Minneapolis u trondit sërish pas një vrasjeje të re nga agjentë federalë të ICE-it, gjatë një operacioni në jug të qytetit. Ngjarja ka rikthyer tensionet në rrugë dhe ka shkaktuar reagime të forta institucionale në nivel shtetëror. Viktima, një burrë 37-vjeçar, u qëllua për vdekje gjatë një përplasjeje ende të paqartë me agjentët e imigracionit.
Autoritetet federale deklaruan se ndërhyrja ishte pjesë e një operacioni rutinë, por prania e forcave të armatosura dhe mënyra e ndërhyrjes janë konsideruar të tepërta nga drejtuesit e shtetit dhe shoqëria civile. Pas incidentit, qytetarët nisën të mblidhen pranë vendit të ngjarjes për të protestuar dhe për të kërkuar përgjegjësi.
Në përgjigje të kësaj situate, autoritetet e Minnesotës kanë vendosur të nisin një hetim të pavarur dhe kanë marrë distancë nga strukturat federale, duke mos u besuar drejtimin e çështjes. Në fokus të kritikës janë edhe praktikat e ICE-it, të cilat po perceptohen gjithnjë e më tepër si burim frike dhe dhune në komunitet.
Guvernatori i Minnesota-s, Tim Walz, reagoi fuqishëm pas incidentit të rëndë. Walz e dënoi ashpër këtë ngjarje, duke e përshkruar situatën si një “okupim federal” dhe duke e quajtur të shtënen fatale një akt të tmerrshëm dhe të papranueshëm. Ai theksoi se qeveria e shtetit do të kryejë hetimin e vet, pasi besimi te hetimi federal është i ulët. Guvernatori deklaroi se autoritetet lokale duan të rikthejnë qetësinë, paqen dhe normalitetin në jetën e përditshme të banorëve, duke shtuar se dhuna nuk duhet të kthehet me dhunë. Walz gjithashtu ka kërkuar nga administrata federale që të tërheqë agjentët e ICE-it nga Minnesota, duke thënë se prezenca e tyre “po përhap kaos dhe dhunë” në rrugët e qytetit.
Në fjalimin e tij për mediat, guvernatori shtoi se situata aktuale ka potencial të nxisë tensione të mëtejshme në komunitet, por ai bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim për zbutjen e krizës. Walz i bëri apel edhe amerikanëve mbi vlerat dhe sjelljen e qetë që shteti po përpiqet të ruajë, duke kundërshtuar ashpër metodat që po përdoren nga agjencitë federale në terren.
“Ata duan kaos. Ne nuk mundemi dhe nuk do t'u japim atyre atë që duan duke iu kundërpërgjigjur dhunës me dhunë. U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të shohin mirësjelljen që po tregon ky shtet dhe mizorinë e tmerrshme, joprofesionale dhe të neveritshmen absolute që po paraqitet si ajo që po bëjnë këta agjentë të ICE-së në rrugët tona”, tha ai.
Lini një Përgjigje