
Një grup eurodeputetësh i kanë dërguar një letër zyrtarëve të KE-së dhe BE-së duke i kërkuar që të mos njohin rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.
Eurodeputetët kërkojnë një hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare, provinciale dhe lokale serbe që ishin nën kujdesin e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian.
Letrën e kanë shkruar anëtarët e Parlamentit Evropian nga Partia Popullore Evropiane, të Gjelbrit dhe Social Demokratët, të cilët ia dërguan Presidentit të Komisionit Evropian, Komisionerit për Zgjerimin dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikat e Integrimit dhe Sigurisë.
Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu që rezultatet e zgjedhjeve të mos njihen derisa të kryhet një hetim i plotë dhe i pavarur.
“Ne mbetemi në mbështetje të qytetarëve të Serbisë që po protestojnë për mundësinë e tyre për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht, akuzat e rënda lidhur me zgjedhjet e fundit nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe e cenojnë këtë qëllim”, thuhet në letrën e eurodeputetëve.
Në letër thuhet se disa nga gjetjet përfshijnë akuza për blerje votash, abuzim me fondet publike, nënshkrime të falsifikuara të mbështetjes në listat zgjedhore, ndikim joproporcional të qeverisë në media, manipulime serioze dhe të planifikuara mirë të listës së votuesve dhe migrim të votuesve, duke përfshirë edhe vendet fqinje, si dhe presionin ndaj përfituesve të ndihmës sociale dhe punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore për të votuar për partinë në pushtet për të mbajtur vendet e punës dhe përfitimet e tyre.
“Disa misione vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore kanë arritur në përfundimin se zgjedhjet në Serbi nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme dhe kanë gjetur dëshmi për parregullsi dhe mashtrime të hapura zgjedhore. Misioni vëzhgues i KRRT-së ka shprehur shqetësim edhe për zgjedhjet lokale në qytetin e Beogradit”, përfundon letra e eurodeputetëve.
Lini një Përgjigje