Anija ruse e mallrave Ursa Major u fundos pranë brigjeve të Spanjës në vitin 2024, në një incident që ngriti dyshime për sabotim. Një investigim i CNN zbulon se anija transportonte motorë për nëndetëse bërthamore, me sa duket të destinuar për regjimin e Kim Jong Un në Korenë e Veriut.
Një anije ruse mallrash, që ka gjasa të transportonte dy reaktorë bërthamorë për nëndetëse, ndoshta të destinuar për Korenë e Veriut, pësoi një seri shpërthimesh dhe u fundos në rrethana të pashpjeguara rreth 60 milje larg brigjeve të Spanjës, sipas një investigimi të CNN.
Fati i pazakontë i Ursa Major është mbajtur në fshehtësi që nga fundosja e saj më 23 dhjetor 2024. Por ngjarja mund të përfaqësojë një ndërhyrje të rrallë dhe me rrezik të lartë nga një forcë ushtarake perëndimore për të penguar Rusinë të dërgonte një përmirësim të teknologjisë bërthamore tek një aleat kyç si Koreja e Veriut, sugjeron raportimi i CNN. Anija u nis vetëm dy muaj pasi Kim Jong Un kishte dërguar trupa për të ndihmuar pushtimin rus të Ukrainës.
Një seri aktivitetesh ushtarake pranë rrënojave të anijes e kanë thelluar misterin mbi ngarkesën dhe destinacionin e saj. Avionë amerikanë të specializuar për zbulimin e materialeve bërthamore kanë fluturuar dy herë mbi vendin ku ndodhet anija e fundosur gjatë vitit të fundit, sipas të dhënave publike të fluturimeve. Gjithashtu, rrënojat u vizituan një javë pas fundosjes nga një anije ruse e dyshuar për spiunazh, e cila sipas një burimi të njohur me hetimin spanjoll shkaktoi katër shpërthime të tjera.
Qeveria spanjolle ka folur pak për rastin dhe publikoi vetëm një deklaratë më 23 shkurt, pas presionit nga deputetët e opozitës. Ajo konfirmoi se kapiteni rus i anijes u kishte thënë hetuesve spanjollë se Ursa Major transportonte “komponentë për dy reaktorë bërthamorë të ngjashëm me ata të përdorur në nëndetëse” dhe se nuk ishte i sigurt nëse ata përmbanin karburant bërthamor.
Ngjarjet që çuan në fundosjen e Ursa Major në fund të Detit Mesdhe mbeten të paqarta. Sipas hetimit spanjoll, mund të jetë përdorur një lloj i rrallë torpedoje për të çarë trupin e anijes. Incidenti ndodhi në javët e fundit të presidencës së Joe Biden, kur lufta në Ukrainë po shkonte në favor të Moskës dhe SHBA kishte interes të shmangte një përshkallëzim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ursa Major, e njohur edhe si Sparta 3 dhe e përdorur më parë në operacionet ushtarake ruse në Siri, ankoroi në portin e karburantit Ust-Luga në Gjirin e Finlandës më 2 dhjetor, përpara se të zhvendosej në një terminal kontejnerësh në Shën Petersburg.

Anija Ursa Major ishte nisur nga portet baltike të Rusisë në fillim të atij muaji, me destinacion zyrtarisht Vladivostok në Lindjen e Largët të Rusisë. Manifesti i saj publik i ngarkesave rendiste artikuj të paqartë, duke përfshirë "kapakë pusetash", kontejnerë të zbrazët transporti dhe vinça të mëdhenj. Megjithatë, hetuesit thuhet se vunë në dyshim pse një ngarkesë e tillë do të transportohej në një rrugë të gjatë detare përmes rajoneve të shumta në vend që të përdorte rrjetin e gjerë hekurudhor të Rusisë.
