Rreth 80 deputetë laburistë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit britanik, ndërsa figura të rëndësishme të qeverisë po i bëjnë presion që të shpallë një afat për largimin nga posti...
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer është përballur me presion të fortë nga ministra të lartë të kabinetit për të shqyrtuar mundësinë e vendosjes së një afati për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë, pasi afro 80 deputetë të Partisë Laburiste kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij.
Sipas gazetës britanike “The Times”, ministrja e Brendshme Shabana Mahmood ishte një nga tre ministrat që të hënën i sugjeruan Starmerit se duhej të rishikonte pozicionin e tij politik. Dy burime të larta qeveritare thanë gjithashtu se ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, i kërkoi Kryeministrit të përcaktojë një kalendar për largimin e tij.
Starmer pritet të përballet me presion të mëtejshëm gjatë mbledhjes së kabinetit të së martës, ndërsa brenda partisë po shtohen shqetësimet se pozicioni i tij është bërë “i paqëndrueshëm”. Aktualisht, rreth një e katërta e deputetëve laburistë kanë kërkuar largimin e tij, përfshirë edhe disa anëtarë të qeverisë.
Aleatë të ministrit të Shëndetësisë, Wes Streeting, deklaruan se ai është gati të ndërmarrë lëvizjen për të kandiduar për kryeministër, pasi mbështetja për Starmerin është dobësuar ndjeshëm. Sipas tyre, Streeting prej muajsh ka përgatitur një fushatë të mundshme për drejtimin e partisë.
Megjithatë, mbështetësit e Starmerit reaguan me zemërim dhe akuzuan Streetingun se po organizon rebelimin brenda partisë. Këto akuza erdhën pasi një numër deputetësh të afërt me ministrin e Shëndetësisë iu bashkuan thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit.
Një numër i konsiderueshëm deputetësh nga krahu mbështetës i Streetingut në parlament gjithashtu kërkuan largimin e Starmerit.
Një ministër i kabinetit, i cili mbetet besnik ndaj Starmerit, e akuzoi ministrin e Shëndetësisë se po e shtyn partinë drejt “luftës së brendshme shkatërruese”. Një tjetër ministër deklaroi se kolegët e tij po “luajnë me kreditë e shtëpive dhe pensionet e miliona njerëzve”, duke shtuar se grupi parlamentar laburist është “jashtë kontrollit”.
Numri i deputetëve që kanë kërkuar publikisht largimin e Starmerit po afrohet me pragun prej 81 deputetësh, ekuivalente me 20 për qind të grupit parlamentar, që sipas rregullave të Partisë Laburiste mjafton për të nisur zyrtarisht një garë për lidershipin.
Sipas “The Times”, një deputet laburist i përshkruar si “stalking horse”, kandidat i përdorur për të testuar mbështetjen politike, ka mbledhur gjithashtu 80 firma nga kolegët e tij, duke i kërkuar kryeministrit të shpallë një afat për largimin.
Kriza politike shpërtheu më pak se 48 orë përpara se Mbreti Charles III të paraqesë në Parlament programin qeverisës për vitin e ardhshëm.
Thirrjet për largimin e Starmerit erdhën pas një përpjekjeje të pasuksesshme të kryeministrit për të forcuar pozicionin e tij me një fjalim të mbajtur të hënën në mëngjes, ku ai deklaroi se nuk do të “braktisë” Downing Street.
Starmer tha se merrte “përgjegjësi” për humbjet e rënda të Partisë Laburiste në zgjedhjet e javës së kaluar, por insistoi se do të vazhdojë betejën politike.
“Nuk do të shmang faktin se kam skeptikë, përfshirë edhe brenda partisë sime”, deklaroi ai, duke shtuar “nuk do të shmang as faktin që duhet t’u tregoj se gabohen dhe do ta bëj.”
Megjithatë, vetëm pak minuta pas përfundimit të fjalimit, deputetë të tjerë iu bashkuan thirrjeve për largimin e tij, duke argumentuar se reagimi i kryeministrit ishte “shumë i vonuar dhe i pamjaftueshëm”.
Lorraine Beavers, një nga deputetet e zgjedhura në vitin 2024, deklaroi se “përmbajtja e fjalimit nuk tregoi asgjë pranë nivelit të ndryshimit që kërkohet”. Ajo shtoi se kryeministri duhet të shpallë një afat për largimin nga posti.
Deputetja Emma Lewell, përfaqësuese e South Shields, kritikoi gjithashtu mënyrën si u trajtua kriza. “Ky ishte një fjalim i shkruar brenda të njëjtit rreth të mbyllur politik që na solli në këtë situatë”, tha ajo.
Deri të hënën në mbrëmje, 77 deputetë kishin kërkuar publikisht largimin e Starmerit. Mes tyre kishte edhe ndihmës parlamentarë të Shabana Mahmood dhe të ministres së Mjedisit Emma Reynolds, si dhe katër kryetarë komisionesh parlamentare të Partisë Laburiste.
Aleatë të Streetingut pretendojnë se ministri i Shëndetësisë po pret që numri i deputetëve kundër Starmerit të arrijë në 81 përpara se të nisë zyrtarisht sfidën për lidershipin.
Sipas tyre, mundësia më e mirë për Streetingun është të shkaktojë një garë të hershme për drejtimin e partisë përpara se Andy Burnham, kryetari i Bashkisë së Greater Manchester, të ketë mundësi të rikthehet në Westminster.
“Wes ka ende nevojë për mbështetje dhe nuk dëshiron të dalë hapur përpara se 81 deputetë të kërkojnë publikisht largimin e kryeministrit”, tha një aleat i tij, duke shtuar “por kjo dritare mundësie nuk do të zgjasë shumë. Nëse ai nuk shpall kandidaturën deri në fund të javës, atëherë e majta do të ketë mundësi të vendosë një afat për shtatorin dhe të rikthejë Andy Burnhamin.”
Një tjetër mbështetës i Streetingut u shpreh më drejtpërdrejt: “Wes nuk mund ta mundë Burnhamin, kështu që nëse nuk kandidon tani, atëherë ka humbur gjithçka.”
Të martën, deputetë nga dy fraksione me ndikim brenda Partisë Laburiste pritet të paraqesin platforma alternative politike për çdo udhëheqës të ardhshëm.
Grupi “Tribune”, që përfaqëson krahun e moderuar të majtë dhe drejtohet nga ish-ministrja e Transportit Louise Haigh, do të propozojë heqjen e përgjegjësisë për rritjen ekonomike nga Ministria e Financave, si dhe eliminimin e taksës së pullës (“stamp duty”) në kuadër të një reforme ekonomike më të gjerë.
Ndërkohë, sipas “The Times”, 80 deputetë kanë firmosur letrën e deputetes Catherine West, ku kërkohet që Starmer të shpallë një kalendar për largimin e tij.
Tensionet e reja politike ndikuan edhe në tregjet financiare britanike. Kostoja e huamarrjes së qeverisë u rrit, ndërsa tregjet reaguan ndaj mundësisë në rritje për një betejë të brendshme për drejtimin e Partisë Laburiste. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje