TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Maj 2023, 13:52

Tragjedia që tronditi zemrën e Beogradit: Pas shock-ut nisin reflektimet për tmerrin

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedia që tronditi zemrën e Beogradit: Pas shock-ut nisin
Pamje nga vendi i ngjarjes

Serbia është tronditur sot pasi një nxënës në një shkollë në zemër të Beogradit ka vrarë 8 fëmijë të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Vraçar, një nga më të rëndësishmet e kryeqytetit serb, ku ndodhen shumica e ambasadave dhe tempulli i shenjtë i Shën Savës. Plus bibliotekën e qytetit e një numër të madh institucionesh.

Vraçari konsiderohet si një nga zonat ku banojnë familje intelektuale, aristokrate e të pasura. Ku ndodhen edhe institucione të rëndësishme, e natyrisht edhe siguria është e lartë. Po ja qe sot, një 14 vjeçar ka nxjerrë armën në shkollën "Vladislav Ribnikar", ku ka vrarë 8 fëmijë dhe një roje sigurie.

Djali ka hyrë në orën e historisë dhe ka nisur të qëllojë ndaj nxënësit, ku njëri ishte ngritur në dërrasë të zezë.

Tragjedia ka ndodhur në orën 8.40, vetëm 5 minuta para se të mbaronte ora e parë e mësimit. Policia ka arrestuar djalin, që armën e kishte marrë në shtëpi, pasi e mbante i ati. Ishte arma e babait të tij, që e kishte me leje nga qeveria e Aleksandër Vuçiçit, e cila e ka këtë zonë si bastion politik.

Ish-kryetari i minibashkisë së Vraçarit, Branimir Kuzmanoviç, ka reaguar shumë ashpër për tragjedinë. “Kemi shkuar shumë larg, vëllezër e motra. E urreja kur të moshuarit thoshin në kohën time nuk ndodhnin gjëra të tilla,  por tani u jap të drejtë, shkruan ai në një postim që e bën të ditur gazeta e Beogradit Danas.

“Vladislav Ribnikar” është shkollë elitare në Beograd, si për shembull “Edith Durhami” apo shkolla “Kosova” në Tiranë, ku ka fëmijë prindërish të kamur, bankierë, oficerë policie e nëpunës shteti.

Ndaj ish-kryetari i minibashkisë ka shtuar: “Agresioni, dhuna dhe frika nuk janë gjë tjetër veçse një fotografi e shoqërisë serbe. E tepruam vëllezër e motra”.

Igor Juriç, një psikolog i njohur dhe drejtor i Qendrës për Fëmijët e Abuzuar, shkon edhe më tej në shkaqet e kësaj tragjedie.

“Kjo është pasojë e asaj që ne të rriturit kemi bërë dhe nuk kemi bërë në kohën që kemi lënë pas. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave”, ka shkruar Juriç, në postimin që e bën të ditur gazeta Danas.

Vraçari është një nga tre komunat që përbëjnë zonën qendrore të Beogradit, së bashku me Savski Venac dhe Stari Grad (Qytetin e Vjetër). Është një zonë e pasur, që ka dhe çmimet më të shtrenjta të pasurive të paluajtshme brenda Beogradit, dhe ka përqindjen më të lartë të banorëve të arsimuar universitar në krahasim me të gjitha komunat e tjera serbe. Një nga monumentet më të famshme në Beograd, Tempulli i Shën Savës ndodhet në Vraçar./ Pamfleti

tragjedia ne serbi

Lini një Përgjigje