Kryeministri britanik Keir Starmer i tha Presidentit kinez Xi Jinping, të enjten, se donte të ndërtonte një "marrëdhënie të sofistikuar" me Pekinin për të nxitur rritjen dhe sigurinë, duke sinjalizuar një rivendosje pas viteve të tëra marrëdhëniesh të tendosura.
Në ditën më të rëndësishme të vizitës së tij katër-ditore në Kinë, e para e një kryeministri britanik në 8 vjet, Starmer zhvilloi një takim 80-minutësh me Xi në Sallën e Madhe të Popullit përpara se të drekonin së bashku. Më vonë ai do të takohet me Kryeministrin Li Qiang.
Starmer, qeveria e të cilit, ka luftuar për të arritur rritjen që premtoi, e ka cilësuar përmirësimin e marrëdhënieve me ekonominë e dytë më të madhe në botë një përparësi, pavarësisht dyshimeve të vazhdueshme në lidhje me spiunazhin dhe të drejtat e njeriut.
“Kina është një lojtare e rëndësishme në skenën globale dhe është jetike që ne të ndërtojmë një marrëdhënie më të sofistikuar ku të mund të identifikojmë mundësitë për të bashkëpunuar, por sigurisht, të lejojmë edhe një dialog kuptimplotë mbi fushat ku nuk pajtohemi”, i tha Starmer Xi-së në fillim të takimit të tyre.
Xi tha se lidhjet me Britaninë kishin kaluar nëpër "kthesa " që nuk u shërbenin interesave të asnjërit vend dhe se Kina ishte e gatshme të zhvillonte një partneritet strategjik afatgjatë.
"Ne mund të arrijmë një rezultat që mund t'i rezistojë provës së historisë", tha udhëheqësi kinez, i shoqëruar nga ministrat e tij më të lartë.
Starmer është udhëheqësi i fundit perëndimor që angazhohet në një valë diplomacie me Kinën, ndërsa kombet mbrohen nga paparashikueshmëria e Shteteve të Bashkuara nën Presidentin Donald Trump.
Kërcënimet e herëpashershme të Trump për tarifa tregtare dhe premtimet për të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës, kanë zemëruar aleatët e hershëm si Britania.
Vizita e Starmer vjen menjëherë pas asaj të kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili nënshkroi një marrëveshje ekonomike me Pekinin për të shembur barrierat tregtare, duke shkaktuar zemërimin e Trump .
Kerry Brown, profesoreshë e studimeve kineze në King's College London, tha se priste që një numër marrëveshjesh midis Britanisë dhe Kinës të njoftoheshin për të treguar se si është përmirësuar marrëdhënia e tyre. Starmer shoqërohet nga më shumë se 50 udhëheqës biznesi, një tjetër sinjal se ai po kërkon fitore ekonomike.
Starmer ka miratuar një politikë të re angazhimi me Kinën pasi marrëdhëniet u përkeqësuan për vite me radhë nën qeveritë e mëparshme konservatore, kur Londra frenoi disa investime kineze për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe shprehu shqetësim për një goditje ndaj lirive politike në Hong Kong.
"E bëra premtimin 18 muaj më parë, kur u zgjodhëm në qeveri, se do ta bëja Britaninë të përballej përsëri me Botën e jashtme", i tha Starmer, Xi-së, ndërsa shtoi “siç e dimë të gjithë, ngjarjet jashtë vendit ndikojnë në gjithçka që ndodh në vendet tona të origjinës, te çmimet në raftet e supermarketeve dhe te siguria që ndiejmë."
Kemi Badenoch, udhëheqësja e Partisë Konservatore opozitare të Britanisë, tha të mërkurën se nuk do të kishte shkuar në Kinë për shkak të rreziqeve të sigurisë që paraqet vendi.
Shërbimet britanike të sigurisë kanë thënë se Kina spiunon rregullisht qeverinë. Kina i ka mohuar këto pretendime.
Në një shenjë se si vendet mund të punojnë së bashku, Downing Street tha se Starmer dhe Xi do të njoftonin se Britania dhe Kina do të luftonin së bashku bandat e përfshira në trafikimin e emigrantëve të paligjshëm.
Marrëveshja do të përqendrohet në uljen e përdorimit të motorëve të prodhuar në Kinë për anijet e vogla që transportojnë njerëz nëpër Evropë për të kërkuar azil.
Zyrtarët britanikë dhe kinezë do të ndajnë informacione për të identifikuar rrugët e furnizimit të kontrabandistëve dhe do të punojnë me prodhuesit kinezë për të parandaluar shfrytëzimin e bizneseve legjitime nga krimi i organizuar, tha Downing Street.
Starmer u tha gazetarëve në aeroplan, gjatë udhëtimit për në Kinë, se ai do të “ngrinte çështjet që duhen ngritur” mbi të drejtat e njeriut me Xi-në, kur u pyet nëse do të ngrinte çështjen e Jimmy Lai-t, ish-manjatit të medias së Hong Kongut dhe shtetasit britanik, i cili u dënua në dhjetor për krime të sigurisë kombëtare.
Mbrëmjen e së mërkurës, Starmer darkoi në një restorant të njohur për gatimet e tij të mbushura me kërpudha, i cili priti edhe ish-Sekretaren e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, gjatë vizitës së saj në vitin 2023.
Ai praktikoi shqiptimin e fjalës kineze për faleminderit ('xie xie') me stafin e restorantit ndërsa pozonte për fotografi. /Përshtatur nga Reuters/
Lini një Përgjigje