Administrata Trump do ta vërë naftën bruto në dispozicion të kompanive të energjisë, si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare për stabilizimin e tregjeve...
Administrata Trump njoftoi dje se do t’u japë hua kompanive të energjisë 53.3 milionë fuçi naftë bruto nga Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së, në kuadër të një marrëveshjeje globale për qetësimin e tregjeve, të cilat janë tronditur nga lufta SHBA-Izrael me Iranin.
Nëntë kompani, përfshirë Exxon Mobil, Trafigura dhe Marathon Petroleum, morën hua rreth 58 për qind të 92.5 milionë fuçive që Departamenti i Energjisë kishte ofruar muajin e kaluar nga rezerva strategjike. Gjatë pranverës, Departamenti i Energjisë kishte dhënë më parë rreth 80 milionë fuçi nga SPR, ndërsa synon të nxjerrë në treg gjithsej 172 milionë fuçi.
SHBA arriti në mars një marrëveshje me më shumë se 30 vende të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për lirimin e rreth 400 milionë fuçive naftë. Marrëveshja synon të ulë çmimet e naftës dhe karburanteve, të cilat u rritën pas mbylljes nga Irani të Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe përmes së cilës kalon zakonisht rreth 20 për qind e naftës botërore çdo ditë.
Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, tha se lufta ka krijuar krizën më të madhe energjetike të regjistruar ndonjëherë. Ai deklaroi më 7 maj se, nëse ndërprerjet e furnizimit vazhdojnë, IEA është e gatshme të lirojë sasi shtesë nafte nga rezervat strategjike. Sipas Birolit, deri tani vendet anëtare kanë përdorur 20 për qind të rezervave të disponueshme.
Rritja e shpejtë e çmimeve të karburanteve përbën rrezik politik për republikanët e presidentit Donald Trump, të cilët po bëjnë fushatë për të ruajtur shumicat e ngushta në Kongres në zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit. Sipas të dhënave të klubit automobilistik AAA, çmimi mesatar i benzinës në SHBA arriti të hënën në 4.52 dollarë për gallon, niveli më i lartë që nga viti 2022.
Departamenti i Energjisë i SHBA-së ua jep naftën hua kompanive, të cilat do ta shlyejnë detyrimin në naftë bruto, me një prim deri në 24 për qind. Ministria thotë se kjo skemë ndihmon në stabilizimin e tregjeve pa kosto për taksapaguesit amerikanë. Rezerva Strategjike e Naftës, e ruajtur në shpella në katër zona përgjatë brigjeve të Teksasit dhe Luizianës, përmban aktualisht rreth 384 milionë fuçi, më pak se sasia që bota konsumon në katër ditë.
Lini një Përgjigje