TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Maj 2026, 13:05

Trump flet për negociatat me Iranin: Ose do të jetë marrëveshje e 'shkëlqyer', ose s'do ketë fare 

Shkruar nga Pamfleti
Trump flet për negociatat me Iranin: Ose do të jetë
Donald Trump

Donald Trump i lidhi bisedimet me Iranin me një sulm ndaj demokratëve dhe një pjese të republikanëve, në një postim të publikuar në mëngjes në Truth Social.

Presidenti amerikan akuzoi ligjvënësit e opozitës se me deklaratat e tyre për negociatat me Teheranin, po krijojnë “përçarje dhe humbje”. Ai theksoi se, nëse marrëveshja nuk është “e madhe dhe thelbësore” për Uashingtonin, atëherë “nuk do të ketë marrëveshje”.

Trump deklaroi se marrëveshja me Iranin “ose do të jetë e madhe dhe thelbësore, ose nuk do të ketë marrëveshje”. Sipas tij, ajo do të jetë krejt e kundërta e JCPOA-së, marrëveshjes bërthamore të negociuar nga administrata Obama, të cilën ai e cilësoi si “shkatërrimtare”.

"Qesh me të gjithë 'Dumokratët' (demokratët budallenj), RINO-të (të ashtuquajturit republikanë) dhe budallenjtë që nuk dinë asgjë për marrëveshjen e mundshme që po bëj me Iranin, gjëra që as nuk janë diskutuar ende, njerëz të dobët dhe joefektivë si senatori i dështuar Tom Tillis (i cili së shpejti do të largohet nga detyra!), Bill Cassidy, i cili sapo pësoi një humbje dërrmuese në zgjedhjet paraprake, përfaqësuesin vërtet të mjerë Thomas Massie, një horr i madh që u mund dërrmues nga një patriot i madh amerikan (i cili u mbështet nga 'TRUMP') pasi tregoi pabesi të madhe ndaj Partisë së tij (dhe vendit të tij!), dhe pothuajse të gjithë demokratët, njerëz që kanë humbur plotësisht rrugën e tyre, duke mbështetur vazhdimisht politika të këqija dhe kandidatë edhe më të këqij, por janë vazhdimisht kritikë ndaj çdo fitoreje imagjinare që kam. Këta njerëz duhet të shkojnë në shtëpi dhe të pushojnë, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë përçarje dhe humbje. Me fjalë të tjera, ata janë humbës!", tha fillimisht presidenti amerikan në postimin e tij. 

“Marrëveshja me Iranin ose do të jetë e shkëlqyer dhe thelbësore, ose nuk do të ketë asnjë marrëveshje. Do të jetë krejt e kundërta e JCPOA-s katastrofike (marrëveshjes bërthamore) të negociuar nga administrata e dështuar e Obamës, e cila ishte një rrugë e drejtpërdrejtë dhe e hapur drejt një arme bërthamore për Iranin. Jo, unë nuk bëj marrëveshje të tilla!”, shtoi Trump

Progres në bisedime, por pa perspektivë për marrëveshje të shpejtë

Teherani bëri të ditur se ka progres në negociatat me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, por nuk la të kuptohej se një marrëveshje është afër.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se është arritur progres për një sërë çështjesh në bisedimet me SHBA-në lidhur me një memorandum mirëkuptimi. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk do të thotë se Teherani është pranë një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.

Sipas Baghaeit, Irani po negocion për përfundimin e luftës dhe nuk po diskuton çështje bërthamore. Ai shtoi se ndryshimet në qëndrimet e zyrtarëve amerikanë po krijojnë vështirësi për arritjen e një marrëveshjeje.

“Është e saktë të thuhet se kemi arritur në përfundime për një pjesë të madhe të çështjeve të diskutuara. Por nga kjo deri te pohimi se nënshkrimi i një marrëveshjeje është i afërt, këtë askush nuk mund ta thotë”, deklaroi ai.

Baghaei sqaroi se memorandumi i mirëkuptimit me 14 pika përqendrohet te përfundimi i luftës dhe heqja e bllokadës detare amerikane, në këmbim të masave nga Irani për garantimin e kalimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Më herët, edhe Trump uli pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi nga Nju Delhi se presidenti “nuk nxiton” dhe “nuk do të mbyllë një marrëveshje të keqe”.

Tarifat e lundrimit

Tregjet u përqendruan te fakti se është shënuar progres, me shpresën për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Bllokimi i saj nga Teherani që nga fillimi i luftës ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës.

Brent-i i Detit të Veriut ra në 98,36 dollarë për fuçi, duke zbritur nën pragun e 100 dollarëve për herë të parë pas disa javësh. Ndërkohë, tregjet evropiane mbetën në territor pozitiv.

Irani foli sot për “tarifa lundrimi” dhe jo për “tarifa kalimi” për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Zëdhënësi i diplomacisë iraniane deklaroi se Teherani vendos tarifa për “shërbimet e lundrimit” dhe për masat e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Ai përsëriti se Irani “nuk synon vendosjen e tarifave të kalimit”.

Në këmbim, Irani kërkon heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, të cilën Trump ka deklaruar se dëshiron ta mbajë “deri në arritjen, ratifikimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes”.

Asetet iraniane dhe fronti libanez

Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbeten asetet iraniane të ngrira jashtë vendit për shkak të sanksioneve amerikane.

Irani kërkon zhbllokimin e një pjese të këtyre aseteve dhe krijimin e një mekanizmi që garanton zhbllokimin e pjesës tjetër, sipas një “burimi të informuar” të cituar nga Tasnim.

Çështje e hapur mbetet edhe fronti i Libanit. Sipas Teheranit, armëpushimi duhet të zbatohet në të gjitha frontet e luftës në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe frontin libanez. Hezbollahu shprehet i bindur se aleati i tij, Teherani, nuk do ta braktisë.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Trump ka përsëritur se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. 

negociatet shba-iran

Lini një Përgjigje