Duket se situata në Serbi është identike me atë në Tiranë. Kryeministri Rama është komod në pushtet pasi ka përballë një opozitë të përçarë, njësoj si në Serbi...
Një pjesë e opozitës serbe, ajo që e quan veten pro-evropiane, i ka dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, një kërkesë për thirrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe të Kuvendit të Qytetit të Beogradit deri në fund të këtij viti. Ndër të tjera ata kërkojnë që këto zgjedhje të ndahen nga zgjedhjet e rregullta krahinore dhe lokale, të cilat duhet të mbahen vitin e ardhshëm.
Një pjesë e opozitës, e cila, siç u tha, qëndron pas protestës "Serbia kundër dhunës" dhe që kërkon që Beogradi të kthehet qartë drejt Evropës dhe të shkëputet nga politika aktuale, janë të pakënaqur sepse sipas tyre "Serbia është në një krizë të thellë sociale, ekonomike dhe politike". Ata theksojnë se kërkesat e protestës “Serbia kundër dhunës” nuk plotësohen prej katër muajsh dhe përmendin një sërë arsyesh të tjera, nga krimi dhe korrupsioni e deri te puna e Organit Rregullativ të Mediave Elektronike (REM).
“Serbia është në një krizë të thellë politike dhe sociale. Dhuna e përditshme institucionale, ligjore, verbale dhe fizike në shoqëri nuk po zvogëlohet, kriza ekonomike dhe sociale prek shtresa të gjera të shoqërisë, kërkesat e qytetarëve që protestojnë janë injoruar prej muajsh. Ne kemi nevojë për njerëz të përgjegjshëm në politikë që do t'i zgjidhin problemet në vend që t'i injorojnë ato", thuhet në letër.
Opozita serbe e pafuqishme përballë Vuçiç
Ndonëse shpesh thoshte se “është i gatshëm të shpallë zgjedhje sa herë që opozita e kërkon”, Vuçiç ende nuk i është përgjigjur qartë kësaj kërkese. Ai vetëm pranoi se ata "kanë dorëzuar një letër" dhe njoftoi se përgjigja do të vinte kur të kthehet nga Kombet e Bashkuara.
Nëse Vuçiç do ta pranojë kërkesën apo jo është njëra pyetje pyetje, ndërsa tjetra është: pse opozita kërkon zgjedhje? A është vetëm sepse duan të shprehin pakënaqësinë me qeverinë aktuale, apo shpresojnë se zgjedhjet mund të ndryshojnë vërtet diçka në Serbinë e sotme?
Bashkëbiseduesit e Al Jazeera-s pajtohen se situata aktuale në Serbi është jashtëzakonisht komplekse dhe e vështirë, por se zgjedhjet e reja ndoshta nuk do të sjellin ndonjë ndryshim epokal. Rade Veljanovski, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, madje mendon se opozita në Serbi nuk është aspak e gatshme për zgjedhje.
“Kam ndjesinë se nuk janë gati– edhe kur i refuzojnë edhe kur i kërkojnë, nuk ka fare rëndësi... Nëse opozita do të pranonte të shkonte në një listë të përbashkët, që unë mendoj se nuk është as logjike dhe as e mirë, madje edhe nëse do të arrinte të zëvendësonte Vuçiçin, do të ishte vetëm një ndryshim i një qeverie në një tjetër, por nuk do të sillte ndryshime serioze që i duhen Serbisë”, thotë Veljanovski.
Nëse flasim për ndryshimin e qeverisë në Serbi, pengesa më e madhe është përçarja e opozitës. Siç tha Veljanovski, ajo është e ndarë në partinë pro-evropiane, mbështetësit e së cilës më së shumti i shohim në protestat në rrugët e Beogradit, dhe partia e bindjeve krejtësisht të kundërta, më agresive se qeveria aktuale.
Zharko Koraç, ish-zëvendëskryeministri i Serbisë në qeverinë e Zoran Gjingjiçit, thotë se një opozitë e tillë nuk është në gjendje të largojë Vuçiçin.
“Që në fillim besoj se opozita duhet së pari të bashkohet në të paktën dy kolona, një pro-evropiane dhe një anti-evropiane, sepse në opozitë kemi parti jashtëzakonisht nacionaliste, madje më shumë se vetë Vuçiçi dhe serbët e tij. Partia Progresive [SNS], e cila haptazi është kundër integrimit evropian. Si mund të shkojnë me parti që nominalisht janë pro integrimit evropian dhe përfshirjes në Bashkimin Evropian?”, pyeti ai.
Edhe pse është i mendimit se në Serbi populli është i “ngopur”, politologu Dushko Radosavljeviç mendon se opozita do të kishte mundësi vetëm nëse do të shtrohej pyetja pro apo kundër Vuçiçit.
I pyetur se pse Vuçiç nuk i përgjigjet kërkesës së opozitës, ai përsëriti qëndrimin e bashkëbiseduesve të tjerë se ndoshta ka presion nga Perëndimi për të zgjidhur çështjen me Kosovën para zgjedhjeve, për të cilën ai u angazhua në Marrëveshjen e Ohrit, raporton "Aljazeera".
Vuçiç njësoj si Rama
Por duket se situata në Serbi është identike me atë në Tiranë. Kryeministri Rama është komod në pushtet pasi ka përballë një opozitë të përçarë, njësoj si në Serbi. Edhe te ne nëse shkohet në zgjedhje opozita nuk mund të fitonte përballë kësaj makinerie qeveritare. Duket sikur Tirana e Beogradi ecin në të njëjtin hap, duke shkuar drejt diktatit absolut të një njeriu të vetëm. /Pamfleti
Lini një Përgjigje