TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Mars 2025, 14:30

Turqia është tani një diktaturë!

Shkruar nga GÖNÜL TOL

Turqia është tani një diktaturë!

Erdogani mund të pendohet që përqafoi autokracinë e plotë, pasi ndryshe nga Rusia, Turqia nuk ka shumë burime natyrore, dhe është shumë e varur nga investimet huaja. 

Vetëm disa ditë përpara se partia kryesore e opozitës në Turqi të zgjidhte kandidatin e saj të ardhshëm presidencial, kandidati kryesor, kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, u arrestua dhe u burgos, duke e hequr nga gara.

Me këtë akt të pacipë të shtypjes politike, qeveria turke ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt autokracisë së plotë. Skema për të nxjerrë jashtë loje Imamoglu ishte e llogaritur. Të martën, Universiteti i Stambollit ku Imamoglu kishte ndjekur studimet ia anuloi diplomën, duke përmendur disa shkelje të supozuara të rregulloreve të Bordit të Arsimit të Lartë.

Sipas ligjit, kandidatët për president në Turqi duhet të kenë të paktën një diplomë universitare. Të nesërmen, Imamoglu u arrestua me akuzat për korrupsion dhe terrorizëm. Këto vendime të gjykatës jo vetëm që pengojnë ambiciet e tij presidenciale, por e largojnë edhe nga posti i kryebashkiakut të qytetit më të madh dhe motorit ekonomik të Turqisë.

Prej vitesh, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka zhdukur kontrollet mbi pushtetin e tij, dhe i ka manipuluar institucionet shtetërore për t’i dhënë avantazhe elektorale partisë së tij. Gjithsesi deri më sot, opozita turke ka qenë në gjendje të nxjerrë kandidatë të mundshëm për të kundërshtuar sundimin e tij.

Dhe tek Imamoglu, grupimet opozitare menduan se kishin gjetur një kandidat që më në fund mund ta mposhtë Erdoganin. Por duke e detyruar kryebashkiakun e Stambollit të largohet nga politika, qeveria e ka kaluar kufirin që ndan sistemin konkurrues autoritar të Turqisë nga një autokraci e plotë në stilin rus, në të cilën presidenti i zgjedh kundërshtarët e tij dhe zgjedhjet janë thjesht një farsë.

Gjatë më shumë se 2 dekadave në pushtet, Erdogan i ka shpërbërë institucionet demokratike të Turqisë, duke e konsoliduar kontrollin e tij në një sistem sundimi personal.

Pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti nga një grup ushtarakësh në vitin 2016, Erdogan e vendosi gjyqësorin nën autoritetin e tij duke shkarkuar mijëra gjyqtarë dhe zëvendësuar ata me besnikë që vulosnin aktet e tij.

Media e lirë thuajse nuk ekziston më. Më shumë se 90 për qind e mediave turke janë në pronësi të bizneseve pro-qeveritare dhe gazetarët e pavarur burgosen vazhdimisht.

Vendi mban ende zgjedhje, por sistemi është shumë i shtrembëruar.

Turqia është një model tipik i një regjimi autoritar konkurrues, i cili imiton demokracinë, ndërkohë që e anon sistematikisht fushën e lojës në favor të partisë në pushtet. Partitë opozitare janë aktive, ka debate të vërteta publike për politikën dhe pushtetarët ndonjëherë humbasin.

Por në kushtet kur qeveria kontrollon gjyqësorin, asfikson median e pavarur dhe përdor institucionet shtetërore për të dobësuar kundërshtarët e saj, konkurrenca elektorale nuk është aspak e drejtë. Gjithsesi, sundimi i Erdoganit mbetet i brishtë për sa kohë që kandidatët e opozitës mund të konkurrojnë në zgjedhje.

Ndaj duke e larguar Imamoglu nga skena politike, Erdogan ka treguar se nuk është më i interesuar të ruajë fasadën e zgjedhjeve konkurruese. Në vend të kësaj, ai kërkon llojin e sistemit autokratik që ka presidenti rus Vladimir Putin, një sistem pa opozitë të vërtetë dhe pa surpriza elektorale.

