Po miq, me Non- Gratat është bërë biznes i madh, sa edhe “Shtëpia e Bardhë” ja ka nxirë faqen shtetit tonë të “konservuar” në dosjen Rama- McGonigal, për t’u qëndruar shekujve si arti unik i unazës urbane...
Mirë bëri Amerika që shpiku togfjalëshin Non-Grata.
Ndryshe, si do trëmbeshin burrat e fortë të Botës së krimit për ca kohë?
Fillimisht, efektin e dha për të madh e të vogël...
Fëmijët e fshatit tonë, atë ditë që na erdhën katër copë mandata, me “Gogolin” e përrallave të frikshme filluan të luajnë si me Spider Man-ët e SPAK-ut.
U strukën të frikësuar pas të rriturve.
-E ka “kafshuar” xhaxhi Sali, teta Kimeten?! Po 3 Non Gratat e tjerë pse nuk shihen në televizion? Mos vijnë natën na hanë edhe ne?! -ishin pytjet me breshëri që të rriturit duhej t’u përgjigjeshin të vegjëlve.
Sapo fëmijëve u shpjegohej se Non- Grata do të thotë “jo i mirëseardhur” dhe kjo është vetëm për Saliun që “ha njerëz”, se ata tre tjerët janë të butë dhe rrinë afër Edi Ramës e hanë vetëm dollarë, ata trembeshin edhe më shumë.
Secili vogëlush numëronte paratë në bark të arushit apo qenushit të vet.
Rendi “numëror rreshtor”, i vuri në rresht të vegjël e të mëdhenj, të numërojnë pasuritë e veta.
U hap lajmi, se FBI po numëron pallate e krevate, resorte e lulishte, hotele, ora, bizhuteri, makina, para nëpër banka e Parajsa Fiskale dhe u krijua bindja se secili zyrtar që ka vjedhur, ka bërë miliona dollarë, është “jo i mirëseardhur”, njëlloj si Non- Gratat?!
Non Grata u bë “vaksinë”, si ajo e Covidit.
Non- Grata bëri “reaksion”.
Na doli se secili shqiptar, nëse i rrimë korrekt termit “jo i mirëseardhur”, ose është, ose ka qënë Non- Grata diku ndonjëherë.
Pra, secili u bë si secili, sa filluan të thonë, larg nga unë “Non Grata”!
Shqiptarët nisën të ngushëllohen, tek e fundit, këta Non-Gratat e rrezikshëm, qeveritarët, prokurorët, deputetët, zyrtarët, nuk u shkojnë në shtëpi, prandaj shqiptarëve shumë shpejt nisi të mos u rr*het se cilin përzgjedh Amerika si “jo të mirëseardhur”.
Secili i vuri shenj Non-Grata’s së vet.
Edhe Saliu vetë, doli e numëroi Non- Gratat e tij.
Filluan dyshimet, se kjo puna e Non-Grata’s është lojë.
Bëheshin foto, se edhe Amerika vetë, jo me të gjithë hajdutët është e rreptë.
U mbushën rrjetet sociale me idenë se të tërë hajdutë janë, se me rroga e djersë nuk ka milionerë dhe Amerika nuk po e vë ujin në zjarr të dalë një shpallje, se “kushdo që është i akuzuar, është Non- Grata”.
Por Amerika e ka studiuar mirë efektin e Non- Grata’s.
U ka mbyllur derën vetëm katër personave nga fisi i mafies, kurse pjesën tjetër të shqiptarëve, atyre që nuk i japin votën bandës socialiste, e ka në qitap Përbindëshi i Perandorisë së Pazareve të Pista.
Pse Edi Rama i shpall ‘Non- Grata’t, pyet ti, që të pyeta më lart, po ti, a je Non- Grata?!
Po miq, me Non- Gratat është bërë biznes i madh, sa edhe “Shtëpia e Bardhë” ja ka nxirë faqen shtetit tonë të “konservuar” në dosjen Rama- McGonigal, për t’u qëndruar shekujve si arti unik i unazës urbane.
Urë-kalimi për në “parcelën” tonë, ku jemi “të mirëseardhur”, është i ndërtuar prej pasqyrash.
Ngado shikon “jo i mirëseardhur”.
Ata të Amerikës e kanë mes vetes gjurmën.
Kudo ngatërrohen në ndarje polaçke, i ngërdhuzen njëri-tjetrit, “mbylle gojën palaço, po ti, a je Non- Grata”?
Ne na ngelet të flasim vetëm për këta që do të votojnë nën presionin e krye hajdutit.
Shkurt e shqip, mos u shit.
Bëje votën gur e thyeja kokën fajtorit, cilido qoftë ai.
Bëju trim, sapo ta kesh pyetur veten, se mos je Non- Grata pikërisht nga ai që të ka vjedhur?!
Jo për tjetër, por se gjithmonë, ai që ke afër, ta futë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje