
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka organizuar një antimiting mbrëmjen e sotme, si përgjigje ndaj protestave që kanë mbërthyer vendin.
Tubimin që po mbahet në qendër të Beogradit e ka titulluar: “Ne nuk do të heqim dorë nga Serbia”.
Një flamur i Serbisë, 200 metra i gjatë, është vendosur në Beograd për këtë tubim, i cili pritet të mbahet për tri ditë rresht.
Përveç Vuçiçit, në tubim po marrin pjesë edhe kryeministri në largim, Millosh Vuçeviç, dhe ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç dhe figura të tjera politike.
Qendra e Beogradit u mbyll për trafik më herët gjatë 11 prillit për shkak të tubimit, që është thirrur nga Vuçiçi.
Policia ka dalë në rrugë për të ofruar siguri gjatë tubimit dhe disa qytetarë po i shkruajnë letra Vuçiçit dhe po i bashkohen “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”, thanë gazetarët e Radios Evropa e Lirë që po raportojnë nga terreni.
REL-i bisedoi me qytetarët që po nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në një pikë të ngritur në Beograd, duke i pyetur pse po anëtarësohen në këtë lëvizje të Vuçiçit.
“Sepse e dua Serbinë”, tha Millan Lonçar, duke shtuar se ai nuk është anëtar i partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe, por është mbështetës i Vuçiçit.
Përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi vazhdimisht i kanë cilësuar si “revolucion shumëngjyrësh” protestat që studentët po organizojnë tash e disa muaj.
Ndërkohë autobusët e mbështetësve të Aleksandar Vuçiç janë goditur sot me vezë nga qytetarët. Një video e postuar në rrjetet sociale tregon qytetarët që përpiqen të bllokojnë autobusin që transportonte progresistët nga Obrenovci në Beograd për mitingun e Vuçiç, dhe më pas duke hedhur vezë në drejtim të tij.
Gjatë ditës, një grup studentësh nga Pazari, por edhe nga qytete të tjera serbe, bllokuan autobusët që po niseshin në tubimin e Vuçiç. Policia i ka larguar nga rruga, por sipas informacioneve të disponueshme nuk janë arrestuar.
Lini një Përgjigje