Një deklaratë publike e gazetares dhe opinionistes televizive Claudia Conte ka shkaktuar debat në skenën politike italiane, pasi ajo pranoi se ka pasur një marrëdhënie me ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi.
Rasti fillimisht u perceptua si çështje private, por ka marrë përmasa politike për shkak të rolit institucional të Piantedosit dhe angazhimeve profesionale të Conte në struktura të lidhura me shtetin. Ministri, 60 vjeç, është i martuar prej vitesh me prefekten Paola Berardino.
Vëmendje ka tërhequr edhe fakti që intervista u dha për një platformë të lidhur me figura të afërta me partinë Fratelli d’Italia, në një moment delikat për qeverinë. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet e publikimit të marrëdhënies në këtë fazë.
Conte ka mbajtur disa role në institucione publike. Në shkurt, ajo u emërua, pa pagesë, këshilltare në një komision parlamentar hetimor për sigurinë dhe gjendjen e qyteteve. Më herët, gjatë viteve 2023–2024, ajo ka zhvilluar aktivitete të paguara në një shkollë trajnimi për forcat e policisë, ku ka moderuar disa tryeza diskutimi.
Sipas burimeve institucionale, këto angazhime janë dhënë nga drejtues të strukturave përkatëse dhe nuk ka indikacione që ministri Piantedosi të ketë qenë i përfshirë në vendimmarrje. Pagesat për këto aktivitete kanë qenë të kufizuara.
Ndërkohë, ministri është takuar me kryeministren Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrin Matteo Salvini, duke i siguruar se çështja nuk përbën problem për funksionimin e qeverisë. Nga ana e saj, Liga ka shprehur mbështetje dhe nuk ka kërkuar ndryshime në kabinet.
Megjithatë, opozita ka kërkuar sqarime, duke ngritur shqetësime për mundësinë e konfliktit të interesit dhe për përshtatshmërinë e emërimeve të Conte në struktura publike. Përfaqësues të saj theksojnë se Ministria e Brendshme është një institucion kyç dhe duhet të mbetet jashtë çdo debati që lidhet me çështje private.
Lini një Përgjigje