Mazhoranca ka kyçur në sirtar kërkesat e SPAK. Asnjë adresim për ndryshimet ligjore dhe ulje të kallëzimeve...
Politika ka rrethuar Prokurorinë e Posaçme. Ndonëse si Rama, ashtu dhe Berisha me Metën kanë ulur dozën e sulmeve ndaj organit antikorrupsion, në fakt në prapaskenë stërkëmbëshat po vijojnë. Alarmi është dhënë nga vetë SPAK, në raportin vjetor të vitit që lamë pas.
Kryeministri del e na mburret se pa të nuk do të kishte SPAK dhe reformë në drejtësi, por në fakt realiteti është ndryshe. Babloku e ka lënë në mëshirë të fatit Prokurorinë e Posaçme.
Prej më shumë se 2 vitesh, SPAK ka kërkuar ndryshime ligjore që të përcaktohet qartë statusi i prokurove, nëse do u lejohet e drejta e rikandimit pas 9 viteve a jo. Por kjo kërkesë ka mbetur në sirtar dhe në raport SPAK ka kërkuar që politika ta ndajë ‘shapin nga sheqeri’.
“Problem mbetet vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK”, thuhet në raport.
Vijimi i mos adresimit të akordimit të këshilltarëve ligjor pranë Prokurorisë së Posaçme është tjetër problematikë, e cila nuk adresohet nga Parlamenti.
“Cilësojmë në mënyrë të përsëritur se, mungesa e këtij standardi burimi njerëzor vë në vështirësi cilësinë e hetimit dhe prapësimeve të SPAK në ndjekjen e çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit dhe në Gjykatën Kushtetuese”, thekson SPAK.
Vijon ende të ngelet problem numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, përfshirë policinë e shtetit në lidhje me veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra organet shtetërore po e sabatojnë SPAK-un.
Sipas SPAK shqetësi është kompetenca lëndore e Gjykatave të Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimit penal për subjektet e posaçme sipas parashikimeve të nenit 135, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 75/a, të Kodit të Procedurës Penale. Aktualisht këto kërkesa shqyrtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm penal.
Pra janë një sërë ndryshimesh ligjore që i takojnë mazhorancës t’i kryejë. Deri më sot ato janë lënë në harresë dhe pavarësisht se Rama na mburret se e mbron SPAK, në fakt po e saboton. /Pamfleti
Lini një Përgjigje