TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Gusht 2024, 20:42

Vetëm forca nuk mjafton: Udhëheqësit autoritarë nuk ofrojnë dot zgjidhje për problemet e qytetarëve të tyre

Shkruar nga Ghassan Charbel
Vetëm forca nuk mjafton: Udhëheqësit autoritarë nuk
Kim Yong Un dhe Vladimir Putin

Putini nuk ka luksin ta humbë këtë luftë. Rreziqet janë shumë të larta si për të ashtu edhe për vendin e tij. Ai do të vazhdojë luftën, ndoshta duke e përshkallëzuar atë. Një udhëheqës i dorës së fortë i aftë për ta tronditur botën, por që tani e gjen veten pa një zgjidhje të qartë.

Njerëzit tërhiqen nga udhëheqësit e dorës së fortë. Një lider i tillë ose mund të forcojë imazhin e kombit të tij ose të fshehë brishtësinë e tij. Ai mund të frenojë ambiciet e armiqve apo të pengojë komplotet e tyre. Forca e tij ofron ndjenjën e pathyeshmërisë, duke i dhënë mundësi qytetarëve të ndihen të sigurt dhe krenarë.

Një udhëheqës i dorës së fortë, imponon siguri dhe stabilitet dhe mbron nga kaosi, duke përhapur siguri dhe ruajtur kontrollin mbi narrativën zyrtare. Megjithatë, vetëm forca nuk mjafton për një sundimtar apo udhëheqës. Ajo që ka vërtetë rëndësi, është mënyra se si ai e përdor fuqinë e tij.

Pra çfarë i nxit mendimet dhe vendimet e tij? Cili është vizioni i tij për të ardhmen e vendit dhe fatin e popullit të tij? Ndonjëherë, historia kapërcen edhe liderët më të fortë, duke i kthyer ata në pengje të luftërave të paraardhësve të tij, të kapur në qerthullin e konflikteve dhe hakmarrjeve të së kaluarës.

Ka raste kur fokusi i vetëm tek një sundimtar është mbajtja sa më gjatë e pushtetit. Ai do të kënaqet vetëm me çrrënjosjen e ‘barishteve të këqija” që kërcënojnë dinjitetin dhe mbijetesën e regjimit të tij. Disa besojnë se liderët e fuqishëm, kërkojnë të nisin enkas luftëra për të forcuar legjitimitetin e tyre, duke përdorur mosmarrëveshjet kufitare.

Por në ndjekje të ambicieve të tilla, një udhëheqës mund të zgjerojë forcat e vendit të tij, duke i çuar ata drejt projekteve për të riformuar rajonin e tyre - apo edhe botën - me një kosto që vështirë se mund ta përballojnë. Vladimir Putin është një udhëheqës i fortë me një popullaritet të konsiderueshëm, dhe me një vetëdije të fortë për butonin bërthamor që kanë dispozicion.

Ai është një njeri i lënduar nga e kaluara, i shtyrë nga dëshira për t’u hakmarrë në emër të “Rusisë së Shenjtë” kundër Perëndimit, për të cilën ai beson se e shpërbëri Bashkimin Sovjetik pa asnjë të shtënë armësh. Nga zyra e tij, ai shihte sesi NATO rrëzonte nga pushteti vasalët e tij, duke iu afruar gradualisht kufijve të Rusisë.

Ai e gënjeu Perëndimin me buzëqeshjen e tij, duke u fokusuar gjatë gjithë kohës në rindërtimin e ushtrisë për të rivendosur imazhin dhe statusin e Rusisë në skenën globale. Dhe e zgjodhi Ukrainën si fushën e betejës për të nisur sfidën e tij më të rëndësishme kundër Perëndimit.

Ndoshta Putin priste që Ukraina të kapitullonte shpejt dhe Perëndimit t’i mungonte vendosmëria për t’u kundërpërgjigjur. Megjithatë, tani lufta ka hyrë në vitin e saj të tretë. Megjithëse forcat e tij mbajnë të pushtuar një pjesë të konsiderueshme të Ukrainës, ai nuk është në gjendje t’i japë fund konfliktit.

Sulmi i fundit i ushtrisë ukrainase në territorin rus, nuk do ta ndryshojnë trajektoren e luftës, por ai e ka dëmtuar imazhin e Kremlinit dhe udhëheqësit të tij. Nuk është diçka e vogël që trashëgimtari i Stalinit, është sot i detyruar të mbështetet tek raketat e Koresë së Veriut apo dronët e Iranit për të vazhduar luftën.

Putini nuk ka luksin ta humbë këtë luftë. Rreziqet janë shumë të larta si për të ashtu edhe për vendin e tij. Ai do të vazhdojë luftën, ndoshta duke e përshkallëzuar atë. Një udhëheqës i dorës së fortë i aftë për ta tronditur botën, por që tani e gjen veten pa një zgjidhje të qartë.

Kim Jong Un, është një udhëheqës tjetër i dorës së fortë. Ai kujdeset për arsenalin e tij raketor dhe bërthamor, si një baba i mirë për fëmijët e tij. Në vendin e tij, askush nuk guxon të ngrejë gishtin në shenjë kundërshtimi dhe as të bëjë pyetje të paqarta.

Kriza ukrainase i ka ofruar atij një mundësi të madhe. Raketat dhe municionet e tij po ndihmojnë në mbrojtjen e ushtrisë ruse nga mungesat e theksuara. Pozicioni i tij brenda boshtit ruso-kinez është i sigurt, dhe asnjë forcë nuk guxon ta sfidojë.

