
Email-et e zbuluara midis Ždanoka dhe 2 agjentëve rusë, përfshijnë raporte të hapura dhe të detajuara nga Ždanoka për eprorët e saj. Ato përshkruajnë punën e saj si ligjvënëse evropiane, sidomos mbi detyrat zyrtare që lidhen me nxitjen e ndjenjës pro-Kremlinit në rajonin e saj të lindjes në Batik.
Tatjana Ždanoka, deputete letoneze në Parlamentin Evropian, ka qenë një bashkëpunëtore e besueshme e shërbimit sekret rus të paktën që prej vitit 2005. Kjo është zbuluar nga portali The Insider në bashkëpunim me faqen e lajmeve Delfi Estonia, qendrën e gazetarisë investigative të Letonisë “Re:Baltica” dhe gazetën suedeze “Expressen”.
Email-et e zbuluara midis Ždanoka dhe 2 agjentëve rusë, përfshijnë raporte të hapura dhe të detajuara nga Ždanoka për eprorët e saj. Ato përshkruajnë punën e saj si ligjvënëse evropiane, sidomos mbi detyrat zyrtare që lidhen me nxitjen e ndjenjës pro-Kremlinit në rajonin e saj të lindjes në Batik.
Korrespondenca tjetër që zotërohet nga ne përfshin organizimin e takimeve fizike në Moskë apo Bruksel midis Ždanoka dhe agjentit rus, së bashku me kërkesat për financim nga burime ruse për të siguruar aktivitetet e saj politike në Letoni dhe Parlamentin Evropian. Të paktën një herë ajo kërkoi para për organizimin e një mitingu për të përkujtuar fitoren e Ushtrisë së Kuqe në Luftën e Dytë Botërore.
Në një përgjigje të dërguar me e-mail për “The Insider”, Ždanoka tha:“S’mund ta konsideroj këtë tekst si pyetje që më bëhet, pasi ai bazohet në informacione që supozohet se i keni dhe që ligjërisht nuk duhet t'i keni”. Ne kemi konfirmuar se 2 kontaktet e Ždanoka kanë qenë oficerë të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), agjencia pasardhëse e KGB-së së epokës sovjetike.
Sipas e-maileve, oficeri i saj i parë i rastit ishte një veteran i FSB-së nga drejtoria qendrore e Shën Petersburgut, Dmitry Gladey, 74 vjeç. Ai e ka udhëzuar Ždanoka përafërsisht nga viti 2004 deri në vitin 2013. Më pas, Ždanoka ishte në kontakt të rregullt me Sergei Beltyukov, një operativ FSB që nga viti 1993.
Ždanoka theksoi më tej për “The Insider” se ka takuar “mijëra njerëz”, dhe nuk mban mend askënd me emrin Beltyukov. Kjo sepse ky i fundit komunikonte me të duke përdorur emrin e rremë “Sergey Krasin”. Ndërkohë konfirmoi se e njihte Gladey-n prej dekada, pasi u takuan në fillim të viteve 1970 në një resort turistik në Kaukazin e Veriut, ku ata po mësonin të bënin ski.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk e dinte që Gladley është një spiun rus. “Të vetmit njerëz me të cilët jam ulur në të njëjtën tryezë dhe me sigurinë se ata ishin oficerë të FSB-së ruse, janë Vladimir Putin dhe Sergei Naryshkin”- tha Ždanoka. (Naryshkin është kreu aktual i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), pasardhësja e Drejtorisë së Parë të KGB-së.)
Alice Bah Kuhnke, eurodeputete nga Partia e Gjelbër e Suedisë dhe ish-Ministre e Kulturës në Stokholm, është sot nënkryetare e të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Evropiane, së cilës i përkiste Zhdanoka deri në prillin e vitit 2022. Kuhnke tha se lajmi mbi spiunazhin e Ždanoka-s është i tmerrshëm por jo befasues.
“Tek e fundit, si parlamentare ne të dyja marrim raporte të vazhdueshme në Parlamentin Evropian. Dhe unë e di, që kur isha ministre në qeverinë suedeze, se si funksionojnë agjentët e Rusisë dhe Putinit. Ata kanë kudo rrjetet e tyre”, thotë ajo.
Ndërkohë në një koment për “The Insider”, politikania gjermane dhe ish-deputetja Rebecca Harms, që ka qenë drejtuese e grupit të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Evropiane në Parlamentin Evropian në vitet 2010-2016, tha: “Një nga dështimet e mia si bashkë-kryetare e aleancës ishte se nuk arrita të bindja të Gjelbrit dhe eurodeputetët e EFA se mbështetja e dukshme e Ždanoka për Putinin dhe Asadin (referendumin e paligjshëm në Krime, bombardimin e Aleppos, aktivitetet në Parlamentin Evropian me nacionalistët rusët), ishin tërësisht të papranueshme për një anëtar të fraksionit të të Gjelbërve/EFA. Në këtë rast, grupi im nuk më besoi mua dhe ‘rusofobinë’ time por anëtaren e një partie të financuar nga Putin, një eurodeputete që ka mbështetur vazhdimisht diktatorët, krimet e luftës dhe krimet kundër ligjit ndërkombëtar.”
