Fytyra e rezistencës së mafies, po lahet me ujë nga fati i Fatmirit...
Ambasada Amerikane në Tiranë, i la pa frymë hajdutët e fshatit tonë, 3 ditë më parë. Jo vetëm abuzuesve që shkelin ligjin, por edhe zyrtarëve të korruptuar apo cilido nën hetim dhe të dyshuar në afera, jo vetëm i pezullohet viza, por edhe kthehet si Çeçua në Shqipëri.
Kjo deklaratë, u vlerësua si lulja magjike në dimrin më të egër politik të pranverës së 34-të, pas Saliut të parë të shekullit të kaluar.
Dekorin e kësaj skene simpatike, fatkeqësisht, e shëmtoi një harresë momentale.
Të nesërmen, Fatmir Mediu, ‘flakë për flakë’ me flakadanin amerikan, shtyu me ironi Altin Dumanin, shpërfilli gjyqin e radhës ku prej vitesh përballet me akuzën për vrasjen e 26 personave dhe plagosjen e 290 të tjerëve në tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008 dhe fluturoi drej Uashingtonit.
Fasada diplomatike, nga një harresë e vogël, ndryshoi ngjyrat origjinale, ndoshta e ngatërruar nëpër emrat serial të statujave të korrupsionit.
Fatmiri ynë, që shqiptarët e duan në burg, deklaron botërisht, se është i ftuar nga Kongresi Amerikan për punë të rëndësishme nga data 24 mars deri më 1 prill, në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo njollë e zezë, nëse ambasada nuk e kthen urgjent, gëzon gjithë kriminelët e fshatit dhe hillëron gjithë shqiptarët e ndershëm që besojnë tek Amerika dhe drejtësia.
Hajdutëve, por edhe ca segmenteve brenda drejtësisë, justifikimi i Fatmirit se ka ca punë të rëndësishme në Kongresin Amerikan, u jep shpresë për të sfiduar deklaratën e Ambasadës Amerikane në tregun e lirë, ku kriminelët dhe hajdutët që kanë fshehur pasuri në Amerikë, mund të jenë ende të lirë.
Fytyra e rezistencës së mafies, po lahet me ujë nga fati i Fatmirit.
Pra, jo vetëm milioner Fatmiri, por gjithë hijet e zeza të fshatit tonë në formën e pazëshme, kënaqen dhe synojnë se kështu si ky, do të munden edhe ata ta mbysin zërin, se doganat në Amerikë nuk janë shosha me vrima që lëshojnë poshtë miell të pa justifikuar, edhe pse nuk mund të ngjajë kështu.
Në rastin konkret, nëse ambasada e ka harruar, e kemi detyrë profesionale t’ja kujtojmë.
Tek dërrasa e dyshimit, nuk duam të shkelim, pasi kemi mjaft kalbësira nëpër këmbë e këpucët na vrasin nga mbeturinat.
Edhe perëndeshën e ligjit dhe rendit hyjnor Themis, një tjetër Fatmir, Babloku i Surrelit, e ka gjymtuar.
Drejtësia tashmë nuk është e verbër.
Çdo prokur, hetues apo gjykatës, duhet të shikojë me një sy dhe në një drejtim, nga të fortët. Vetëm njëri prej tyre, Altin Dumani, mban shpatën e Skënderbeut për vendimmarrjet edhe të atyre që kanë humbur njërin sy në betejat me Sali Berishën dhe Ilir Metën, edhe të këtyre që duhet ta përshtatin pamjen me errësirën ku vazhdojnë plaçkitin piratët e Edi Ramës.
Në fund të këtij udhëtimi, na duhet ta mbathim gomarin me patkonjtë tanë, që pankarta të marrë kuptimin se Ambasada Amerikane ka harruar Fatmir Mediun, e duhet ta kthejë urgjentisht, pasi akuzohet për hajdutëri dhe vrasje.
Ka gjyq me datën 7 prill, e nëse kthehet, s’ka më justifikime se e mbron Amerika, por atë ditë, Cezarit do fillohet t’i i jept çka i takon Cezarit.
Sa pasuri e krime ka ky, nuk jemi të saktë, por që gjykata e Apelit të Milanos më 23 prill 2000 e ka dënuar me burg 4 vite e 6 muaj për përkrahje të personave të inkriminuar, saktësisht mbështetje të personave të përfshirë në veprimtari kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafik droge, është fakt.
Klikojeni vetëm në Google, dhe mësoni se dënimi pas procedurës me gjykim të shkurtuar, ka zbritur në 3 vite burg.
Vërtetë dënimin e ka të pashlyer jo si Fatmir Mediu, por si Fatmir Mehdihoxha, por ama, hoxha i fshatit tonë, ka qitapë, se në janar të vitit 2005 edhe në Amerikë ka udhëtuar me emrin Fatmir Mehdihoxha.
Pa pyetur, more aman, me shenjat e gishtave si i bën magjitë Fatmir Medihaxha Mediu, le të mbetemi sot vetëm tek dyshimi se nuk ka ngjarë diçka që çuditë, por thjesht, Ambasada Amerikane e ka harruar Fatmir Mediun./Pamfleti
Lini një Përgjigje