Nga pronat e konfiskuara pas revolucionit iranian te konglomerati Setad, i vlerësuar në dhjetëra miliarda dollarë, struktura ekonomike që mbështet pushtetin e Khameneit…
Për më shumë se 30 vjet, ajatollah Ali Khamenei kultivoi një imazh publik të thjeshtësisë fetare, në përputhje me retorikën revolucionare të Republikës Islamike. Megjithatë, sipas disa investigimeve nga mediat ndërkombëtare, kjo nuk e ka penguar Udhëheqësin Suprem të Iranit të lidhet me një pasuri shumë të madhe private dhe familjare, e vlerësuar nga disa analiza midis 100 dhe 200 miliardë dollarësh.
Disa investigime kanë zbuluar ekzistencën e një sistemi ekonomik të gjerë dhe pak transparent që lidhet me figurën e tij dhe me fondacionet fetare nën ndikimin e tij.
Në qendër të këtij aparati qëndron konglomerati i njohur si Execution of Imam Khomeini’s Order (EIKO), i njohur si Setad. Struktura u krijua në fund të viteve ’80 për të administruar pronat e konfiskuara pas revolucionit iranian të vitit 1979. Sipas një investigimi të publikuar nga Reuters, kjo organizatë kontrollon asete me vlerë rreth 95 miliardë dollarë dhe ka investime në sektorë të shumtë të ekonomisë iraniane, përfshirë financën, industrinë farmaceutike, telekomunikacionin dhe pasuritë e paluajtshme.
Vlerësime të ndryshme të publikuara ndër vite sugjerojnë se fonde të lidhura me Khamenein mund të jenë depozituar edhe në banka jashtë Iranit, përfshirë Venezuelën, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sirinë, Francën, Britaninë e Madhe dhe disa vende afrikane. Sipas këtyre analizave, një pjesë e madhe e kësaj pasurie është krijuar përmes strukturave ekonomike të lidhura me shtetin.
Disa krahasime ekonomike të cituara nga media ndërkombëtare tregojnë se pasuria e lidhur me familjen e liderit iranian mund të tejkalojë ndjeshëm të ardhurat vjetore nga eksportet e naftës së Iranit në disa periudha.
Në praktikë, kjo rrjetë ekonomike i ka dhënë Udhëheqësit Suprem një bazë financiare që funksionon paralelisht me institucionet zyrtare të Republikës Islamike. Sipas analizave të ndryshme, madhësia e kësaj strukture financiare mund të krahasohet me pasurinë e mbajtur nga shahu i fundit i Iranit para revolucionit të vitit 1979.
Konglomerati Setad dhe rrjeti ekonomik nën autoritetin e Udhëheqësit Suprem
Kur u krijua në vitin 1989, Setad kishte një mision të kufizuar: administrimin e pasurive të konfiskuara nga ish-përfaqësues të regjimit të shahut ose nga persona që konsideroheshin se kishin braktisur vendin gjatë viteve të trazirave revolucionare. Në konceptin fillestar, organizata duhej të ishte një strukturë e përkohshme që do të rishpërndante këto prona për qëllime sociale.
Megjithatë, gjatë dekadave të mëvonshme, organizata u shndërrua në një nga strukturat ekonomike më të fuqishme në Iran.
Investigimi i Reuters, i realizuar pas 6 muajsh analizash dhe shqyrtimit të qindra dokumenteve të kompanive dhe regjistrave të pronave, e përshkruan Setad si një konglomerat me pjesëmarrje në sektorë kyç të ekonomisë kombëtare. Përmes një rrjeti kompanish të kontrolluara dhe fondesh investimi, organizata ka ndërtuar një portofol të gjerë biznesesh.
Një element që e dallon këtë strukturë nga konglomeratet e tjera iraniane është fakti se ajo i përgjigjet drejtpërdrejt zyrës së Udhëheqësit Suprem. Kjo i jep një autonomi të konsiderueshme nga qeveria dhe parlamenti, duke e bërë atë në praktikë një fuqi ekonomike paralele me institucionet zyrtare të vendit.
Sipas disa investigimeve të cituara edhe nga Daily Telegraph, një pjesë e fitimeve të Setad përdoret për të financuar aparatin administrativ të kompleksit të njohur si Beit Rahbari, ose “Shtëpia e udhëheqësit”, ku punojnë qindra funksionarë dhe bashkëpunëtorë.
Sistemi i konfiskimeve dhe grumbullimi i pronave
Një pjesë e rëndësishme e pasurisë së administruar nga Setad lidhet me mekanizmin e konfiskimeve, i cili është gjithashtu një nga aspektet më të debatueshme të këtij sistemi.
Sipas disa hetimeve, organizata ka përfituar mijëra prona të paluajtshme përmes vendimeve të gjykatave revolucionare, të cilat i shpallnin ato si “të braktisura” ose në pronësi të personave të akuzuar për armiqësi ndaj Republikës Islamike.
Ndër rastet e përmendura në raportet e mediave përfshihen prona të anëtarëve të minoritetit bahá’í, biznesmenëve që janë larguar nga vendi ose familjeve që akuzoheshin se nuk i përdornin pasuritë e tyre. Pas konfiskimit, pronat transferoheshin te Setad, i cili mund t’i shiste, t’i jepte me qira ose t’i integronte në portofolin e tij të pasurive të paluajtshme.
Ky mekanizëm ka krijuar me kalimin e kohës një portofol të madh pronash të shpërndara në qytete të ndryshme të Iranit. Organizata të të drejtave të njeriut dhe disa kritikë kanë ngritur shqetësime për transparencën e procedurave ligjore që kanë çuar në këto konfiskime. Autoritetet iraniane i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe kanë deklaruar se aktivitetet e organizatës kanë shërbyer për financimin e projekteve sociale dhe zhvillimit ekonomik në zonat më të varfra të vendit.
Në dekadën e fundit, veçanërisht pas protestave të vitit 2022 në Iran, disa raportime kanë sugjeruar se investimet e lidhura me familjen janë zhvendosur gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Sipas këtyre burimeve, fondet janë transferuar përmes ndërmjetësve dhe kompanive të krijuara nga mbështetës të regjimit që jetojnë jashtë Iranit, me destinacione që përfshijnë edhe Lihtenshtajnin dhe Zvicrën.
Rezidenca dhe kompleksi Beit Rahbari
Përveç pasurisë së administruar përmes Setad, figura e Khameneit lidhet edhe me një kompleks rezidencial dhe administrativ në qendër të Teheranit.
Pas emërimit të tij si Udhëheqës Suprem në vitin 1989, Khamenei u vendos në një banesë në rrugën Palestine Street në kryeqytetin iranian. Me kalimin e viteve, rreth kësaj rezidence u zhvillua një kompleks institucional i njohur si Beit Rahbari, ose “Shtëpia e udhëheqësit”.
Sipas disa përshkrimeve, kompleksi përfshin rreth pesëdhjetë ndërtesa që përdoren si zyra, rezidenca dhe struktura sigurie dhe punëson qindra funksionarë të lidhur me aparatin politik dhe ushtarak të Republikës Islamike. Në këtë kompleks ndodhet edhe selia zyrtare nga ku koordinohen shumë prej qendrave kryesore të pushtetit në vend.
Në orët e fundit, disa media ndërkombëtare kanë publikuar imazhe satelitore që tregojnë dëme të konsiderueshme në këtë kompleks pas një sulmi ajror në Teheran, duke treguar shtrirjen e zonës ku ndodheshin rezidenca, zyrat dhe strukturat operative të Udhëheqësit Suprem. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje