Ky është rasti i tretë që përfshin agjentë federalë në Minneapolis brenda këtij muaji..
Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku agjentë të imigracionit (ICE) kanë qëlluar për vdekje një person në qytetin e Minneapolis. Sipas raportimeve të mediave amerikane, një agjent federal hapi zjarr ndaj një burri, i cili, sipas autoriteteve, po u rezistonte urdhrave të tyre gjatë një operacioni.
Pamje video nga vendngjarja, që po qarkullojnë në rrjetet sociale, tregojnë një grup të madh agjentësh federalë duke u përleshur me një burrë. Në një moment, njëri prej agjentëve nxjerr armën dhe e qëllon viktimën. Sipas pamjeve, të shtënat vazhdojnë edhe pasi ai bie përtokë. Ai është identifikuar si Alex Pretti, 37-vjeç me profesion infermier.
#BREAKING
— Brian’s Breaking News and Intel (@intelFromBrian) January 24, 2026
ICE just shot and killed someone again. In Minneapolis.
5 shots. In front of Glam Doll Donuts
https://t.co/SASMlIW8ig
Ky është rasti i tretë që përfshin agjentë federalë në Minneapolis brenda këtij muaji. Në fillim të janarit, një agjent i Imigracionit dhe Doganave qëlloi për vdekje 37-vjeçaren Renee Good, ndërsa në një tjetër incident, një agjent i ICE qëlloi në këmbë një emigrant venezuelian gjatë një operacioni tjetër.
Pas vrasjes shpërthejnë sërish protesta
Menjëherë pas të shtënave, dhjetëra qytetarë u mblodhën për të protestuar kundër veprimeve të agjentëve të ICE dhe rritjes së pranisë së tyre në qytet. Protestat u zhvilluan pranë vendngjarjes dhe në disa zona përreth, ndërsa situata u tensionua shpejt.
Forcat e rendit përdorën metoda të ashpra për shpërndarjen e turmës, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës. Rrugët u mbuluan nga tymi i dendur, ndërsa protestuesit dhe kalimtarët përpiqeshin të largoheshin për të marrë frymë. Disa persona u detyruan të strehoheshin brenda një restoranti të zbrazët, ndërkohë që jashtë mbizotëronte kaosi.
Protestuesit ngritën edhe barrikada të improvizuara, duke zvarritur kontejnerë dhe kosha mbeturinash në rrugë për të bllokuar qarkullimin dhe aksesin e forcave të rendit. Tensionet mes qytetarëve dhe autoriteteve vazhduan për disa orë.
Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë pas incidentit të rëndë.
“U kërkojmë të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos e dëmtojnë qytetin tonë”, deklaroi ai.
Agjentët e ICE pengojnë hetimin
Pas vrasjes së së shtunës, zyrtarë federalë u përpoqën të pengonin hyrjen e policisë lokale në vendngjarje, deklaroi për CNN shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara. Ai tha se kjo ishte në kundërshtim me protokollet standarde që ndiqen pas një incidenti me armë zjarri.
O’Hara theksoi se u kishte dhënë urdhër oficerëve të tij të qëndronin në vendngjarje për të ruajtur provat dhe për të garantuar transparencë në hetim. Megjithatë, mes autoriteteve lokale dhe atyre federale pati përplasje lidhur me menaxhimin e situatës.
Rritja e numrit të agjentëve të imigracionit në Minneapolis ka sjellë tensione të vazhdueshme mes strukturave federale dhe pushtetit lokal, veçanërisht pas incidenteve të përsëritura që përfshijnë përdorimin e forcës.
Çfarë tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare?
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) deklaroi se agjentët federalë të përfshirë në të shtënat vdekjeprurëse kanë vepruar në vetëmbrojtje. Sipas deklaratës zyrtare, burri që u qëllua për vdekje “rezistoi dhunshëm” përpjekjeve të agjentëve për ta çarmatosur.
DHS bëri të ditur se agjentët po kryenin një operacion të synuar kundër një emigranti pa dokumente, i cili ishte i kërkuar për një sulm të dhunshëm. Gjatë operacionit, sipas autoriteteve, një individ iu afrua oficerëve të Patrullës Kufitare të SHBA-së i armatosur me një pistoletë gjysmë-automatike 9 mm.
“Oficerët u përpoqën ta çarmatosnin të dyshuarin, por ai rezistoi me dhunë. Duke pasur frikë për jetën e tyre dhe sigurinë e kolegëve, një agjent hapi zjarr. Ndihma mjekësore u ofrua menjëherë, por personi u shpall i vdekur në vendngjarje”, thuhet në deklaratë.
Reagimet e zyrtarëve
Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, bëri thirrje për ndalimin e fushatës federale të zbatimit të ligjit për imigracionin, e cila ka sjellë mijëra agjentë federalë në zonë gjatë javëve të fundit.
“Prania e agjentëve të armatosur rëndë, të maskuar dhe që patrullojnë rrugët e Minneapolis-it me ndjenjë pandëshkueshmërie, duhet të marrë fund. Është koha për lidership dhe për rikthimin e paqes në qytetin tonë”, deklaroi Frey.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, kërkoi që hetimi i të shtënave të udhëhiqet nga autoritetet shtetërore. Ai deklaroi se shteti ka kapacitetin dhe burimet e nevojshme për të garantuar sigurinë publike dhe për të siguruar drejtësi.
“I kam kërkuar Shtëpisë së Bardhë që shteti të marrë drejtimin e hetimit”, shkroi Walz në një postim në platformën X, duke u bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë.
Reagimi i administratës Trump
Ndihmësi i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, deklaroi pa paraqitur prova se shtetasi amerikan i vrarë ishte një “terrorist vendas”. Ndërkohë, Presidenti Donald Trump akuzoi drejtuesit lokalë të Minesotës se po “nxisin kryengritje” dhe se kanë dështuar të mbështesin agjentët federalë.
Në një postim në Truth Social, Trump vuri në pikëpyetje mungesën e policisë lokale në vendngjarje dhe publikoi një imazh të armës që, sipas tij, i përkiste viktimës. Shefi i Policisë së Minneapolis deklaroi se burri ishte pronar i ligjshëm i armëve dhe kishte leje për mbajtje.
Autoritetet lokale kanë mohuar pretendimet se kanë penguar ndihmën për agjentët federalë, duke theksuar se përkundrazi, kanë qenë vetë zyrtarët federalë ata që kanë kufizuar ndërhyrjen e policisë lokale./Pamfleti
Amund te hetohete