Edhe Dumani ecën me “shkop” në dorë, duke prekur vendin që të mos bjerë në gropë të Bablokut...
Ambasada amerikane ka ndërhyrë në konfliktin e “armatosur” politik mes Ilir Metës dhe Altin Dumanit në momentin e duhur apo të gabuar?
Jemi në vitin e shtatë të luftës së drejtësisë me mafien shtetërore, dhe deri në këtë moment, as edhe një qeveritar apo politikan i lartë në detyrë, nuk është akuzuar nga SPAK-u.
Edhe viktimat në tërheqje, pasi këputin “dardha” e “mollë” dhe i bëjnë resorte, makina luksoze e dëngje dollarësh, i largon vetë Babloku, sa për të krijuar imazhin se po humbet ca “ushtarë”.
SPAK-u, i “mjekon” me kujdes, me akuzat idiote “shpërdorim detyre”, dhe nuk u ka sekuestruar pasuritë, apo nuk është kështu?!
Shembuj të gjallë janë Ilir Beqja, Olta Xhaçka dhe Frida Krifca.
Edhe tre sheikët, miq të “armëve” të Ilir Metës, ishin në reagimin “nervor” të të dërguarit me punë të SHBA-ve David Wisner, kur gjuajti direkt me proverbin “keqqeverisja duhet luftuar”.
Po kush e joshi Davidin në përvojën e urtësisë sonë, se po, prej vitesh qeverisemi shumë keq, dhe taksat e shqiptarëve dhe amerikanëve, nuk mund të vidhen kaq publikisht?!
Mediat që avullojnë para krimi, po përpiqen ta latojnë lajmin si tra për stanet e veta, sikur po ndodh ajo që nuk jep rezultat, pra i vetmi hajdut antiamerikan na qenka Ilir Meta.
Meta, është vetëm njëri nga 4 Peshqit e Mëdhenj, dhe ne na lind i shëndetshëm besimi, se mesazhi i Shtëpisë së Bardhë, është më i bardhë se kaq.
Pak më thellë, nxjerr kokën edhe dyshimi, se edhe Altin Dumani e Ilir Meta janë bashkë.
Pse e vendosim këtë lajm të zi pas të bardhit?
Sepse, dritat e pasurisë së gjithë zyrtarëve dhe politikanëve, lëshojnë rreze verbuese në çdo dritare të fshatarëve, sa edhe prokurori special, ngjan i qorruar në njërin sy.
Edhe me syrin tjetër, shikon dobët, aq sa Edi Rama i duket si Lefter Koka.
Dumani ecën me “shkop” në dorë, duke prekur vendin që të mos bjerë në gropë të Bablokut.
E megjithatë u fut në betejën politike.
Në vend të arrestojë bosët që i kanë pasuritë ngado, e pranoi ndeshjen ‘trup më trup’ me njërin ndër më të akuzuarit për korrupsion, duke na kthyer në kohët e lashta të Adriatik Llallës.
Edhe Llalla, shtirej sikur luftën e ka me Ilir Metën, ndaj jemi këtu ku jemi.
Pas betejave dështake me bosët e krimit, fshatarët me të drejtë pyesin, more, mirë tanët se hajdutë e antiamerikanë ishin dhe janë, po ky David Wisner hyri në luftë “trup më trup” me Ilir Metën apo me korrupsionin?!/Pamfleti
Lini një Përgjigje