie, logjika është për të zbutur tensionet sociale mes shtresave shumë të varfra e shumë të pasura.

Po pse nuk dolën diplomatët në krah të viktimave?!

Kjo pyetje, bie në boshllëk.

Për asistencë, më shumë nevojë kanë të sëmurët se sa nevojtarët.

Bablokut i ka rënë kolera, kurse nevojtarët duhet të presin pranverën tjetër, siç kanë pritur prej 11 vitesh.

Mbase, deri atëherë edhe diplomatët perëndimorë nuk do të lodrojnë nëpër kakofoni deklaratash, sa merr 30 fjalë skip tek Prezenca e OSB-së dhe i vendos në cilindo dispeçer diplomatik, për t’i përzier e nxjerrë të njëjtën metaforë

Gjithsesi, deri atëherë, ambasadat amerikane e britanike, Prezencat e BE-së dhe OSBE-së, do të mësohen me flakë e krisma, do të detyrohen nga presioni i publikut t’ua kërcasin shigjetën në ballë 4 Klaneve Mafioze, dhe ne, nuk do ta mprehim lajmin në flamur të sarkazmës, se diplomatët perëndimorë u zgjuan me molotov./Pamfleti

diplomatët perëndimorë molotov

Lini një Përgjigje