TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Nëntor 2025, 15:51

Vdekja misterioze aktores së Hollivudit dhe ngjarje të tjera që kanë ndodhur më 29 nëntor

Shkruar nga Pamfleti
Vdekja misterioze aktores së Hollivudit dhe ngjarje të tjera që
Natalia Nikolaevna Zakarenko /

 

29 Nëntor 1981 - Aktorja e famshme Natali Ud gjendet e mbytur në rrethana misterioze

E lindur si Natalia Nikolaevna Zakarenko më 20 korrik 1938, në San Francisko të Kalifornisë, Ud e nisi karrierën e saj si aktore që kur ishte fëmijë. Ajo u bë e njohur për rolin e saj Suzan Uoker, vajza e vogël që dyshon në ekzistencën e Babagjyshit në filmin “Mrekulli në rrugën nr.34” të vitit 1947.

Si adoleshente, Ud luajti rolin e të dashurës së Xhejms Dinit në filmin “Rebelë pa asnjë kauzë” (1955), për të cilin mori një nominim për Oscar si “Aktorja më e Mirë Mbështetëse”.

Po ashtu fitoi nominime për Çmimin e Akademisë për performancat e saj në filmat “Shkëlqim mbi bar” (1961) dhe “Në dashuri me një të panjohur (1963). Në listën e sukseseve të sja përfshihet edhe pjesëmarrja në “Uest Side Story” (1961), fitues i 10 çmimeve Oskar, në të cilin ajo luajti rolin kryesor të Marias, por edhe shumë filma të tjerë të suksesshëm.

Ud ishte martuar dy herë me aktorin Robert Vagner, fillimisht në vitet 1957-1962, dhe pastaj nga viti 1974 deri në vdekjen e saj. Mbrëmjen e 29 nëntorit 1981, aktorja ishte me bashkëshortin e saj në jahtin e tyre “The Splendor”, i cili ishte i ankoruar në Shën Katalina pranë Los Anxhelesit.

Me ta në bord ishin edhe aktori Kristofer Uoken, i cili në atë kohë po xhironte me Natalin filmin “Brainstorm”. Vagner dhe as Uoken pretendojnë se nuk e panë se çfarë i ndodhi Ud atë natë.

Në fillim, hetuesit thanë se aktorja kishte rrëshqitur aksidentalisht në det, ndërsa po zgjidhte një barkë të lidhur me jahtin. Trupi i saj u gjet në orët e para të mëngjesit. Por në vitin 2011, çështja u rihap për shkak të fakteve të reja, të cilat hedhin dyshime mbi bashkëshortin e saj Robert Vagner.

Dyshohet se ky i fundit e ka vrarë pas një zënke të ashpër për motive xhelozie. Robert i ka mohuar vazhdimisht akuzat, por teksa tani është në prag të vdekjes, në moshën 95-vjeçare, ka premtuar se do të tregojë në momentet e fundit të jetës të vërtetën e asaj nate. Deri në atë moment misteri vazhdon.

Ngjarje të tjera të rëndësishme

29 Nëntor 2023 - Ndërron jetë në moshën 100-vjeçare Henri Kisinger, ish-Sekretar Shteti në SHBA, i konsideruar si një nga diplomatët më të mëdhenj të shekullit të XX. Disa historianë e vlerësojnë për rolin e tij të rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kinën komuniste, pikërisht në kulmin e përplasjeve ideologjike midis Pekinit dhe Moskës. Ndërkohë të tjerët, e kritikojnë për rolin negativ mbi Luftën në Vietnam.

29 Nëntor 1776 - Kongresi Amerikan udhëzoi Silas Din që të rekrutonte ushtarakët më të mirë francezë dhe të tjerë në Evropë për të ndihmuar në luftën për pavarësi. Kjo lëvizje strategjike, çoi në Amerikë figura të rëndësishme si Markezi Dë Lafajet dhe Baroni Von Shteuben. Kontributi i tyre ishte jetik për formimin dhe stërvitjen e Ushtrisë Kontinentale.

29 Nëntor 1830 - Ushtria e Perandorisë Ruse fillon shtypjen e kryengritjes polake në Varshavë, në një përpjekje e dëshpëruar për pavarësi nga Shën Petersburgu.

29 Nëntor 1877 - Shpikësi amerikan Thomas Edison demonstron për herë të parë në publik fonografin e tij të lëvizshëm.

29 Nëntor 1890 - Parlamenti i Japonisë miratoi Ligji i Forcave Ushtarake, duke themeluar një forcë ushtarake moderne të bazuar në modelin perëndimor.

29 Nëntor 1910 - Patenta e parë amerikane për një sistem semaforësh i jepet inxhinierit nga Çikago, Ernest Sirin.

29 Nëntor 1929 - Eksploruesi amerikan Riçard Bird dhe ekipi i tij, bëhen njerëzit e parë që fluturojnë mbi Polin e Jugut, një arritje e madhe në historinë e eksplorimit.

29 Nëntor 1935 - Fizikanti Ervin Shrëdinger publikon eksperimentin e tij të famshëm mendor ”Macja e Shrëdingerit’, një paradoks që ilustron problemin e interpretimit të mekanikës kuantike.

29 Nëntor 1963 - Presidenti Lindon Xhonson firmos krijimin e Komisionit Uorren për të hetuar vrasjen e paraardhësit të tij në detyrë Xhon F.Kenedi.

29 Nëntor 1997 - Një stuhi e fuqishme rëre, e njohur si “Shamal”, goditi Arabinë Saudite, duke shkaktuar vdekjen e 12 turistëve australianë. Ata mbetën të bllokuar në një pellg liqenor të tharë në mes të shkretëtirës.

29 Nëntor 2001 - Vdes në moshën 58 vjeçare, muzikanti dhe kompozitori anglez Xhorxh Harrison. Harrison arriti famë globale si anëtar grupit “Beatles”, dhe vazhdoi një karrierë të suksesshme solo, që përfshinte bashkëpunime të shpeshta me shumë nga muzikantët më të shquar të brezit të tij./Përgatiti Pamfleti

natali ud 29 nëntor

Lini një Përgjigje