
Teksa Rama flet për ndryshime kushttuese dhe Berisha vijon lojën, PS e PD kanë arritur pazarin për reformën territoriale. Radhën më pas do ta ketë drejtësia...
Edi Rama hodhi dje në publik idenë e ndryshimit të Kushtetutës. Ide kjo që ka qarkulluar prej kohësh, por kreu i qeverisë duket se tani do të testojë opinionin publik. Rama u kujdes të shprehej se qëllimi do të jetë për të rrudhur numrin e deputetëve, por me atë rast mund të shihen dhe elemente të tjera.
“Kështu që duhet ngritur një grup, që pastaj të hap një proces. Natyrisht, është shumë më tepër sesa një reformë zgjedhore apo një reformë administrativo-territoriale, kështu që kërkon shumë më tepër hapësirë, angazhim, burime e të tjera e të tjera. Por duhet nisur kjo punë. Duhet nisur kjo punë, ambicia jonë duhet të jetë që në fund të mandatit ne të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, tha Rama dje.
Por që të ndryshohet Kushtetuta duhet padyshim vota e opozitës. Rama ka vetëm 83 mandate dhe sado të përpiqet nuk i bën dot 84 vota. Por edhe sikur ta arrijë, ndryshimet kushtetuese nuk mund të kalojnë pa konsensus të gjerë.
Mirëpo sa herë që përmendet Kushtetuta, mendja të shkon te viti 2008, aty ku u bë pazari i madh Rama-Berisha dhe ne vuajmë ende sot pasojat.
Sot Berisha u pyet nëse do të bashkëpunojë me Edi Ramën. Por teksa lideri i PD vijon dhe flet për qeveri teknike dhe se nuk ka pazar me Ramën, realiteti është ndryshe.
Sipas informacioneve, socialistët dhe demokratët kanë arritur një dakordësi paraprake për reformën territoriale, ndonëse ka ngecur procesi pas përplasjeve për Avokatin e Popullit. Ndonëse PS gjithmonë ka mbështetur idenë për të reduktuar numrin e bashkive në vend, palët kanë gjetur dakordësinë për të rritur numrin e tyre, nga 61 aktualisht në mbi 90 të tilla, por me kompetenca më të cunguara.
Sipas kësaj dakordësie paraprake, socialistët kanë pranuar rritjen e numrit të bashkive me kushtin që ato të kenë kompetenca më të reduktuara fokusuar vetëm te çështjet e administrimit të qytetit, ndërsa kompetencat e mëdha do t’i kalojnë qarqeve, të cilat mund të ndryshojnë emër, me opsionin që mund të quhen superbashki. Qarqet sipas propozimit do të drejtohen nga të zgjedhur vendor, të cilët do të kenë kompetencë jo vetëm financat e territorit që do të administrojnë, por edhe politikat dhe strategjitë e zhvillimit. Kryetari dhe Këshilli i Qarkut do të duhet të zgjidhen direkt nga qytetarët me votë.
Nga ana tjetër PS pritet të bëjë lëshime edhe te Kodi Zgjedhor dhe të gjitha këto në këmbim të votës së PD për të ndërhyrë te Kushtetuta. Kohë më parë edhe vetë Berisha ka sinjalizuar se është dakord që të rrudhet numri i deputetëve, ndonëse ka hedhur idenë e krijimit të dy dhomave. Pra duket se pazari i parë është që Rama-Berisha të ruajnë status quonë dhe të zhdukin partitë e vogla.
Por teksa plani i parë është reforma zgjedhore, frika është se mund të preket drejtësia. Padyshim nëse ndërhyhet në kushtetutë, do të preken të gjitha nenet që mendohet se duhet të ndryshohen, përtej numrit të deputetëve. Pasi ndërhyrjet në Kushtetutë nuk mund të bëhen përditë. Frika është se Rama-Berisha mund të tentojnë të prekin nenet e reformës në drejtësi dhe veçanërisht SPAK, pse jo duke rrudhur kompetencat e kësaj të fundit. Pazari tjetër i madh do të jetë me Kodin Penal, ku ka sinjale se mud të kemi “dekriminalizim” të “shpërdorimit të detyrës”.
Pra e sigurt është se deri para zgjedhjes së Endri Shabanit Avokat Populli palët kanë negociuar dhe kanë arritur disa marrëveshje. Ndërkohë dje doli Rama dhe foli për ndryshime kushtetuese, pa pasur votat. Nga ana tjetër drejtësia është bërë makth për të dyja palët dhe nuk është çudi që të shkohet te pazari i madh që mamuthët e korrupsionit të shpëtojnë veten. /Pamfleti
Du hetuat korupsjoni por nuk do jete bashke