E megjithatë pavarësisht fuqisë së tij, Putin nuk ka një zgjidhje për problemet e varfërisë, papunësisë dhe arsimit në vendin e tij. Ndërsa Koreja e Veriut mbetet vigjilente, me dorën e saj në këmbëz, Koreja e Jugut vazhdon të përparojë në garën për zhvillim teknologjik dhe ekonomik, duke e përmirësuar standardin e jetesës për popullin e saj.

Izraeli është një shtet i armatosur shumë rëndë, i pajisur me një arsenal bërthamor dhe me një makineri ushtarake të frikshme, që shfrytëzon përparimet teknologjike për të rritur aftësitë e tij vdekjeprurëse. Benjamin Netanyahu është një strateg i rrezikshëm dhe i aftë, që përdor me mjeshtëri dobësitë e Amerikës kur bëhet fjalë për sigurinë e Izraelit.

Në kundërpërgjigje të sulmit të 7 tetorit 2003 nga Hamasi në Izraelin Jugor, Netanyahu u ka shkaktuar një katastrofë të re palestinezëve, duke e larë Gazën me gjak dhe rrafshuar shumicën e ndërtesave të saj. Ai e ka shtuar atentat, dhe ka urdhëruar sulme të mëdha ajrore në Bejrut dhe Teheran, duke e çuar rajonin në pragun e një lufte shkatërruese, dhe duke tërhequr në të edhe Amerikën.

Por aspekti ndoshta më i rrezikshëm i politikës së Netanyahut është përpjekja e tij e pandërprerë për të zhdukur përfundimisht idenë e një shteti palestinez, që është në fakt e vetmja rrugë e mundshme për zgjidhjen e këtij konflikti kronik në Lindjen e Mesme.

Ndërsa Izraeli është një komb i fuqishëm, qasja e qeverisë aktuale është dritëshkurtër dhe po hedh themelet për luftëra edhe më katastrofike. Netanyahu është padyshim një udhëheqës i dorës së fortë, por si shumë liderë të kësaj kategorie, ai nuk ka zgjidhje reale për të ofruar.

Hamasi është një fraksion palestinez me shumë ndikim në Gaza. Përballjet e tij me Izraelin nuk janë befasuese, duke pasur parasysh padrejtësitë e vazhdueshme ndaj palestinezëve dhe refuzimin e Netanyahut për t’i hapur rrugë zgjidhjes së konfliktit.

Yahya Sinwar, një udhëheqës i dorës së fortë i Hamasit, i shkaktoi Izraelit një goditje të paprecedentë. Por a ka ai vizionin për të parë përtej krizës aktuale, përveç pritjes që administrata Biden të ndërmjetësojë një armëpushim, i cili mund të zbusë rrezikun e një lufte rajonale?

Çfarë do të ndodhë të nesërmen në Gaza, dhe cili do të jetë fati i Hamasit? Po marrëdhëniet me Autoritetin Palestinez dhe presidentin e tij? Ndërsa Sinëar është padyshim një lider i dorës së fortë, atij i mungon një zgjidhje e qartë, dhe duket i papërgatitur për të miratuar çdo propozim të mundshëm që mund të lindë pas një armëpushimi.

Irani është një lojtar i rëndësishëm në rajon. Që të nesërmen e fitores së revolucionit, regjimi e kuptoi rëndësinë e çështjes palestineze dhe investoi në të pa ngurrim. Kriza aktuale ka treguar se Irani ka aftësinë për ta goditur nga shumë fronte Izraelin. Netanyahu e ka çuar situatën në kufijtë e këtij skenari.

Ai urdhëroi vrasjen e Ismail Haniyeh në Teheran, duke u përpjekur të provokojë Iranin të përfshihet në një përballje ushtarake të drejtpërdrejtë, të cilën ai prej kohësh ka synuar ta shmangë. Netanyahu e kupton se nëse ndodh një përplasje e tillë, SHBA-ja nuk mund të qëndrojë mënjanë.

Ai synon që ta trajtojë çështjen e Gazës si pjesë të një konflikti më të gjerë me Iranin, përfshirë ambiciet e tij rajonale dhe bërthamore. Irani ka në duar leva që ndikojnë ndjeshëm mbi stabilitetin e rajonit, me ndikimin e tij vendimtar në Liban, Siri, Irak dhe Jemen. Megjithatë, atij i mungon një zgjidhje për konfliktin, dhe s’ka një strategji të qartë për përmirësimin e kushteve në territoret ku ai ndikon. Rusia është shumë e përshirë në luftën në Ukrainë, ndaj mund ta gjejë veten të detyruar të përshkallëzojë më tej veprimet apo edhe të kërcënojë me një sulm bërthamor për ta nënshtruar vendin fqinj.

Ndërkohë, Kina tregon pak interes për të marrë një rol udhëheqës në një Lindjen e Mesme vazhdimisht nën trazira. Rrjedhimisht, rajonit i mbetet të presë negociatat e armëpushimit dhe përpjekjet e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, sidomos teksa Kamala Harris mund të përfitojë nga suksesi i administratës Biden në parandalimin e zhytjes së rajonit në një kaos të plotë./ Përshtati "Pamfleti" Nga "Arab News"

 

vladimir putin kim yong un lufte

Lini një Përgjigje