
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin e Minneapolis, ku është raportuar për të shtëna në ambientet e një shkolle katolike në jug të qytetit.
Sipas autoriteteve lokale, situata është vënë nën kontroll pas një ndërhyrjeje të shpejtë nga policia dhe agjentët federalë të FBI-së, të cilët ndodhen në vendngjarje për të hetuar incidentin.
Të shtënat ndodhën në mëngjes, pranë kishës dhe shkollës katolike "Annunciation", pak pasi kishte përfunduar një meshë me nxënësit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi numrin e viktimave apo motivet e sulmit, por mediat amerikane raportojnë për 2 të dekur dhe 20 të plagosur dhe një reagim të gjerë të forcave të sigurisë, përfshirë ATF dhe shërbimet emergjente.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, duke e cilësuar ngjarjen si "një situatë të tmerrshme" dhe duke shprehur mbështetje për familjet e prekura. “Jam informuar plotësisht për të shtënat tragjike në Minneapolis. FBI ka reaguar menjëherë dhe është në vendngjarje. Shtëpia e Bardhë do të vijojë të ndjekë situatën. Ju lutem, bashkohuni me mua në lutje për të gjithë të përfshirët,” shkroi Trump.
Guvernatori i Minnesota-s, Tim Walz, e quajti incidentin “horrifik” dhe konfirmoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për të siguruar mbështetje për komunitetin dhe për të garantuar që drejtësia të veprojë pa vonesa.
Minneapolis ndodhet nën vëmendjen e rritur të publikut për shkak të incidenteve të përsëritura me armë zjarri në vitet e fundit. Ngjarja e sotme shton edhe më tej shqetësimet për sigurinë në shkolla dhe nevojën për reforma të thella në politikat e kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet të japin një deklaratë të plotë në orët në vijim.
Lini një Përgjigje