
Hamasi ka dënuar veton e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj projekt-rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës, duke e përshkruar lëvizjen e Uashingtonit si imorale dhe çnjerëzore.
“Pengimi nga SHBA për nxjerrjen e një vendimi që kërkonte një armëpushim është i barabartë me bashkëpunim të drejtpërdrejtë në masakrën e popullit tonë nga okupimi, në kryerjen e më shumë masakrave dhe spastrimit etnik”, thekson Izat el Resik, një anëtar i byrosë politike të Hamasit.
13 vende ishin në favor, SHBA vendosi veton dhe Mbretëria e Bashkuar abstenoi. Shtetet e Bashkuara kishin sinjalizuar më parë mosmiratimin e draft tekstit. Një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit me të drejtën e vetos, SHBA-ja i ka rezistuar vazhdimisht thirrjeve për një “armëpushim”, duke theksuar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor.
Votimi ishte përpjekja e gjashtë e grupit 15 anëtarësh për të arritur një konsensus mbi luftën e vazhdueshme midis Izraelit dhe Hamasit. Vetëm një votim i mëparshëm ishte i suksesshëm, i cili kërkoi muajin e kaluar për krijimin e “pauzave dhe korridoreve humanitare” në Gaza.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se Gaza ishte në "prag të kolapsit" dhe njerëzit e dëshpëruar janë në rrezik serioz nga uria.
OKB beson se kjo do të rezultojë në një prishje të plotë të rendit publik dhe rritje të presionit për zhvendosje masive në Egjipt.
Një mbledhje urgjente e këshillit u thirr pasi Guterres thirri nenin 99 të Kartës së OKB-së për herë të parë që nga viti 1971. Neni 99 i lejon Sekretarit të Përgjithshëm të sjellë çdo çështje që sipas mendimit të tij mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Megjithatë, SHBA e kishte bërë të qartë se ishte kundër një armëpushimi në rajon, duke paralajmëruar se një marrëveshje do ta linte Hamasin në krye të territorit që mbante ende më shumë se 100 pengje.
Lini një Përgjigje