“Problemi është se ata i besojnë Putinit. Dhe kjo është për të ardhur keq.”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaron se Shtetet e Bashkuara kanë injoruar prova bindëse sipas të cilave Rusia ka ndihmuar Iranin në shënjestrimin e bazave amerikane në Lindjen e Mesme, për shkak se “i besojnë” presidentit rus Vladimir Putin.
Këto deklarata ai i bëri në një intervistë për podcastin 'The Rest is Politics', të drejtuar nga Alastair Campbell.
Sipas Zelenskyt, ai ka tentuar të tërheqë vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë mbi bashkëpunimin e ngushtë mes Moskës dhe Teheranit. Ai tha se satelitët ushtarakë rusë kanë fotografuar objekte kritike të infrastrukturës energjetike në shtetet e Gjirit dhe në Izrael, si dhe vendndodhjet e bazave ushtarake amerikane në rajon. Sipas tij, Kremlini i ka kaluar këto të dhëna dhe imazhe regjimit iranian për të lehtësuar sulmet.
“E kam thënë këtë publikisht. A kemi dëgjuar ndonjë reagim nga SHBA ndaj Rusisë që duhet ta ndalojë këtë?” pyeti Zelensky. Ai shtoi: “Problemi është se ata i besojnë Putinit. Dhe kjo është për të ardhur keq.”
Zelensky u shpreh se ekipi i Donald Trump nuk ka arritur të “kuptojë realisht detajet e asaj që kërkon Rusia”.
I pyetur për arsyen, ai tha se dy negociatorët e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë “kaluar shumë kohë” me Putinin dhe zyrtarët e tij të lartë.
Sipas tij, ata kanë udhëtuar pesë herë në Moskë gjatë vitit të kaluar dhe ende nuk kanë vizituar Kievin. Ndërkohë, administrata Trump ka shtuar presionin ndaj Ukrainës për të dorëzuar rajonin lindor të Donbasit, ku zhvillohen luftime intensive. Putin ka sugjeruar se do të pranonte një armëpushim nëse Ukraina heq dorë nga ky territor.
Zelensky theksoi se ai ka një kuptim më të thellë të psikologjisë së liderit rus dhe objektivave reale të luftës sesa Shtëpia e Bardhë. Ai paralajmëroi se Putini nuk do të ndalet nëse merr Donbasin, por do të përpiqet të pushtojë edhe kryeqendrat rajonale si Dnipro dhe Kharkiv.
“Duhet të pranojmë se pjesërisht amerikanët mendojnë se [Donbasi] nuk është diçka e rëndësishme për ne,” tha ai.
“Ata nuk duan të pranojnë se Putini do t’i gënjejë dhe se ai mund të vazhdojë pushtimin edhe pas hapave të tillë. Amerikanët janë të sigurt se mund t’i besojnë Putinit.”
Zelensky e cilësoi gjithashtu si “jo të dobishme” vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, në Budapest për të bërë fushatë për presidentin hungarez Viktor Orbán. Megjithatë, ai theksoi se nuk synon të ndërhyjë në zgjedhjet, duke shtuar se u takon qytetarëve hungarezë të vendosin.
Në fund, presidenti ukrainas theksoi se Europa duhet të rrisë fuqinë e saj në një moment kur SHBA kërcënon të tërhiqet nga NATO. Ai propozoi që Bashkimi Europian të bashkojë forcat me Ukrainën, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Norvegjinë për të krijuar një bllok ushtarak të aftë për të penguar Rusinë.
“Pa Ukrainën dhe Turqinë, Europa nuk do të ketë një ushtri të krahasueshme me atë të Rusisë. Me Ukrainën, Turqinë, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ju do të kontrolloni sigurinë në dete, jo vetëm në një det,” tha ai, duke shtuar se është i bindur që Kievi një ditë do t’i bashkohet Bashkimit Europian.
Ty te ka thene ai qe s'i ke "kartat" ne rregull, rri se do te bombardoj edhw ty.
He mo i shastisur, ta hodhen pepinot! :)