Ashtu si afro çereku i popullsisë së Letonisë, Ždanoka është me origjinë ruse. Familja e saj u zhvendos në Letoni, vend që u aneksua ilegalisht nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940, në mesin e Luftës së Dytë Botërore. Ajo mori nënshtetësinë letoneze në vitin 1996, 5 vjet pasi shteti baltik rifitoi pavarësinë e plotë nga Moska.
Pavarësisht se mban një pasaportë të tillë, Ždanoka e ka ndërtuar karrierën duke kundërshtuar ekzistencën e Letonisë si një vend sovran. Ajo ka mbështetur hapur fqinjin lindor të Letonisë, Rusinë, së bashku me përpjekjet e mirë-dokumentuara dhe të vazhdueshme të Moskës për të ndërhyrë në Baltik.
Në vitin 2009, Këshilli Bashkiak i Moskës dërgoi në Riga diplomatin rus Georgy Muradov. Vizita e tij përkoi me përgatitjet për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të atij viti. Aktivitetet në kryeqytetin letonez përfshinin lobimin rek rusët etnikë për të votuar për Ždanoka, madje edhe duke shpërndarë zarfe me para për veteranët rusë të Luftës së Dytë Botërore për të nxitur mbështetjen e tyre.
Sot Muradov shërben si nënkryetar i Rossotrudnichestvo në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Zyrtarisht, ky organ shërben si krahu kulturor i Ministrisë së Jashtme ruse. Ndërsa jo zyrtarisht, të paktën sipas shërbimeve sekrete të Perëndimit, ajo nuk është një degë e spiunazhit rus.
Sipas një burimi nga shërbimet perëndimore, vetë Muradov është spiun. Të dhënat tregojnë disa lidhje midis “diplomatit” dhe FSB-së, duke përfshirë adresën e tij të banimit - Michurinsky Prospect 29/1, e cila ndodhet në një bllok ndërtesash shumëkatëshe në Moskë, dhe apartamentesh të banuara kryesisht nga FSB, dhe më pak nga oficerët e SVR.
Në vitin 2014, Ždanoka shkoi në Krime si një “vëzhguese ndërkombëtare” në referendumin e paligjshëm që hapi rrugën për aneksimin e paligjshëm të gadishullit ukrainas nga Rusia. Në këtë kohë, vetë Muradov ishte vendosur në Krime, dhe ishte përfaqësues i Krimesë së pushtuar në Kremlin.
Dy vjet më vonë, në vitin 2016, Ždanoka udhëtoi për në Siri, ku zhvilloi bisedime me diktatorin Bashar Al-Assad. Në kohën e vizitës së eurodeputetit në Damask, Rusia po mbështeste ushtarakisht regjimin e Asadit në luftën e tij për mbijetesë kundër forcave rebele të mbështetura nga Perëndimi.
Parlamenti Evropian refuzoi të paguante koston e udhëtimit të eurodeputetes letoneze, pasi Assad dhe njerëzit e tij ishin nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Dhe më 2 mars 2022, Ždanoka ishte në mesin e vetëm 13 eurodeputetëve që votuan kundër rezolutës së Parlamentit Evropian që dënonte pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Puna sekrete e Ždanoka në emër të shërbimit sekret rus, plotëson në një masë të madhe politikën e jashtme ruse. Eurodeputetja nga Letonia dënon vazhdimisht 3 vendet baltike për keqtrajtimin e supozuar të pakicave të tyre të konsiderueshme etnike ruse.
Një nga temat kryesore e fushatës së saj në Parlamentin Evropian është “persekutimi” i gjuhës ruse nga Letonia. Në marsin e vitit 2015, ajo mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga organizata “Letonia pa nazizëm”, e bashkë-themeluar nga Ždanoka në Belgjikë. Kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Letonisë, Normunds Mežviets, tha se aktiviteti ishte financuar nga Kremlini dhe që kapte shifrën 25.000 euro. “Është shumë e qartë se këta njerëz po përmbushin interesat e Rusisë”- tha Mežviets në atë kohë.
Përveç udhëtimit në Krimenë e kontrolluar nga Rusia, Ždanoka organizoi më 26 qershor një dëgjesë publik në Parlamentin Evropian. Tema ishte përgjigja e autoriteteve estoneze ndaj protestave të dhunshme në Talin pas zhvendosjes së një monumenti të Luftës së Dytë Botërore të epokës sovjetike.
Po ashtu ajo organizoi një trajnim 3-ditor për organizatat “antifashiste” letoneze dhe estoneze pro-ruse, përfshirë lëvizjen “Night Watch” me qendër në Estoni, e cila u krijua pas largimit të Ushtarit të Bronztë. Harrys Puusepp, Shefi i Byrosë në Shërbimin e Sigurisë së Brendshme, KaPo, në Estoni thotë për “The Insider” se “aktivitetet e Ždanoka në Estoni janë pjesë e një operacioni përçarës të koordinuar nga Kremlini.”/Përshtati “Pamfleti” nga “The Insider”
Lini një Përgjigje