Sipas CNN, hetuesit spanjollë dyshojnë se destinacioni i vërtetë mund të ketë qenë porti i Rasonit në Korenë e Veriut. Raporti vjen pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un zbuloi imazhe në fund të vitit 2025 të asaj që Pheniani pretendonte se ishte nëndetësja e tij e parë me energji bërthamore.
Anija ishte shoqëruar nga anije ushtarake ruse ndërsa udhëtonte përgjatë vijës bregdetare evropiane. Forcat detare portugeze e gjurmuan anijen përpara se t'ia dorëzonin përgjegjësitë e monitorimit pranë ujërave spanjolle. Pak më pas, thuhet se anija ngadalësoi papritur përpara se të lëshonte më vonë një thirrje emergjente për ndihmë.
Hetuesit thanë se tre shpërthime goditën anijen pranë dhomës së motorit, duke vrarë dy anëtarë të ekuipazhit dhe duke detyruar marinarët e mbetur të braktisnin anijen. Ekipet spanjolle të shpëtimit arritën në zonë dhe u përpoqën të kontrollonin anijen e dëmtuar, por pjesë të anijes ishin të paarritshme.
Në tetor të atij viti, kompania pronare e anijes, e lidhur me shtetin rus, Oboronlogistics, kishte deklaruar se anijet e saj ishin licencuar për transport të materialeve bërthamore. Pamje të analizuara nga CNN tregojnë se gjatë ngarkimit në Ust-Luga, kontejnerët u vendosën brenda trupit të anijes duke lënë hapësirë poshtë vendeve ku më vonë u pozicionuan “kapakët”.

Anija lundroi përgjatë brigjeve franceze dhe më pas u monitorua nga marina portugeze. Dy anije ushtarake ruse, Ivan Gren dhe Aleksandr Otrakovsky, e shoqëruan gjatë rrugës. Në mëngjesin e 22 dhjetorit, marina portugeze ndërpreu ndjekjen.
Rreth katër orë më vonë, në ujërat spanjolle, anija ngadalësoi ndjeshëm, duke bërë që ekipet spanjolle të shpëtimit të kontaktonin ekuipazhin për të pyetur nëse kishte emergjencë. Ekuipazhi u përgjigj se gjithçka ishte në rregull.
Por rreth 24 orë më vonë, anija ndryshoi papritur kursin dhe në orën 11:53 UTC të 23 dhjetorit lëshoi sinjal urgjence. Ajo kishte pësuar tre shpërthime në anën e djathtë, pranë dhomës së motorëve, ku humbën jetën dy anëtarë të ekuipazhit. Anija mbeti e pjerrët dhe pa lëvizje.
Sipas investigimit, 14 anëtarët e mbijetuar u evakuuan me varkë shpëtimi dhe më pas u morën nga anija spanjolle Salvamar Draco. Në mbrëmje mbërriti edhe një anije ushtarake spanjolle. Megjithatë, gjysmë ore më vonë, anija ruse Ivan Gren urdhëroi mjetet pranë zonës të qëndronin dy milje detare larg dhe kërkoi kthimin e menjëhershëm të ekuipazhit rus.
Autoritetet spanjolle vazhduan operacionin e shpëtimit dhe dërguan një helikopter për të kontrolluar nëse kishte të mbijetuar. Pamjet tregojnë një shpëtimtar duke u përpjekur të hyjë në dhomën e motorëve, por dera ishte e vulosur. Në kontejnerë u gjetën mbeturina, rrjeta peshkimi dhe pajisje të tjera.
Sipas burimit të njohur me hetimin, Ursa Major dukej e qëndrueshme dhe nuk pritej të fundosej menjëherë. Por në orën 21:50, Ivan Gren lëshoi flakadanë të kuq mbi zonën dhe pasuan katër shpërthime të tjera. Rrjeti Kombëtar Sizmik i Spanjës regjistroi katër sinjale sizmike në të njëjtën kohë dhe zonë, të ngjashme me shpërthime minash nënujore ose shpërthime guroresh.
Në orën 23:10, Ursa Major u raportua e fundosur.

