Shtetet e Bashkuara kanë bërë publike vendndodhjen e një nëndetëseje bërthamore të Marinës amerikane, në një lëvizje të pazakontë që ka shkaktuar shqetësim dhe interpretohet si sinjal i fortë strategjik ndaj Iranit.
Bëhet fjalë për një nëndetëse të klasës “Ohio”, e pajisur me armë bërthamore, e cila mbërriti të dielën në Gjibraltar, sipas një njoftimi zyrtar të Marinës amerikane.
Njoftimi erdhi pak pasi presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë përgjigjen e Iranit lidhur me propozimin amerikan për armëpushim dhe marrëveshje mbi programin bërthamor.
“Vizita në port demonstron aftësinë, fleksibilitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj aleatëve të NATO-s”, deklaroi Shërbimi i Marrëdhënieve Publike i Flotës së 6-të amerikane.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se nëndetëset e klasës “Ohio” janë platforma të padiktueshme për lëshimin e raketave balistike nga nënujë, duke përbërë një nga elementët më të fuqishëm të arsenalit bërthamor amerikan.
Zbulimi publik i vendndodhjes së një mjeti të tillë ushtarak konsiderohet një veprim i rrallë nga Uashingtoni, sidomos në një periudhë tensioni të shtuar në Lindjen e Mesme.
Më herët gjatë ditës, Donald Trump deklaroi se SHBA mund të godasë shumë shpejt objektivat e mbetura ushtarake iraniane, duke pretenduar se Teherani tashmë është “i mposhtur ushtarakisht”.
“Irani është mposhtur plotësisht ushtarakisht”, u tha Trump gazetarëve.
“Atyre u kanë mbetur shumë pak gjëra. Mund t’i shkatërrojmë brenda një dite”, shtoi ai.
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu situatën e armëpushimit me Iranin, duke e cilësuar atë “jashtëzakonisht të dobët” dhe në “mbështetje artificiale”.
Sipas Trump, shanset që armëpushimi të mbijetojë janë minimale.
“Do të thosha se armëpushimi është në mbështetje masive artificiale. Është sikur mjeku të hyjë dhe të thotë: ‘I dashuri juaj ka vetëm 1% mundësi të mbijetojë’”, deklaroi ai.
Trump tha se lexoi përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit amerikan, por e cilësoi atë “mbeturinë” dhe shtoi se nuk e përfundoi leximin e saj.
Deklaratat e presidentit amerikan dhe publikimi i pozicionit të nëndetëses bërthamore po interpretohen nga analistët si një sinjal presioni ndaj Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.
Lini një Përgjigje