TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Prill 2025, 14:36

“The Moscow Times”: Kurthet e përsëritura të Vladimir Putinit

Shkruar nga Joshua R. Kroeker

 

“The Moscow Times”: Kurthet e përsëritura të
Vladimir Putin /

Paqja e vërtetë në Ukrainë, nuk do të vijë përmes gjesteve të përkohshme apo marifeteve në marrëdhëniet me publikun, por përmes mposhtjes së agresionit rus, rivendosjes së sovranitetit të Ukrainës dhe të kuptuarit se edhe kur maskohet si paqe, lufta është ende luftë. Trump duhet ta shohë këtë armëpushim ashtu siç është: një kurth. Le të shpresojmë që ai të mos bjerë pre e tij...

Në vigjilje të Pashkëve Ortodokse, presidenti rus Vladimir Putin bëri një lëvizje të njohur: premtoi një armëpushim në Ukrainë. Në dukje, ky mund të duket si një gjest vullneti i mirë, në respekt të traditës, paqes por edhe ritit të njohur fetar.

Por nën atë fasadë fshihet një përpjekje e llogaritur për të manipuluar narrativën ndërkombëtare, veçanërisht duke synuar presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe administratën e tij. Armëpushim i Pashkëve nuk është një devijim nga strategjia e Rusisë, por një vazhdimësi e saj.

Moska ka njoftuar edhe më parë armëpushime të përkohshme në prag të Krishtlindjeve dhe gjatë ditëve të tjera të shenjta të Kishës Ortodokse. Megjithatë, këto gjeste nuk janë respektuar asnjëherë. Asnjëra palë nuk respektoi armëpushimin e Krishtlindjeve të promovuar nga Putin në ditën e festës ortodokse në vitin 2023, të cilën autoritetet ukrainase e etiketuan në atë kohë si një “kurth cinik”.

Edhe i ashtuquajturi armëpushim në lidhje me infrastrukturën energjetike, i promovuar muajt e fundit nga presidenti amerikan Donald Trump, u shkel vazhdimisht nga sulmet ruse me raketa dhe dronë. Dhe pak javë më vonë, Rusia u tërhoq zyrtarisht nga marrëveshja.

Siç e kemi parë edhe në të kaluarën, qytetet ukrainase mbetën nën zjarrin e ushtrisë ruse edhe kur diplomatët rusë shpallën paqen e përkohshme. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e akuzoi Moskën se ka kryer 3000 shkelje të armëpushimit vetëm gjatë fundjavës që kaloi.

Dhe ky model na tregon diçka më të thellë: Rusia nuk po përpiqet t’i japë fund luftës, por ta riformulojë atë në terma politikë, veçanërisht për audiencën e huaj. Armëpushimet po përdoren si mjete keqinformimi dhe si diplomaci.

Ato nuk synojnë aspak të ndihmojnë civilët ukrainas apo të promovojnë vullnetin e mirë për synime humanitare, por ta paraqitin Ukrainën në sytë e botës si aktorin e papranueshëm që nuk dëshiron të pranojë paqen. Në këtë skemë, përfshihet edhe armëpushimi i Pashkëve.

Ai është një mesazh jo për Ukrainën, por për Trumpin dhe udhëheqjen politike amerikane. Që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, mesazhet e Putinit kanë qenë më të forta se kurrë. Presidenti rus po ofron një armëpushim, jo si një përpjekje e sinqertë për të ulur tensionet, por si një gjest strategjik, një shfaqje që synon të tregojë se Rusia është aktori “i arsyeshëm”, i gatshëm për të negociuar, ndërsa është Ukraina ajo që po e zgjat konfliktin.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio, njoftoi se SHBA do të tërhiqen nga procesi i paqes, në rast se nuk ka një përparim të shpejtë. Pasoja është e qartë: nëse Ukraina vazhdon të luftojë gjatë një armëpushimi të shpallur, Rusia do të pretendojë se Kievi - dhe për rrjedhojë edhe mbështetësit e saj perëndimorë - janë ata që pengojnë paqen.

Ky është keqinformimi klasik i Kremlinit, që synon të mbjellë dyshime dhe përçarje brenda qeverisë amerikane dhe opinionit publik në SHBA. Putin nuk po kërkon paqe. Përkundrazi, ai po i blen vetes kohë në fushën e betejës, duke i sinjalizuar Uashingtonit se është i përgatitur për paqe.