Të mbijetuarit rusë u dërguan në portin Cartagena, ku u morën në pyetje nga policia dhe hetuesit spanjollë. Sipas deklaratës së qeverisë spanjolle, kapiteni rus hezitonte të fliste për ngarkesën nga frika për sigurinë e tij. Nën presion për të shpjeguar termin “kapakë manholesh”, ai pranoi se bëhej fjalë për komponentë të dy reaktorëve bërthamorë të ngjashëm me ata të nëndetëseve.
Burimi i njohur me hetimin tha se kapiteni, Igor Anisimov, besonte se anija do të devijohej drejt portit Rason në Korenë e Veriut për të dorëzuar reaktorët. Hetimi spanjoll e konsideron të pazakontë zgjedhjen e një udhëtimi detar rreth botës për transportin e dy vinçave, 100 kontejnerëve bosh dhe dy objekteve të mëdha, nga një port rus në një tjetër, kur Rusia ka një rrjet të gjerë hekurudhor. Sipas hetimit, vinçat mund të ishin përdorur për shkarkimin e një ngarkese sensitive në Rason.
Katër ditë pas fundosjes, kompania Oboronlogistics e quajti incidentin “një sulm terrorist i qëllimshëm” dhe deklaroi se në trupin e anijes ishte gjetur një vrimë 50 me 50 centimetra, me metalin e përkulur nga brenda. Sipas kompanisë, kuverta ishte e mbuluar me copëza metalike nga shpërthimi.
Një javë më vonë, sipas burimit të CNN, anija ruse Yantar, e akuzuar nga Perëndimi për aktivitete spiunazhi në ujërat e NATO-s, qëndroi për pesë ditë mbi rrënojat e Ursa Major. Gjatë kësaj kohe u regjistruan katër shpërthime të tjera, ndoshta të lidhura me shkatërrimin e mbetjeve në fund të detit.
Hetimi spanjoll përmend gjithashtu interesimin amerikan për zonën. Dy avionë amerikanë WC135-R, të njohur për zbulimin e materialeve dhe mbetjeve bërthamore, fluturuan mbi vendin e incidentit në gusht 2025 dhe shkurt 2026. Ushtria amerikane nuk dha detaje mbi misionet.
Pretendimet për transferim të teknologjisë bërthamore drejt Koresë së Veriut vijnë pasi regjimi i Kim Jong Un publikoi në dhjetor 2025 imazhe të asaj që pretendon se është nëndetësja e parë bërthamore e vendit.

Eksperti ushtarak Mike Plunkett nga kompania Janes tha se një transferim i tillë teknologjie nga Rusia drejt Koresë së Veriut do të ishte “një zhvillim shumë shqetësues”, veçanërisht për Korenë e Jugut.
Hetimi spanjoll sugjeron se reaktorët mund të kenë qenë modeli VM-4SG, i përdorur zakonisht në nëndetëset bërthamore ruse të klasës Delta IV.
Sa i përket dëmtimit fillestar të anijes, hetuesit spanjollë shqyrtojnë mundësinë që ai të jetë shkaktuar nga një torpedo superkavitacioni tip Barracuda. Këto armë përdoren vetëm nga disa vende, përfshirë SHBA-në, Rusinë, Iranin dhe disa aleatë të NATO-s. Sipas hetimit, një armë e tillë mund të krijonte një vrimë të vogël në trupin e anijes pa shkaktuar shpërthim të madh.
Ekspertë të tjerë të konsultuar nga CNN mendojnë se dëmtimi mund të jetë shkaktuar nga një minë magnetike e vendosur në trupin e anijes.
Autoritetet ruse, britanike dhe spanjolle, si edhe Pentagoni, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Disa zyrtarë perëndimorë të sigurisë dhe inteligjencës i kanë cilësuar disa përfundime të hetimit spanjoll si të ekzagjeruara, por nuk kanë dhënë një shpjegim alternativ për shpërthimet apo reagimin e fortë rus pas incidentit. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje