Këta që po marshojnë drejt pushtetit të nesërm, janë ata, hajdutët e djeshëm...
Hajdutët më të famshëm, po lëvizin si hije drejt 11 majit, ditës ku horoskopi shkruan fatin e 4 viteve të arshshme të qeverisjes.
Në njërën anë të monedhës, e shohin Amerikën si dashnoren besnike të Mafies Ballkanike, që mund t’u ofrojë edhe 4 vjet në hotelin luksoz; në anën tjetër lexojnë furtunë të fuqishme mbi malet e mbuluara me mjergull.
Mjerisht, gjuha e mëndafshtë e SPAK-ut deri pak ditë më parë, është mpirë për fare.
Lëviz dyshimi si hije në sfond të ironisë, se po, Amerika, me heshtjen për gjithë këta kriminelë që mund të jenë ligjvënës pas 11 majit, mund të jetë njëkohësisht heroi me kalë të bardhë që siguron edhe spakistët me mëkate shumë, edhe dragoi që u fryn flakëve për të ndezur zjarrin e drejtësisë që mafia e shuan me ujë Surreli.
Sido është “gjella”, kjo shije, u pëlqen të gjithëve.
Ndonjë kafshim i porositur si mënu e mafies, nuk është asgjë më shumë se një, dy, ose tre hapa pas e aktorëve të ritualit të panikut, që sa herë zbrapsen, marrin hov e sulmojnë më egërsisht viktimat e tyre.
I kanë edukuar hajdutët e vegjël të pranojnë pak izolim, pasi e keqja nuk ka fund, e më e zeza, fshihet tek më e bardha: shpresa.
Diku në trupin e shpresës, zhvillohet edhe frika.
Frikacaku nuk del me armë ‘ballë për ballë’ sot, por punën e bën. Nga frika e vet, nuk matet dy herë. Nesti Angoni për shëmbull, një frikacak që fshihet nëpër valixhe të ca prokurorëve milionerë, e ka mbushur koburen dhe po ndjek shumë piratë të fshatit.
Ata që gëzohen kur qëllon mirë Nesti, e shohin si miratim hyjnor sjelljen e hajdutëve rreth shpresës së vetme për të shpëtuar nga vetja, pasi spiuni anonim, di gjithshka di Babloku, e këtu dyshimi bëhet më i frikshëm, mos është vetë ky që vjedh ç’i duhet e ndëshkon kë të dojë?!
Njëra ndër shoqet e shumta të Edi Ramës, që ka blerë diplomë në Harvard nga interneti, ka kaluar në opozitë pranë koshave të mbeturinave dhe prej aty, pret bileta për në burg, duke lexuar në derë të SPAK-ut tituj nga novelat e mbretërisë së Aleks Sorosit.
Nëse nuk zemëroheni, edhe Fatmir Mediu, e ka mbërthyer shpirtin e kohës dhe e ka sistemuar në laborator të mafies.
I dënuar me burg të pashlyer, nën akuzë për 26 të vrarë e 290 të plagosur, i damkosur si kriminel që falsifikoi etiketat e plumbave kinezë për të vrarë edhe ushtarë amerikanë, sot u shfaqet shqiptarëve si kirurgu që vjen me bisturi amerikane për të tredhur tumorin në banesën e “terrorit politik”.
Metastazat nëpër qelizat kancerogjene të trupit të diplomacisë, po na shfaqen si shkencë e kopjuar nga koha kur Charles McGonigal bënte mësuesin e fshatit tonë, dhe Babloku ynë, tymin e djegies së shtetit, e mbështillte me çarçaf patriotik.
Pra, këta që po marshojnë drejt pushtetit të nesërm, janë ata, hajdutët e djeshëm.
Të tërë janë një substancë, kanë të njëjtin zhvillim e ndjeshmëri dhe, aty ku kanë shpresën, kanë edhe frikën, tek Amerika./Pamfleti
Lini një Përgjigje