
Një bos famëkeq i mafies, i cili u arratis nga një burg i sigurisë së lartë në Itali vitin e kaluar duke përdorur çarçafë, është kapur sërish në Francë, sipas autoriteteve në të dy vendet.
Sipas mediave të huaja, Marco Raduano, i njohur si një kriminel i rrezikshëm në listën e Europolit për më të kërkuarit në Evropë, u kap në Bastia, në ishullin francez të Korsikës, thanë autoritetet të premten.
40-vjeçari nga qyteti bregdetar i Adriatikut, Vieste, në shkurt të vitit 2023 kishte arritur të dilte nga burgu i sigurisë së lartë të Nuoro, në Sardenjë, duke përdorur metodën tradicionale të çarçafëve të lidhur me nyje për të zbritur nga muret.
Matteo Piantedosi, ministri i brendshëm italian, deklaroi se bashkëpunëtori i Raduanos, Gianluigi Troiano, u arrestua gjithashtu pranë Granadës në Spanjë, duke shënuar “një tjetër goditje të rëndësishme për krimin e organizuar”.
Raduano është kreu i klanit Gargano, që vepron brenda “mafias së pestë”, një sindikatë kriminale relativisht e panjohur me bazë në Foggia, një provincë jugore në Pulia të Italisë. Ai po vuante një dënim me 24 vjet burg për krime të ndryshme, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe shumë vepra të tjera, raportoi Europol.
Europol tha se ai ishte figura kryesore në grup dhe një vrasës i pamëshirshëm, përgjegjës për kryerjen e vrasjeve, trafikut të drogës dhe zhvatjes.
Krahas Cosa Nostra-s në Siçili, Ndrangheta në Kalabri, Camorra në Napoli dhe Sacra Corona Unita, hetuesit kanë identifikuar në vitet e fundit organizatën kriminale me bazë në Pulia, e cila ishte kryesisht nën radar, si mafia e pestë.
Sipas prokurorëve, bëhet fjalë për një mafia të karakterizuar nga një shkallë e lartë agresioni dhe dhune, “që çonte kufomat tek derrat për të mos lënë gjurmë. Një mafie e paparashikueshme në veprimet e saj dhe për këtë arsye e rrezikshme”, thanë autoritetet.
Mafia në provincën Foggia u shfaq në fund të viteve 1970, kur kreu i mafies napolitane dhe themeluesi i Kamorrës së Organizuar të Re, Raffaele Cutolo, takoi një delegacion kriminelësh vendas në Pulia me qëllim që t’i “punësonte” ata në organizatën e tij dhe të zgjeronte ndikimin e tij në tregtinë kontrabandë të cigareve në Ballkan.
Megjithatë, plani i Cutolo-s dështoi pak më vonë, për shkak të një lufte të brendshme nga e cila një klan doli fitues dhe gradualisht filloi të depërtonte në zona të tjera të Pulias.
Mafia e Foggia besohet se ka vrarë mbi 360 njerëz vetëm në zonën e Gargano, me 80% të vrasjeve ende të pazbardhura./TheGuardian
Lini një Përgjigje