
Vatikani i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të punojë aktivisht për një zgjidhje dy-shtetëshe të konfliktit izraelito-palestinez, duke theksuar se përkeqësimi i krizës në Gaza e bën urgjente një zgjidhje politike të drejtë dhe të qëndrueshme.
Në një deklaratë të publikuar nga Vatican Neës, Selia e Shenjtë tha se tragjedia në Gaza, ku dhjetëra mijëra civilë të pafajshëm janë vrarë ose po vdesin nga uria dhe privimi, duhet të bëjë të qartë nevojën për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ushtarake.
Vatikani shprehu shpresën se Konferenca Ndërkombëtare e Nivelit të Lartë për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes Palestineze, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, do të mbështesë krijimin e një shteti palestinez sovran, të pavarur, me kufij të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Selia e Shenjtë riafirmoi mbështetjen e saj për zgjidhjen dy-shtetëshe të bazuar në rezolutat e OKB-së, duke nënvizuar se paqja e qëndrueshme varet nga drejtësia, dialogu dhe respektimi i të drejtave legjitime të të dyja palëve, palestinezëve dhe izraelitëve.
Po ashtu, Vatikani dënoi sulmet ndaj civilëve dhe kërkoi respektimin e ligjit humanitar ndërkombëtar, duke përfshirë mbrojtjen e jo-luftëtarëve dhe ndalimin e ndëshkimit kolektiv.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të vazhdojë të qëndrojë duarkryq ndërsa kjo masakër zhvillohet”, përfundoi deklarata.
Lini një Përgjigje