TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Maj 2026, 08:55

Hantavirusi sfidon shkencën, a mund të krijohet vaksina në vetëm 100 ditë?

Shkruar nga Pamfleti
Hantavirusi sfidon shkencën, a mund të krijohet vaksina në
Hantavirusi sfidon shkencën, a mund të krijohet vaksina në vetëm 100 ditë?

Koreja e Jugut dhe Kina kanë zhvilluar një vaksinë, por ajo rezulton pak efektive. Tani synohet modeli me ARN, i përdorur kundër Covid-it. Mungojnë fondet për testimet te njerëzit. Ndërkohë, kompania amerikane Moderna u rrit në bursë me 6,2% pas shpërthimit të infeksionit në anijen Hondius.

Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, “sëmundja X” përfaqëson një infeksion ende të panjohur, i aftë të shkaktojë një pandemi të papritur. Në listën e mikrobeve që mund të ndezin një skenar të tillë përfshihen edhe hantaviruset, përgjegjëse për shpërthimin e fundit të infeksionit në anijen Hondius.

Megjithatë, këta viruse janë relativisht të rrallë dhe për këtë arsye industria farmaceutike ka investuar pak në zhvillimin e vaksinave kundër tyre. Vaksinat e krijuara gjatë katër dekadave të fundit hantaviruset u zbuluan në Korenë e Jugut në vitet ’70 kanë rezultuar me efikasitet të kufizuar: ato stimulojnë dobët sistemin imunitar dhe kërkojnë tre ose më shumë doza.

E vetmja vaksinë e autorizuar në Korenë e Jugut dhe Kinë që prej vitit 1990, e quajtur Hantavax, konsiderohet sot aq pak efektive sa përdoret gjithnjë e më rrallë. Për më tepër, hantaviruset ndahen në dhjetëra variante të ndryshme, çka do të kërkonte zhvillimin e disa vaksinave të veçanta, secila me testimet e veta klinike që kushtojnë miliona euro. Vetë Hantavax, për shembull, vepron vetëm dhe në mënyrë të kufizuar ndaj dy varianteve aziatike.

Kili, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Kina dhe Koreja e Jugut po përpiqen prej dekadash të gjejnë një vaksinë efektive kundër hantaviruseve.

“Në të kaluarën janë përdorur kryesisht viruse të inaktivizuara, më pak efikase krahasuar me teknologjinë e re të ARN-së”, shpjegon Marco Cavaleri, drejtor i departamentit të rreziqeve për shëndetin publik dhe i task-forcës së emergjencave pranë Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA).

“Vaksinat me ARN të zhvilluara kundër Covid-it stimulojnë më mirë sistemin imunitar dhe prodhohen shumë më shpejt sesa vaksinat proteinike. Shpërthimi aktual i hantavirusit me shumë gjasa do të vihet nën kontroll. Megjithatë, kjo situatë mund të shfrytëzohet për të testuar aftësinë për të prodhuar një vaksinë brenda njëqind ditësh”, shton ai.

Zhvillimi i një vaksine brenda njëqind ditëve është një nga objektivat kryesorë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për t’u përballur me “sëmundjen X”. Për vaksinën kundër Covid-it, mes viteve 2020 dhe 2021, u deshën rreth dhjetë muaj.

Sot kompania amerikane Moderna, e specializuar në teknologjinë ARN, po bashkëpunon në Seul me Universitetin e Koresë ku u zhvillua Hantavax për krijimin e një vaksine të re kundër hantaviruseve.

Marrëveshja mes palëve daton në shtator të vitit 2024. Studiuesit koreanë kanë hartuar “hartën gjeografike” të virusit, duke identifikuar antigjenet më të përshtatshme për të nxitur reagimin imunitar. Moderna përdor këto të dhëna për të sintetizuar ARN-në që do të përdoret për imunizimin.

Edhe pse afati simbolik prej njëqind ditësh ka kaluar pasi aktualisht nuk ekziston një emergjencë globale Moderna i përshkruan përpjekjet e saj si “në fazë fillestare”. Vaksina ka funksionuar në testet laboratorike mbi kafshët, por ende nuk janë siguruar fondet për nisjen e provave klinike te njerëzit.

Rasti i anijes Hondius mund të përshpejtojë kërkimet. Aksionet e Moderna-s u rritën dje me 6,2% në bursë, si për shkak të shpërthimit të hantavirusit në anije, ashtu edhe pas publikimit të rezultateve për vaksinën e re me ARN kundër gripit, e cila rezulton më efektive se vaksinat aktuale.

Koreja e Jugut, ku regjistrohet rreth gjysma e rasteve të hantavirusit në Azi rreth 400 deri në 500 infektime në vit, kryesisht mes ushtarakëve  ka interes të drejtpërdrejtë për të çuar përpara testimet.

Megjithatë, një vaksinë e vetme nuk do të mjaftojë. “Një vaksinë kundër një hantavirusi aziatik nuk do të funksiononte kundër variantit Andes, përgjegjës për shpërthimin në anijen Hondius”, vijon Cavaleri.

Moderna ka nisur gjithashtu një bashkëpunim me Army Medical Research Institute of Infectious Diseases (AMRIID), laboratorin kërkimor mjekësor të ushtrisë amerikane.

“Në kontinentin amerikan, përveç variantit Andes, qarkullon edhe hantavirusi Sin Nombre, i cili është shumë i rrezikshëm dhe shpesh vdekjeprurës.”, shtoi ai.

Ky variant shkaktoi në vitin 2012 vdekjen e tre kampistëve në parkun Yosemite, në Kaliforni. Ata kishin fjetur në një tendë ku kishte brejtës.

Në AMRIID punon prej tridhjetë vitesh Jay Hooper, një nga studiuesit më të njohur të hantaviruseve. Duke përdorur teknologjinë e ADN-së të ngjashme me metodën e Moderna-s laboratori i tij në Maryland ka kryer fazën e parë të testimeve klinike mbi tre vaksina: një kundër virusit Andes, i përhapur në Amerikën e Jugut, dhe dy të tjera kundër varianteve të Amerikës së Veriut.

Rezultatet treguan se stimulimi i sistemit imunitar nuk ishte shumë i fortë, çka bëri të nevojshme përdorimin e tre dozave.

“Për shkak se rastet njerëzore të virusit Andes janë të rralla dhe të shpërndara në zona shumë të largëta nga njëra-tjetra, do të jetë e vështirë të realizohet një provë klinike e fazës së tretë”, ka deklaruar Hooper për revistën Nature.

Këto prova, të fundit përpara miratimit të përdorimit te njerëzit, kërkojnë zakonisht disa mijëra vullnetarë.

Vaksina nuk është e vetmja rrugë që po shqyrtohet për të luftuar infeksionin përmes sistemit imunitar. “Po studiohen edhe antitrupa monoklonalë, të marrë nga persona të infektuar ose të vaksinuar dhe më pas të riprodhuar në laborator.

Megjithatë, kërkimet në këtë drejtim janë ende në fazë paraprake. Duhet të përfundojnë testet paraklinike përpara se të nisin provat te njerëzit.”, shpjegon Cavaleri./Përshtatur nga La Repubblica

hantavirusi shkenca vaksina 100 dite

Lini një Përgjigje