
78 persona të kërkuar nga drejtësia janë ekstraduar drejt Shqipërisë në vitin 2023.
73 prej tyre janë me shtetësi shqiptare ndërsa 5 të tjerë të huaj.
Sipas shifrave zyrtare të policisë, Italia dhe Greqia janë vendet nga ku janë ekstraduar më shumë persona, konkretisht nga 17 për secilin shtet.
Më pas vijnë shtete si Gjermania, Spanja dhe Anglia.
Ndonëse me disa prej këtyre vendeve Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi, disa prej operacioneve janë finalizuar dhe falë ndërhyrjes së Interpol apo dhe me shkëmbim.
E dhënë kjo që pasqyrohet dhe nga shifrat e personave të ekstraduar nga vendi ynë në drejtim të shteteve të tjera. Referuar statistikave 59 është numri i personave të ekstraduar nga Shqipëria.
23 prej tyre janë ekstraduar drejt Italisë, që mban dhe vendin e parë, e ndjekur nga Spanja dhe Gjermania.
Krahas procesve të përmbyllura, burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se janë në proces përmbyllje ekstradimi i disa personave të shumë kërkuar nga drejtësisë.
Mes të cilëve Gëzim Çelaj të arrestuar pak javë më parë në Kosovë dhe të Dritan Rexhepit të prangosur në Turqi.
Autoritetet shqiptare janë duke negociuar edhe me Emiratet Arabe për të sjellë para drejtësisë disa të kërkuar që fshihen në Dubai.
Dritan Rexhepi, shqiptari që dyshohet se është ‘koka’ e rrjetit kombëtar të trafikimit të kokainës në Evropë u arrestua në Stamboll.
Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri.
Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Dritan Rexhepit.
Lini një Përgjigje