TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë17 Korrik 2024, 09:35

Altin Dumani me “helmetë” amerikane

Shkruar nga Sokol Pepushaj

  

Altin Dumani me “helmetë” amerikane
Altin Dumani /

Altin Dumani do të duhej të kishte arrestuar Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, të kishte nën akuzë të gjithë ish kryeministrat, ish presidentët, ish politikanët dhe ish zyrtarët e 34 viteve të fundit, por ende çfarë duhet bërë, nuk është bërë...

Po të kish ndodhur kështu, sot drejtësia nuk do të dilte edhe në komunikime publike me “helmetë” amerikane që të mos ja bëjnë kokën vrima- vrima Fatmir  Xhafaj, Monika Kryemadhi dhe Flamur Noka, që janë si njëri si tjetri, këta e të tjerët, hajdutë.

Ju e patë, ç’goditje mori Dumani nga ca hajdutë të Saliut në Parlament.

Dumani nuk ka faj fare se shfaqet kudo me më të paktën dy fytyra.

Mbështetja amerikane në njërën anë, dhe ryshfeti i ca prokurorëve në anën tjetër, sa Ilir Beqja arrin mbyll me qetësi dhe dashurinë e adashit Ilir Meta skandalet më paradoksale që kush vjedh shumë ndëshkohet më pak, dhe kush vjedh pak, ndëshkohet sa për t’u hedhur hi syve ndërkombëtarëve, është parodia e paradës së politikave paralele të specialistëve të sfidave me sfond shifrat.

Ju që i njihni pengesat e rrjedhjes së ujërave, njihni edhe veset e peshqve.

Këta peshqit e Saliut, Altin Dumanit ja kanë ngrënë grepat, e ta bëjnë pistil të lulishtes me gjemba të Edi Ramës.

Pra, nëse në zgjedhjet e pranverës fiton opozita, pas 12 vitesh hajdutëri të Qeverisë, Dumanit do ja thyejnë edhe “helmetën” amerikane, edhe kokën shqiptare.

Do e çojnë pas hekurave si kriminel që ka penguar drejtësinë.

Po Edi Rama pse nuk e kërcënon drejtësinë laramane si Opozita, pyesin shumë shqiptarë?!

Babloku nuk e ndjen të nevojshme të godasë me “grusht” çdo mur që i del para syve, se kokën e ka me ca bedunica që ja ka shpuar McGonigal, me ca gunga nga ca bastarllëqe të vëlla Olsit me drogë e lojëra fati, dhe me disa kërshëri krehje bankash, nga gruaja që hapësirën e jetës bashkëshortore, e ka shndërruar në grurë.

Kali në lëmë është Altin Dumani.

E zuri Yuri Kim dhe me hosten e nisi drejt Saliut që e mori veten shpejt. Sot ja këndon suret çdo natë nga kati i shtatë, e njerëzia gajaset me gomarlliqet e asqerëve që asgjësojnë asgjënë.

Altin mavria rri pas avllisë e nuk e merr vesh ç’bëhet pas bedenave të Bablokut.

Me veshët pipëz, se mos ja shkulë Edi Rama, na del në shfaqjet publike me “helmetë” amerikane.

Edhe Presidenti Donald Trump, kishte mburojë, ditën që ja kafshoi veshin plumbi i tradhtisë.

Kriminelët e njerëzimit, korrupsioni apo varfëria, Mafia apo Edi Rama, nuk hanë pykë, nuk luajnë nga llogorja e llogaritjeve të shkencëtarit Skënder Gjinushi, se rrota e fatit sjell në pushtet atë që vjedh më bukur.

Për fat Altin Dumani i kishte veshët me vete atë ditë që opozita e gjuajti me grushte turinjve, dhe amerikanët as u ndjenë, as ua ndjeu prapanica për këto prapaskena perandorake.

Drejtësia është në rrezik.

Më të besueshmin, Altin Dumanin, opozita e pështyn në surrat, kurse Edi Rama i shkul veshët si maçokut kur prek peshkun pa lejen e të zotit!/Pamfleti

altin dumani helmeta amerikane

Lini një Përgjigje

Dosja e zezë