Dy dekada më parë, Rusia nuk ishte autokracia aq shumë e kontrolluar që është sot. Ekonomia e vendit po lulëzonte dhe Putin ishte vërtet popullor. Ndaj ai toleroi një lloj opozite dhe la të paprekur pjesë të sistemit demokratik.

Por pas krizës financiare të vitit 2008, teksa u ndal rritja ekonomike dhe shpërthyen protestat antiqeveritare, Putin u përgjigj me shtypje. Dhe në vitin 2020, ai e çimentoi plotësisht sundimin e tij si një autokrat i pakundërshtueshëm.

Amendamentet kushtetuese që u miratuan, e lejojnë Putinin të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036. Sfiduesit e vërtetë janë të ndaluar të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa Putini zgjedh disa kundërshtarë simbolikë për të krijuar iluzionin e konkurrencës. Rezultati nuk vihet asnjëherë në dyshim.

Ashtu si ai i Putin, represioni i Erdoganit është shtuar tani që po bie popullariteti i tij. Segmentet kryesore të shoqërisë turke, përfshirë rininë, po zhgënjehen gjithnjë e më shumë. Të zhgënjyer nga politikat gjithnjë e më autoritare të Erdoganit dhe mungesa e mundësive ekonomike, shumë të rinj po mendojnë të emigrojnë.

Aktualisht Erdogan po luan një lojë me rrezik të lartë. Nëse do ketë sukses, do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme kundër një kundërshtari të zgjedhur prej atij vetë, duke siguruar sundimin e tij të përjetshëm. Kjo qasje, sugjeron se ai beson se mund të veprojë pa u ndëshkuar.

Mund të ketë të drejtë. Partive opozitare dhe institucioneve politike u mungojnë mjetet për ta kufizuar atë. Dhe ndonëse shumë njerëz në Turqi janë të zemëruar, edhe publiku mendon se ka pak mjete në dispozicion kundër presidentit. Hera e fundit që Erdogan u përball me protesta masive ishte në vitin 2013, dhe shteti u përgjigj egërsisht.

Forcat e sigurisë vranë disa njerëz, plagosën mijëra të tjerë dhe bënë shumë arrestime. Që atëherë, Erdogan ka shtypur tubimet publike për t’u siguruar që demonstratat të mos arrijnë më në të njëjtën shkallë. Po ashtu, po përfiton nga një mjedis ndërkombëtar shumë tolerant.

Rikthimi në krye të SHBA-së Donald Trump e ka trimëruar Erdoganin. Ai nuk ka frikë nga një hakmarrje e Uashingtonit, tani që vetë Trump po e dëmton demokracinë amerikane dhe po tregon zero interes për t’i mbajtur autokratët e huaj përgjegjës për dhunën e tyre.

Por vetëbesimi i Erdoganit ndaj qasjes së tij brutale mund të jetë i gabuar. Herën e fundit që ai u përpoq të mënjanonte Imamoglun, u përball me efektin e kundërt. Përsëritja e detyruar e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Stamboll në vitin 2019, të cilat Imamoglu i fitoi me një rezultat të ngushtë, zemëroi shumë votues, që e panë atë si ndërhyrje të pajustifikuar nga qeveria.

Në votimin e dytë, Imamoglu fitoi me një diferencë edhe më të madhe, madje më e madhja për një kryebashkiak të Stambollit ndër dekada. Por më e rëndësishmja: Erdogan mund të aspirojë të jetë si Putin, por Turqia nuk është Rusia.

Në dallim nga Rusia, e cila lulëzon nga pasuria e burimeve natyrore, ekonomia e Turqisë është shumë e varur nga investimet e huaja. Investitorët po ikin në masë ndërsa regjimi po bëhet edhe më autoritar, dhe një rrëshqitje në një autokraci të plotë vështirë se do t’i kthejë ata. Ekonomia turke do të mbetet e zhytur në krizë. Edhe një udhëheqës autoritar duhet të ketë sukses në qeverisje, që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Affairs”

Shënim: Gonul Tol, drejtor i Programit Turk në Institutin e Lindjes së Mesme dhe autor i librit “Lufta e Erdoganit brenda Turqisë dhe në Siri”.

Lini një Përgjigje