
Kremlini ka reaguar sërish sot kundër çdo ideje për përfshirjen e trupave të NATO-s në Ukrainë, duke e quajtur këtë një vijë të kuqe të panegociueshme në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ndonëse përpjekjet amerikane për paqe janë "shumë të rëndësishme" dhe mund të ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktit, Rusia nuk do të pranojë asnjë prani ushtarake të Aleancës Atlantike në territorin ukrainas.
Peskov kritikoi gjithashtu propozimet evropiane për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, duke i cilësuar si të papranueshme për interesat strategjike të Rusisë. Ai theksoi se çdo bisedim në nivel të lartë për paqe mes Moskës dhe Kievit duhet të përgatitet mirë për të pasur efekt real, duke lënë të nënkuptohet se Rusia nuk është kundër dialogut, por e kërkon atë në kushte të përcaktuara qartë nga vetë Kremlini.
Në lidhje me sulmet ajrore të fundit në Ukrainë, të cilat kanë goditur infrastrukturën energjetike, Peskov u përpoq të justifikojë veprimet duke thënë se Rusia godet vetëm objektiva ushtarake ose të lidhura me to, një pretendim që bie ndesh me dëshmitë nga terreni.
Ndërkohë, përgatitjet janë në zhvillim për vizitën e Presidentit rus Vladimir Putin në Kinë, të cilën Peskov e cilësoi si “të paprecedentë”. Putin do të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në qytetin port të Tianjin nga 31 gushti deri më 1 shtator, përkrah mbi 20 liderëve botërorë.
Pas Kinës, më 5 shtator, Putin do të vizitojë qytetin port rus të Vladivostokut, pranë kufijve me Kinën dhe Korenë e Veriut, një sinjal i qartë për orientimin gjithnjë e më të theksuar të politikës së jashtme ruse drejt Lindjes.
Lini një Përgjigje