Çdo përpjekje e Rusisë për armëpushim i ka shërbyer një funksionit taktik: për të blerë kohë, për të riarmatosur dhe për të konsoliduar pozicionet. Analistët ushtarakë dhe forcat ukrainase, e dinë se këto pauza nuk janë shenja të uljes së tensioneve, por janë hapësirë ​​frymëmarrje operacionale, për t’u përgatitur për valën e ardhshme të agresionit.

Gati 24 orë pas shpalljes së armëpushimit të Pashkëve nga Putinit, luftimet vazhduan të zhvillohen normalisht përgjatë pjesës më të madhe të vijës së frontit. Ndërsa ka pasur raporte për më pak zjarr artilerie në rajonin e Donbassit, ka pasur pak ose aspak ndryshim në intensitetin e luftës në rajonet ruse  Kursk dhe Belgorod, apo në rajonet ukrainase Kharkiv dhe Zaporizhzhia.

Një burim nga Kherson, shkroi se në mbrëmjen e armëpushimit, disa ndërtesa në qytet ishin në flakë për shkak të sulmeve ruse me dronë, duke pretenduar se asgjë nuk kishte ndryshuar. Por përtej fushëbetejës, armëpushimi i Putinit synon drejtpërsëdrejti Perëndimin. Kremlini i njeh shumë mirë presionet politike me të cilat përballet administrata Trump.

Duke e portretizuar veten si të hapur për kompromis, Moska po ofron mbulesë politike për ata në Uashington që duan të shkëputen tërësisht nga lufta në Ukrainë. Tek e fundit, në sytë e Trump, nëse Rusia po ofron një armëpushim dhe Ukraina e refuzon ose e shkel atë, atëherë pse duhet që SHBA-ja të vazhdojë të shpenzojë miliarda dollarë për furnizimet me armë të Kievit?

Ky është një kurth i projektuar me kujdes, dhe lloji i betejës së narrative në të cilën Kremlini shkëlqen. Moska ka tashmë një qasje direkte tek Trump. Steve Witkoff shërben si ndërlidhës midis Uashingtonit dhe Moskës, duke lavdëruar vizionin e Putinit për një paqe me Trumpin, e cila nuk merr parasysh shqetësimet apo sovranitetin ukrainas.

Nëpërmjet armëpushimit të fundit, Putini synoi të blinte kohë nëpërmjet një vullneti të pasinqertë. Ndërkohë, zyrtarët ukrainas i kanë kuptuar prej kohësh rreziqet e armëpushimeve të njëanshme ose të pasinqerta. Çdo pauzë e deklaruar nga Moska, është shoqëruar me dhunë të përtërirë, shkatërrim më të madh dhe me një cinizëm më të thellë.

Nëse Ukraina e respekton armëpushimin, kjo do ta lejojë Rusisë të zhvendosë më shumë fuqi zjarri në linjën e kontaktit,, pa pasur nevojë të shqetësohet për kërcënimin e dronëve. Për Ukrainën, pranimi i një armëpushimi të shpallur nga Rusia është jo vetëm i rrezikshëm, por shpesh edhe vetëvrasës.

Megjithatë, nëse Ukraina nuk i pushon veprimet e saj mbrojtëse, në sytë e administratës së SHBA-së ky vend do duket sikur është kundër paqes. Megjithatë, më shqetësues tani është rreziku që në këtë grackë të bjerë Uashingtoni. Ukraina nuk mund të mbrohet pa mbështetjen e vazhdueshme ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA .

Përçarja brenda Bashkimit Evropian, do ta bëjë të vështirë zëvendësimin e peshës së SHBA-së për sa i përket armëve dhe mbështetjes humanitare. Nëse Trump e keqkupton gjestin e Putinit si të vërtetë, ose e lejon atë të justifikojë një anulim tërësor të ndihmës amerikane, pasojat do të jenë katastrofike për Ukrainën.

Armëpushim i Pashkëve nuk ka të bëjë me mbrojtjen e jetës, por me zgjatjen e luftës sipas kushteve ruse. Ai synon t’i japë Putinit hapësirën dhe historinë që i nevojitet për të ndryshuar narrativën dhe për të fituar betejën politike në Uashington.

Paqja e vërtetë në Ukrainë, nuk do të vijë përmes gjesteve të përkohshme apo marifeteve në marrëdhëniet me publikun, por përmes mposhtjes së agresionit rus, rivendosjes së sovranitetit të Ukrainës dhe të kuptuarit se edhe kur maskohet si paqe, lufta është ende luftë. Trump duhet ta shohë këtë armëpushim ashtu siç është: një kurth. Le të shpresojmë që ai të mos bjerë pre e tij./Përgatiti Pamfleti

kurthet e përsëritura vladimir putin

Lini një Përgjigje